Zbardhet ultimatumi, lojtarët e Tomorit kërcënohen me përjashtim: Nëse nuk fitojnë të shtunën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2019 | 20:23

Zbardhet ultimatumi, lojtarët e Tomorit kërcënohen me përjashtim: Nëse nuk fitojnë të shtunën…

Tomori po përjeton një moment të keq në kampionat, pasi nga një skuadër pretendente dhe me kontingjent cilësor, aktualisht ky ekip ndodhet në vendin e 8-të të klasifikimit dhe i kërcënuar nga ndjekësit, si Elbasani dhe Turbina.

tomori

Humbja me rezultatin 2-0 ndaj Elbasanit këtë fundjavë ka ndezur debate të ashpra, teksa fajtorët kryesorë janë gjendur futbollistët për situatën e dobët në kampionat dhe ndaj tyre kanë shpërthyer kritika të shumta nga zyrtarët e klubit, stafi teknik apo dhe tifozët. Disfata me një nga rivalët direkt për mbijetesë ka sjellë zhgënjim te “kupola” e klubit, duke menduar disa masa ndëshkimore, por më parë duke vendosur disa kushte për kontingjentin e teknikut Santiliano Dule.

ULTIMATUMI – Në rast se Tomori nuk arrin të rikthehet te fitorja këtë javë ndaj Turbinës, atëherë janë parashikuar masa drastike. Një nga këto masa është përjashtimi i 18 futbollistëve që do të grumbullohen për këtë sfidë. Sipas asaj që thuhet për “Panorama Sport”, futbollistët kanë shpëtuar në ‘fije të perit’ që këtë javë, teksa ka qenë insistimi i trajnerit Dule që lojtarëve t’u jepej edhe një mundësi e vetme.

Në një prononcim për gazetën, trajneri Santiliano Dule është shprehur i irrituar, teksa thotë se ka një marrëveshje me klubin edhe për sezonin e ardhshëm. “Është absurde që Tomori të katandiset në këtë gjendje. E kemi fshirë ndeshjen me Elbasanin dhe tashmë duhet të shikojmë takimin e radhës. Drejtuesit kanë zhvilluar një mbledhje urgjente me futbollistët dhe u është bërë e ditur që në rast se nuk fitojnë me Turbinën, atëherë do të bëjnë gati valixhet dhe do të largohen nga Tomori. Ndëshkimit ia hodhën ‘paq’ vetëm prej meje.

Nuk dua justifikime për ndeshjen e kësaj jave. Është ndeshje burrash dhe duhet të japin shpirtin në fushë. Futbollistët të bëjnë ç’të duan dhe të na sjellin fitoren”, tha fillimisht tekniku beratas. Ndërsa, i pyetur për të ardhmen, trajneri i Tomorit deklaroi: “Drejtuesit e klubit janë shprehur se do të jem sërish unë nën drejtimin e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm”, tha Dule. Sfida ndaj Turbinës do të luhet në fushën asnjanëse të Ballshit.

/PANORAMASPORT.AL/

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"