Volejboll / Erzeni merr lojtarë nga Studenti e Partizani, Sako: Ua lashë ca, që të ekzistojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2017 | 14:30

Volejboll / Erzeni merr lojtarë nga Studenti e Partizani, Sako: Ua lashë ca, që të ekzistojnë

Garës për titullin kampion në volejbollin e meshkujve i shtohet këtë edicion edhe skuadra e Erzenit. Sinjali i parë ishte besimi që i dha presidenca shijakase trajnerit të mirënjohur Arben Sako, ish-i i Studentit dhe së fundmi përforcimi me jo pak, por plot pesë lojtarë që ka bërë kjo skuadër me histori në volejbollin shqiptar ndër vite.

erzeni studenti volejboll meshkuj

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, tekniku kryeqytetas u shpreh optimist për aventurën, teksa ka marrë me vete edhe lojtarë që i kishte nën urdhrat e tij një sezon më parë. “Deri tani stërvitja ka shkuar shumë mirë. Po bëjmë çmos për të krijuar të gjitha kushtet. Së fundmi kemi ardhur nga Kosova, ku zhvilluam një fazë përgatitore 10-ditore.

Objektivi? