Xhevahir Sukaj zyrtarizon transferimin tek Sepahan në Iran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2012 | 19:58

Xhevahir Sukaj zyrtarizon transferimin tek Sepahan në Iran

Xhevahir Sukaj ka mbyllur përfundimisht dhe në të gjitha detajet transferimin e tij në radhët e Sepahan të Iranit, duke i dhënë rrugëdalje të ardhmes së vet për 18 muajt e ardhshëm. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë futbollisti shkodran, që kishte hyrë në tratativa me klubin iranian prej disa ditësh. Të hënën në mbrëmje janë kopsitur të gjitha detajet e kontratës mes dy palëve, e cila parashikon edhe kushtin e Vllaznisë prej 50 mijë eurosh, që sulmuesi shkodran të lihet i lirë për një skuadër jashtë vendit. Ka qenë pikërisht kjo shumë, që e ka mbajtur pezull akordin për disa ditë radhazi, sepse Sepahan e konsideronte të madhe për kartonin e Sukajt. Mirëpo, këmbëngulja e trajnerit të këtij klubi iranian, kroati Zlatko Kranjcar, i ka bindur përfundimisht drejtuesit e Sepahan që të bien dakord për të derdhur në arkën e Vllaznisë shumën e 50 mijë eurove. Sapo kjo procedurë bankare të kryhet, Sukaj do të marrë lejen e kalimit nga Vllaznia dhe do të jetë zyrtarisht lojtar i Sepahan për 1 vit e gjysmë. Ekipi i ri i Xhevahir Sukajt është pretendent për fitimin e “Champions League” të Azisë. Sepahan është kampioni në fuqi i këtij vendi. Si klub është themeluar në vitin 1953, ndërsa ka një stadium gjigand, prej 75 mijë vendesh.
Në palmaresin e Sepahan janë 3 tituj kampioni të Iranit, përkatësisht në sezonet 2002-2003, 2009-2010 dhe 2010-2011, por edhe tri Kupa të Iranit, në edicionet 2003-2004, 2005-2006 dhe 2006-2007. Ka fituar një herë “Champions League: të Azisë, në vitin 2007.

Pezullohet 4 mujor i Sukajt nga Vllaznia
Xhevahir Sukaj ishte një lojtar nën kontratë me Vllazninë, por i pezulluar nga kjo e fundit me 4 muaj, që në fund të nëntorit të vitit të shkuar, pasi sulmuesi refuzoi të luante ndaj Skënderbeut. Klubi shkodran vendosi gjithashtu, sipas vendimit të marrë nga Këshilli Mbikëqyrës, që lojtari të penalizohet edhe me 50% të vlerës së kontratës. “Pasi u analizua veprimi antisportiv dhe joprofesional i futbollistit Xhevahir Sukaj, i cili refuzoi të aktivizohej në ndeshjen Vllaznia- Skënderbeu, u konstatua se ky fakt ka dëmtuar rëndë objektivat e ekipit. Me qenë se lojtari ka qenë edhe herë të tjera dëmtues i imazhit të Vllaznisë dhe frymës së grupit në ekip, dhe pasi dëgjoi vetë Sukajn, i cili pranoi se ka vepruar gabim, duke quajtur të drejtë çdo vendim që do të merrej, Këshilli Mbikëqyrës i Vllaznisë vendosi ta penalizojë atë në masën 50% të vlerës së kontratës së datës 25.01.2011, nënshkruar me KF Vllaznia. Bazuar në nenin 5, pika 1, ku thuhet: ‘kur futbollisti nuk paraqitet në ndeshje, pa asnjë arsye të justifikuar nga drejtuesit, ai gjobitet 30-50% të kontratës. Në të gjitha rastet e këtyre veprimeve, i dërgohet informacion me shkrim kryesisë së klubit dhe presidentit, të cilët kanë të drejtë dhënien e masave shtesë që nga pezullimi i lojtarit deri në përjashtimin e tij të plotë nga skuadra’. Të pezullojë për 4 (katër) muaj futbollistin Xhevahir Sukaj nga aktivizimi në ndeshje zyrtare, miqësore dhe nga procesi stërvitor pranë ekipit të parë. Lojtari të stërvitet pranë ekipit të të rinjve të KF Vllaznia sh.a., gjatë gjithë periudhës së pezullimit”, – shkruhej ndër të tjera në komunikatën për shtyp të klubit shkodran, me këtë rast.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"