Xhebrahimi: I shënoj përsëri Korabit, Vora do të rikthehet te suksesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2024 | 12:04

Xhebrahimi: I shënoj përsëri Korabit, Vora do të rikthehet te suksesi

Pas fitores 3-0 me Besën në ndeshjen e parë të fazës së tretë, Vora i ka harruar pikët. Vorakët të enjten u goditën katër herë në Lushnjë, që ishte disfata e tretë radhazi pas Burrelit dhe Kastriotit.

xhebrahimi

Tri pikë në 4 ndeshje të fazës së tretë, janë shumë pak për skuadrën që kishte pretendime të ngjitej më lart. Në të tri ndeshjet e fundit, mbrojtja ka futur “ujë”. Kanë qenë pasiguritë e mbrojtësve, që Vora të pësojë 9 gola në këtë pjesë të fazës së tretë. Kjo ka bërë që skuadra e Vorës të jetë shumë larg pritshmërive. Gjithsesi, vorakët kanë ende shpresa që të jenë brenda synimeve. Vora, thuajse e ka siguruar zonën “playoff” dhe kjo mbetet e vetmja shpresë e saj për t’u ngjitur në elitë.

Këtë të diel, vorakët do të presin në shtëpi Korabin dhe shpresojnë t’u rikthehen fitoreve të harruara nga 3 marsi. Lidhur me këtë takim, sulmuesi Albi Xhebrahimi, që i dha fitoren në ndeshjen e fundit ndaj dibranëve në Peshkopi, për “Panorama Sport” deklaroi: “Kam shumë besim se Vora do të rikthehet te fitorja. Kanë qenë momente të vështira për skuadrën tonë, pasi kemi pasur shumë mungesa, probleme shëndetësore, dënime nga Komisioni i Disiplinës, që kanë bërë që Vora të mos ketë qenë e plotë në këto ndeshjet e fundit. Skuadra i mbetet besnike synimeve të saja dhe ne do të bëjmë gjithçka që të jetë më e mira. Shpresoj t’i shënoj sërish Korabit e Vora të rikthehet te fitorja”.

vora

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"