VOLEJBOLL/ Trofetë e 2023-shit në sportin e rrjetës, Partizani dhe Tirana rrëmbyen titujt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 17:23

VOLEJBOLL/ Trofetë e 2023-shit në sportin e rrjetës, Partizani dhe Tirana rrëmbyen titujt

Mes aktiviteteve kombëtare dhe mbarëkombëtare, volejbolli shqiptar mbylli një vit me 5 kompeticione për femra dhe meshkuj. Një vit kalendarik, në të cilin u dhuruan trofetë, duke nisur nga më të rëndësishmit si kampionatet kombëtare, deri tek aktivitetet e përbashkëta me Kosovën, te Liga Gjergj Kastrioti apo Kupa Pavarësia.

WhatsApp Image 2023-12-29 at 3.12.14 PM

Kurora e kampioneve shkoi për vajzat e Partizanit, ndërsa një vit fantastik ka rezultuar edhe për Skënderbeun, me 3 trofe të fituar. Në radhët e meshkujve, Tirana u konfirmua absolute për të dytin vit radhazi, duke fituar të gjitha kompeticionet kombëtare në Shqipëri. Në 2023-shin festoi edhe Erzeni, me shijakasit që triumfuan në Ligën Gjergj Kastrioti.

FEMRA – Trofeu më i rëndësishëm te vajzat, kampionati kombëtar, u fitua nga skuadra e Partizanit. Ky ishte titulli i pestë në histori për të kuqet dhe i katërti në pesë edicionet e fundit. Partizani triumfoi me rezultatin 3-2 me ndeshje pas një serie spektakolare finalesh kundër Skënderbeut, takime që dhuruan emocione, duke mbushur pallatet e sportit, jo vetëm në Korçë që tashmë nuk përbën më lajm, por edhe në Tiranë. Ndonëse nuk mundi të konfirmohej kampion, viti 2023 ishte tepër pozitiv për Skënderbeun. Korçaret e Orlando Kojës fituan 3 trofe, Kupën e Shqipërisë, Kupën e FSHV-së si dhe mbrojtën kurorën në Ligën Gjergj Kastrioti. Ndërkohë, Kupa Pavarësia e vitit 2023 shkoi në favor të skuadrës kosovare, Drita.

MESHKUJ – Bardheblutë e Arben Sakos për të dytin vit radhazi dominuan tërësisht sportin e rrjetës në Shqipëri. Titulli i 11-të në histori për Tiranën kishte një shije të veçantë, pasi erdhi në finalet derbi kundër Partizanit. Bardheblutë triumfuan 3-1 me ndeshje, në një seri mjaft të bukur finalesh, që e argëtuan jo pak publikun. Rivaliteti ishte shumë i lartë, por Tirana tregoi diçka më tepër në parket, duke merituar titullin. Gjithashtu gjatë 2023-shit bardheblutë “gllabëruan” edhe Kupën e Shqipërisë si dhe Kupën e FSHV-së, për të kompletuar tripletën kombëtare.

WhatsApp Image 2023-12-29 at 3.12.14 PM (1)

Kupa e Ligës Gjergj Kastrioti shkoi në Shijak, teksa Erzeni iu gëzua triumfit në evenimentin mbarëkombëtar. Shijakasit bindën në të gjitha ndeshjet e tyre në eventin mbarëkombëtar, duke e finalizuar me ngritjen e trofeut. Ndërkohë, Kupa e Pavarësisë në radhët e meshkujve, eveniment i mbajtur një muaj më parë në Kosovë, u fitua nga skuadra e Pejës.

fghhghfghfh

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"