Zbulohet projekti për infrastrukturën, klubi i Kategorisë së Parë “prenoton” fushën e re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 0:18

Zbulohet projekti për infrastrukturën, klubi i Kategorisë së Parë “prenoton” fushën e re

Terreni stërvitor mbetet problemi më i madh i Lushnjës këto vitet e fundit dhe sidomos tani, kur gjithçka kryhet në fushën e “Roza Haxhiut”. Për këtë çështje ka folur nënkryetari i Bashkisë së Lushnjës, Gentian Nushi, i cili tregon për projektet që ka klubi në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës.

NUSHI

“Çdo vit kemi projektet tona, që kuptohet se kërkojnë financim. Stadiumi është me parametra optimalë dhe meriton të ketë një ambient të ri, le ta quajmë, por kjo nuk do të thotë se është i pakualifikuar. ‘Roza Haxhiu’ i plotëson kushtet për të vazhduar aktivitetin edhe kështu siç është. Çdo vit FSHF-ja ka projektet e saj në financimet në stadiume dhe ne kemi aplikuar pranë këtij institucioni me tri projekte.

Projekti kryesor për ne do të ishte stadiumi, por duke parë vitin e vështirë për arsye që dihen, shpresojmë të marrim si financim një fushë stërvitore. Është shumë e rëndësishme, sepse kështu mbrojmë edhe fushën e stadiumit, që me thënë të drejtën, e kemi keqtrajtuar me ndeshje të shumta dhe stërvitjet e ekipit të parë.

Lushnja

Kuptohet që dëmtimet janë të shumta. Një projekt për fushën e parë, që e kemi përballë stadiumit, e kemi paraqitur pranë qeverisë shqiptare, ndërsa për fushën stërvitore kemi dy ide. Më e mira dhe që jemi në diskutim, është fusha e Plugut. Është një fushë me parametrat e duhur dhe na mbyll komplet stërvitjen e ekipit të parë. Pritet të nisë edhe kampionati i ekipeve U-21 dhe duhet të jemi gati”, sqaron nënkryetari Nushi.

FINANCAT

Përfaqësuesi i presidencës është shprehur gjithashtu se Lushnja është në gjendje të shëndoshë financiare. “Lojtarët e Lushnjës, si në asnjë ekip tjetër të Kategorisë së Parë, e kanë marrë rrogën. Ndoshta me një vonesë disaditore, por këto janë probleme buxhetore, probleme thesari.

Kanë marrë rrogën e marsit dhe është ekzekutuar edhe rroga e prillit. Asnjë problem financiar nuk ka me lojtarët. Ata kanë qenë në shtëpi dhe nga data që kanë dalë në stërvitje, do të vazhdojnë me trajtimet të tjera, siç i kanë në kontratë”, saktësoi drejtuesi i bashkisë, Gentian Nushi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"