“Xhampaolo nuk na fliste”, rrëfehet Kruniç: Ndaj Juventusit një ndeshje për kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 16:29

“Xhampaolo nuk na fliste”, rrëfehet Kruniç: Ndaj Juventusit një ndeshje për kthesën

Personaliteti nuk i mungon, as cilësia. Ndaj Lacios Milani zbuloi Rade Kruniçin. 26-vjeçari luajti për herë të parë si titullar dhe askush nuk e ndjeu mungesën e Frenk Kesit.krunic

Boshnjaku tashmë është kandidat për formacionin në ndeshjen kundër Juves dhe në kuadër të kësaj sfide, ka dhënë një intervistë për torinezët e “Tuttosport”.

Si është të luash titullar në “San Siro”, me ekipin e zemrës?

Deri të dielën nuk kisha luajtur kurrë në formacion dhe dy prezencat i kisha grumbulluar duke hyrë nga stoli. Të luash titullar është diçka krejt tjetër. Më erdhi shumë keq për rezultatin. Mund të kisha bërë më shumë, sidomos në fazën sulmuese, megjithatë, në aspektin personal, si hera e parë në “San Siro” nuk shkoi keq. Jam tifoz i Milanit që në fëmijëri e do të kisha dashur një debutim më pozitiv.

Nisja e sezonit për ju është karakterizuar edhe nga disa dëmtime…

Jam shumë më mirë. Te Milani erdha i dëmtuar, por pavarësisht shërimit, forma nuk ka qenë më e mira dhe as nuk është. Në këto nivele është e vështirë kur nuk je në 100 për qind të mundësive.

Si është raporti me Piolin?

Më erdhi keq për Xhampaolon. Është një trajner me shumë cilësi, por për të mësuar futbollin e tij duhet kohë. Me Piolin jemi më të vendosur dhe mendoj se idetë e tij janë më të përshtatshme me karakteristikat tona.

Pikët gjithsesi po vonojnë…

Milanit vetëm ato po i mungojnë. Ndaj Lacios, sipas meje, luajtëm shumë mirë dhe treguam se jemi në rrugën e duhur. Mëkat për rezultatin, për të cilin të vjen edhe më shumë keq kur paraqitesh pozitivisht. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të jemi të bashkuar sepse fitoret do të vijnë.

Bëhet më e vështirë në këto çaste, sepse rivali i radhës quhet Juve.

Është skuadra më e fortë e kampionatit dhe një rival shumë i vështirë, por neve na duhet pikërisht një ndeshje e tillë. Një sukses do të na ndryshonte shumë gjëra, sepse na mungon besimi dhe po jetojmë një moment veçanërisht të vështirë. E dimë se jemi më të fortë nga çfarë kemi treguar deri tani, ndaj nevojitet më shumë vetëdije në mundësitë tona. Duhet të besojmë se mund të fitojmë në Torino, por duke luajtur siç bëmë ndaj Lacios. Nëse e përballojmë me frikë ndeshjen, ndaj Juves me siguri që nuk fitojmë.

A është Milani shansi që kishit pritur në karrierën tuaj?

Po. Për madhështinë e klubit, por edhe për lidhjen që kam me fanellën si tifoz i kësaj skuadre. Ëndrra ime ka qenë të luaj për Milanin dhe jo thjesht të jem pjesë e tij. Duke ardhur nga Empoli nuk prisja që të kisha shumë shanse dhe më duhet të shfrytëzoj ato që më jepen. Pati shumë rëndësi paraqitja ndaj Lacios dhe sidomos që të mos gaboja. Kur të mbërrijnë edhe fitoret do të jetë gjithçka më e bukur, sepse na duhen pikë për të arritur sa më lart.

Champions-i për Milanin sot për sot duket si mirazh?

Besoj se mund ta arrijmë. Jemi Milani dhe nuk kemi rrugë tjetër. Na duhet një fitore me peshë për të kthyer faqe, por tetë pikë distancë nga vendi i katërt në javën e 12-të nuk janë edhe aq shumë. Kemi shumë ndeshje në dispozicion për të rregulluar renditjen dhe sezonin tonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"