Aksion si Barcelona, Martini bën pankinë me çadër plazhi! Ja pikantet e duelit Vllaznia-Partizani
-Para startit të takimit ka një nderim nga ana e klubit shkodran për doktorin e skuadrës, Zyhdi Çoba. Një legjendë e sporti shkodran me 60 vite kontribut, ku ky nderim përkoi me ditëlindjen e 83- të të mjekut. -Pak tifozë të pranishëm në stadium, ku tribuna përballë është thuajse e boshatisur e ndërsa në atë kryesore numri nuk e kalon 2500 në karriget e “Loro Boriçit”.

-Ka probleme me rrjetën e portës që do mbrojë Pohls, duhen marrë masat për t’a rregulluar dhe ndeshja nis pak me vonesë.
-Stolat e skuadrave drejtohen nga djem shumë të rinj, Kërnaja tek Partizani i cili është 37 vjeç e Borshi tek Vllaznia vetëm 30 vjeç. Kjo tek kuqeblutë pasi trajneri i parë Martini ishte i pezulluar dhe nuk mund të ishte ne stolin e ekipit.
-Trajneri Martini e ndoqi sfidën nga tribuna karshi ku qëndrojnë tifozët. Ndryshe nga hera e kaluar kur preferoi të ulej në karrige, tashmë për timonierin e kuqebluve ishte menduar një çadër e madhe që përdoret në lokale. Kjo, ndikuar edhe nga kushtet e motit me shiun që fillonte herë pas here në Loro Boriçi.

-Futbollistët e dy skuadrave rrëshqasin disa herë në fushë, nuk mungojnë batutat nga tribuna: “Nuk i paskan vendos gomat e dimrit”.
-”Shpërthen” Kërnaja në një moment ku Bintsuka humb një top të thjeshtë. Trajneri i Partizanit madje heq edhe xhupin që mbante veshur nga euforia.
-Tifozë nuk kursejnë komplimentet për aksionin e golit të Kastratit. “Kështu luhet, si Barcelona” janë fjalët e mbështetësve shkodranë.
-Kërnaja këshillon Buxhelajn, të mos lërë hapësira për Kastratin, i cili po shfaqej rrezikshëm në krahun e mëngjërashit.
-Ka diçka të hedhur nga tribuna në drejtim të trajnerit Kërnaja, rezulton që është një mandarinë. Të cilën tropojani e reklamon tek delegati i ndeshjes.
-Në fund mbyllet me fitoren e Vllaznisë, që është e katërta rradhazi në vitin 2026 për kuqeblutë. Të cilët marrin edhe kreun e klasifikimit, diçka që entuziasmon të pranishimit në “Loro Boriçi” në vërshëllimën finale. Teksa për Partizanin vijon një sezon plot oshilacione dhe pa stabilitet.
PANORAMASPORT.AL













