Xhafaj hero, zhyt gjirokastritët

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shkurt 17, 2013 | 13:22

Xhafaj hero, zhyt gjirokastritët

XhafajTEUTA-LUFTËTARI   2-0
GOLAT: Xhafaj 56′, 82′
TEUTA: S.Hoxha, Sakaj, Jakupi, Sheta, Da Silva (Hodo 68′), Hyshmeri (Veliaj 46′), Osmani, Tahiri (Deliallisi 78′), Nika, Mancaku, Xhafaj. Trajner: Gugash Magani
LUFTËTARI: Milivojeviç, Nino, Shameti, Hoxha, Boci, Shenaj, Tiodoroviç (Lluka 71′), Nikoliç, Raboshta (Nora 72′), Mersini (Çaço 46), Fonseka. Trajner: Edi Martini
KARTONË TË VERDHË: Da Silva 15’/ Tiodoroviç 33′, Mersini 40′, Shameti 58′, Raboshta 61′
VËZHGUES: Hyqmet Kuka (Tiranë) DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: Remzi Sadiku/ Gëzim Koka dhe Rudin Preça (Elbasan)

MINUTAT
18′ Goditje dënimi për Luftëtarin, kroson Nikoliç dhe malazezi Todoroviç kërcen me kokë brenda zone, topi kalon ngjitur me shtyllën.
20′ Mancaku gjen me një diagonale të saktë për Nikën, shkodrani godet keqazi me të majtën.
22′ Xhafaj kërkon ta befasojë me goditjen e tij portierin gjirokastrit, por ky i fundit e ka neutralizuar.
39′ Sërish Xhafaj, godet prerazi, por Milivojeviç bën mrekullinë duke e larguar topin me këmbë.
56′ Mancaku lëshon një predhë nga jashtë zone dhe Milivojeviç grushton, topi kthehet te Xhafaj, i cili gjuan tokazi me të majtën dhe shënon golin e parë, 1-0.
64′ Pas një krosimi të Nikoliçit, është sulmuesi Raboshta që i shkëputet mbulimit të mbrojtësit, por gabon përballë Hoxhës. Vetëm tri metra nga vija fatale shkodrani bën më të vështirën, duke e nxjerrë topin jashtë.
82′ Kundërsulm pa pretendime i Teutës, por është Xhafaj që përfiton nga një dalje e gabuar e portierit mik. Sulmuesi vlonjat, me një parabël nga jashtë zone shënon golin e dytë, 2-0.
85′ Nora rrotullohet bukur jashtë zone dhe gjuan me të djathtën, por është i pafat, pasi topi përplaset në traversë.

Teuta ka mundur dje në “Niko Dovana” Luftëtarin dhe pret një tjetër gabim të Skënderbeut, i cili luan sot në Fier ndaj vendësve të Apolonisë. Ashtu siç kishin premtuar, durrsakët fituan ndaj Luftëtarit duke ua vështirësuar gjërat së tepërmi gjirokastritëve në luftën për mbijetesë. Kanë mjaftuar dy gola të sulmuesit Danjel Xhafaj që Teuta të hipotekonte tri pikët. Vlonjati bëri një paraqitje mjaft të mirë, ndërsa shënoi në minutën e 56-të dhe 82 të takimit. Teuta zhvilloi një lojë të thjeshtë dhe pa gabime, ndërsa nuk la pa shfrytëzuar rastet e ofruara. Gjirokastritët, të cilët kishin ardhur në Durrës me idenë për të marrë qoftë edhe një pikë, nuk mundën ta përballonin presionin e vendësve, që krijuan mbi 5 raste të pastra për shënim, duke kthyer në gol dy prej tyre.
Pjesa e parë – Ndeshja nisi mirë për të dyja skuadrat, por rastet i takojnë Teutës. Të zotët e shtëpisë që nga momenti që hynë në fushë filluan të ushtronin presion mbi miqtë. E ndërsa sulmet e shumta të Teutës thyheshin nga mbrojtja e Luftëtarit, në minutën e 20-të vendësit patën rastin e artë për ta zhbllokuar rezultatin me anë të shkodranit Nika. Një kombinim me Mancakun e nxjerr shkodranin përballë portierit, por goditja e tij ishte mjaft e gabuar. E ndërsa minutat rrokulliseshin njëra pas tjetrës, miqtë strukeshin gjithnjë e më shumë në gjysmëfushën e tyre. Pak minuta nga fundi i pjesës së parë Xhafaj pati dy raste për ta dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes të qetë, por në të dy rastet ka dalë fitimtar portieri Milivojeviç, i cili bëri dy pritje të bukura.
Pjesa e dytë – Menjëherë pas vërshëllimës së gjyqtarit Sadiku për sinjalizimin e pjesës së dytë, Teuta u zhvendos në mesfushën kundërshtare në kërkim të golit, ndërsa presioni mbi gjirokastritët sa vinte dhe rritej. Magani kuptoi se kohën nuk e kishte në dispozicion, ndaj bëri edhe lëvizjen e parë, Hyshmeri ia lë vendin Veliajt dhe që aty skuadra bëhet më kërcënuese. Pas një rrëmuje në zonë, miqtë nuk mundën ta largonin dot topin, aty ka përfituar Xhafaj, i cili nuk gabon dhe me një gjuajte mjaft të saktë i kalon vendësit në avantazh 1-0. Të befasuar nga goli, miqtë kërkojnë të reagojnë. Raboshta ka pasur një mundësi të artë për ta barazuar rezultatin, por i vetëm përballë portës bën më të vështirën duke e nxjerrë topin jashtë. Ky ishte dhe rasti i parë dhe i vetëm i rrezikshëm në portën e Hoxhës. Gjirokastritët nuk mund të kënaqeshin me rezultatin, ndaj u hodhën në sulm për të gjetur golin e barazimit, por ndërkohë linin shumë hapësira prapa. Daniel Xhafaj ka shfrytëzuar më së miri një gabim të portierit mik, ku me një parabël shënon golin e dytë të tij, por edhe të sigurisë për vendësit.

