11 gola të pësuar në 6 ndeshje radhazi, mbrojtja mbetet problem për Partizanin
Mbrojtja mbetet problem për Partizanin dhe në këtë rast nuk mund të themi se problemi qëndron tek i gjithë ekipi, por te forma e lojtarëve të këtij reparti. Skuadra e kuqe ka pësuar të paktën një gol në gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat.

Seria nisi me golin e Ernest kundër Tiranës, për të vijuar me Egnatian (2), Bylisin (3), Elbasanin (2), Vllazninë (2) dhe së fundmi Skënderbeun (1). Difensiva e kuqe duket në një moment shumë delikat, që ka ndikuar edhe në besimin e lojtarëve.
Plot pesë gola nga këto 11 të pësuar në ndeshjet e fundit janë dhuruar nga lojtarët e repartit mbrojtës përmes gabimeve të bëra. Edhe vetë trajneri Abilaliaj e pranoi pas ndeshjes se skuadra po bën shumë gabime mbrapa, që mund t’i kushtojnë.
Për hir të së vërtetës, edhe kundër Skënderbeut u bënë gabime plot, por korçarët nuk ditën të përfitojnë dhe në fund “ligji i futbollit” i ndëshkoi. Mbetet të shihet sesi do ta zgjidhin 17 herë kampionët këtë problem që në fillim të sezonit nuk ishte aspak i tillë.
PANORAMASPORT.AL













