Zbardhet mbledhja te Tirana, presidenti Halili presion “senatorëve”: Nuk do ketë më të paprekshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 21:57

Zbardhet mbledhja te Tirana, presidenti Halili presion “senatorëve”: Nuk do ketë më të paprekshëm

Refik Halili nuk qëndron larg Tiranës. Edhe dje presidenti i klubit bardheblu ishte në “Skënder Halili” për të kontrolluar skuadrën.

refik halili

I shoqëruar nga drejtori i akademisë, Devi Muka, presidenti ka parë nga afër 20 minutat e fundit të përgatitjeve të skuadrës. Më pas, ka rezervuar një takim të shkurtër me trajnerin Ardian Mema, takime me disa lojtarë e zyrtarët e skuadrës dhe më pas është larguar nga stërvitja. Një shenjë e qartë, që është duke e kontrolluar grupin hap pas hapi, duke mos i lënë asgjë rastësisë.

TË PAPREKSHMIT – Që pas sfidës me Flamurtarin, presidenti publikisht brenda në ekip dhe individualisht ua ka bërë të qartë lojtarëve dhe stafit se në skuadër nuk ka më të paprekshëm. Duke filluar që nga më i vjetri, deri te më i riu, të gjithë duhet të tregojnë veten në fushë. Në mbledhjen e gjatë që ka bërë me grupin disa ditë më parë, Halili ua ka deklaruar hapur shumë titullarëve që ata e kanë zhgënjyer.

halili mema

Po kështu, ai u ka thënë gjithë liderëve në skuadër dhe titullarëve që nuk ka të paprekshëm, të përkëdhelur apo nga ata që mund të qëndrojnë në formacion dhe të mos bëjnë gjë. Refik Halili ua ka bërë të qartë, duke filluar nga Hoxhallari se duhet të ndryshojnë për të bërë më të mirën, sepse askush nuk ka imunitet në ekip. Kjo është arsyeja që shumë lojtarë po mundohen të bëjnë të pamundurën në stërvitje për të treguar gjithçka në fushën e lojës.

Shenjat e shkatërrimit të paprekshmërisë u panë me përjashtimin e Hoxhallarit nga ekipi, zëvendësimit të Edon Hasanit dhe Majkëll Ngosë në Vlorë apo dyshimeve për trajnerin dhe stafin. Shkurt, të gjithë nuk duhet të jenë nën presion, por të tregojnë veten në fushë. Presidenti Halili e ka thënë shumë qartë dhe para të gjithë lojtarëve: “Te Tirana nuk ka më të paprekshëm”. E ka kuptuar shumë mirë trajneri, lojtarët. U takon këtyre të fundit të bëjnë kthesën e madhe, sepse qoftë edhe një barazim me Laçin, Halili përmbys ambientin.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"