MË I MIRI
Pa dyshim që lojtari më i mirë i këtij takimi për të dyja skuadrat ka qenë sulmuesi vlonjat i Teutës, Daniel Xhafaj. Ky i fundit, përveç se shënoi dy gola, lëvizi shumë gjatë gjithë lojës. Ai shfrytëzoi në maksimum rastet që iu paraqitën përpara porte, duke treguar edhe një herë përvojën e tij. Në dy ndeshjet e fundit ka realizuar 4 gola. Ndërkohë, te Luftëtari duhet thënë se një paraqitje për t’u admiruar ka bërë mbrojtësi Ylli Shameti.

MË PAK AKTIVI
Portieri Marko Milivojeviç, mesfushori Ergys Mersini dhe sulmuesi Jasmin Raboshta ishin ata që stonuan në takimin e djeshëm. Sigurisht që me daljen e gabuar, portieri serb ia shoi shpresat Luftëtarit, ndërsa Teuta shënoi golin e dytë dhe ai mban përgjegjësinë kryesore. Nga ana tjetër, hije e vetvetes ishte mesfushori Mersini, i cili është një ish-lojtar i Teutës. Ndërsa Raboshta i dënoi bluzinjtë me rastet e humbura.

Magani: Çelësi i fitores, zëvendësimet
Trajneri i Teutës, Gugash Magani, edhe pse ka fituar, nuk ka nguruar t’i kritikojë lojtarët e tij për lojën sidomos në pjesën e parë. “Po të nisemi nga rezultati, do të thosha që është i pastër, por unë nuk jam i kënaqur me lojtarët, pasi nuk e interpretuan mirë lojën. U kisha kërkuar për gjatë gjithë javës që të futeshin në fushë si të barabartë, mirëpo kjo nuk ndodhi. Ata hynë në fushë me superioritet dhe me një eufori të madhe, e cila në shumë raste ndikon negativisht. Gjatë pjesës së parë skuadra nuk mundi të depërtonte në zonën kundërshtare, pasi bëmë një lojë mjaft të lexueshme dhe si pasojë nuk e vumë në vështirësi serioze kundërshtarin. Ndërsa në pjesën e dytë kryem disa zëvendësime, të cilat rezultuan efikase, pasi ndryshuan komplet lojën. Besoj se ishte një fitore e merituar dhe shpresojmë të ecim me të njëjtin ritëm edhe në javët e ardhshme”.

Martini: Bëmë gabime dhe ua dhuruam fitoren
Trajneri i Luftëtarit, Edi Martini, më shumë sesa për meritë të kundërshtarit e shikon si gafë të të tijve humbjen e djeshme. Sipas teknikut, skuadra u penalizua nga vetvetja, pasi gaboi te të dy golat e pësuar dhe nuk qe konkrete në sulm. “Luajtëm një ndeshje të mirë, por u ndëshkuam nga gabime individuale. E dinim që ishte një ndeshje e vështirë dhe shpresonim që maksimumi të merrnim një pikë, e cila do të na shërbente në pozitat ku ndodhemi. Për shumë minuta skuadra reagoi mjaft mirë dhe u rezistoi sulmeve të kundërshtarit, por na penalizuan dy gabimet në rastet e golave. Tek i pari lojtarët nuk mundën ta largonin dot topin, dhe Xhafaj në të tilla raste nuk të fal. Edhe goli i dytë erdhi sërish për shkak të gabimeve individuale. Gjithsesi duhet ta harrojmë menjëherë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”, – tha Martini.

“Vuajtëm, por i merituam tri pikët”
Altruist dhe modest si gjithnjë. Daniel Xhafaj, edhe pse sigloi dopietën e dytë radhazi (shënoi dy gola edhe javën e shkuar ndaj Shkumbinit), fitoren ia dedikon trajnerit Magani. “Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne. Synimi kryesor ishte që në këto dy ndeshje radhazi që kishim në shtëpi të merrnim pikët e plota. Luftëtari na vuri shumë në vështirësi, por gjithsesi arritëm ta zgjidhnim takimin në mënyrën më të mirë. Kam bindjen se do të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme. Ardhja e trajnerit Magani më ka motivuar akoma më shumë. Është një trajner, të cilin e kuptoj shumë mirë. Teuta ka një grup cilësor, 4-5 lojtarë me shumë eksperiencë dhe të ndërthurur mirë me elementin e ri. Golat? Kam shënuar 7 deri tani, por premtoj se do të vazhdoj me këtë ecuri, duke ndihmuar skuadrën drejt objektivave që kemi. Nuk na intereson se çfarë bëjnë kundërshtarët, e rëndësishme është që të fitojmë ndeshjet tona. Për momentin mendoj se jemi brenda objektivave”, – përfundoi sulmuesi.
LEONIDHA MUSAJ





www.minuta90.com