Zhongo turbullon trajnerin Nica, sërish mbrojtje me “arna” për Kukësin ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2023 | 22:37

Zhongo turbullon trajnerin Nica, sërish mbrojtje me “arna” për Kukësin ndaj Partizanit

Kukësi është duke vijuar përgatitjet intensive në kuadër të ndeshjes që do të kenë këtë fundjavë me skuadrën e Partizanit në “Kukës Arena”, në atë që cilësohet si dueli i dy ekipeve që kanë harruar se çfarë është fitorja në javët e fundit. Kukësi prej gjashtë sfidash nuk siguron dot tri pikët dhe kampionët vijnë me pesë barazime radhazi.

KUKESI

Në njëfarë mënyre, të dyja ekipet po kalojnë një minikrizë dhe e shohin pikërisht këtë përballje për t’u dhënë fund rezultateve zhgënjyese, në një kohë që Kukësi pak e nga pak po zbret në fundin e renditjes.

MBROJTJA –

Për herë të parë këtë sezon, tekniku Stavri Nica do të jetë i privuar nga mungesa e mbrojtësit Vasil Zhongo, i cili ka mbushur numrin e kartonëve të verdhë dhe është i detyruar të bëjë një javë “stop”. 24-vjeçari ishte lojtari i vetëm që kishte luajtur titullar në të gjitha ndeshjet e deritanishme, duke u kthyer në pikën kyçe të skuadrës, sidomos në repartin e prapavijës. Për këtë arsye, mungesa e tij prish jo pak planet e teknikut për sfidën ndaj kampionëve, për më tepër që fazën e parë i kanë shënuar jo pak, por plot katër gola.

Gjithsesi, pritet që ky repart të “arnohet” disi me kontigjentin që ka skuadra në dispozicion, ku alternativë sa herë ka një mungesë në prapavijë është thuajse gjithnjë Franko Lamçe. Të paktën këtë javë i rikthehet qendërmbrojtësi tjetër, Franci Lala, i cili bëri pushim me Erzenin për shkak të kartonit të kuq të marrë një javë më parë. Me shumë gjasa kjo dyshe do të përbëjë edhe qendrën e mbrojtjes për blutë në këtë 90-minutësh. Nga krahët, gjasat janë që të luajnë Duka me Reçin, siç ka ndodhur zakonisht në pjesën më të madhe të ndeshjeve deri më tani, edhe pse në të majtë Nica herë pas here preferon edhe Endri Muratin.

PRITSHMËRITË NË SHTËPI –

Kukësi do të luajë në shtëpi dhe sigurisht në fushën e tyre pritshmëritë i kanë më të mëdha. Edhe vetë Nica e ka deklaruar gjithnjë që pret të bëhen një skuadër fushe, duke pretenduar gjithnjë maksimumin. Deri diku ia kanë arritur, sepse përpos dy ndeshjeve të para në shtëpi që janë mundur, në gjashtë ndeshjet e radhës kanë marrë tri fitore dhe tri barazime, duke treguar se ekipi nuk mposhtet lehtë në “Kukës Arena”.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"