Zoga është “i uritur”: Nuk na kënaq barazimi me Tërbunin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2022 | 22:51

Zoga është “i uritur”: Nuk na kënaq barazimi me Tërbunin

Apolonia luan vetëm për fitore, ndonëse edhe një barazim do të mjaftonte në fazën e parë “play off”. Nesër presin Tërbunin dhe synimi është i qartë: ta mundin dhe vazhdojnë të “ëndërrojnë” elitën. Këtë e thotë edhe mesfushori Krisild Zoga. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, autori i 5 golave shprehet:

Apolonia666

“Jemi të uritur për fitore. Edhe pse do mjaftonte një barazim për të shkuar më tej, do ta mundim Tërbunin. Luajmë në fushën tonë dhe do kemi tifozërinë si mbështetje në shkallët e stadiumit. Atmosfera është e mirë, të gjithë jemi entuziastë dhe mezi po presim të zbresim në fushën e blertë. Ecurinë e kemi në krah, por nuk mjafton kaq për të arritur në ‘Abissnet Superiore’. 10 ndeshje të fituara radhazi në shtëpi, ndaj pse të mos i bëjmë 11?

Të them të drejtën, unë asnjëherë nuk kënaqem me veten time pasi gjithmonë dua të bëj më mirë dhe normalisht të përmirësohem. Jam shumë i kënaqur me ecurinë e ekipit dhe atë çfarë treguam këtë vit. Pavarësisht 5 golave të mi dhe 8 asisteve, ne do mbahemi mend për rekordin e fitoreve radhazi në shtëpi.

Nuk mbeten pas as golat e shënuar ‘in extremis’, që na kanë bërë jo pak herë me zemër, por në fund na kanë dhuruar pikët e plota. I kemi nisur përgatitjet shumë shpejt, madje me intensitet dhe seriozitet maksimal. Fatmirësisht, grupi i lojtarëve është i plotë dhe gjithsecili po merr ngarkesën e nevojshme në prag të sfidës me Tërbunin. Atmosfera është e mirë, të gjithë jemi entuziastë dhe mezi po presim të zbresim në fushën e blertë. Ndeshje të tilla si finale të parakohshme të motivojnë vetvetiu duke ditur që kalimi i pukjanëve është një ndeshje më pak për elitën e shumëkërkuar dhe të shumëdëshiruar”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"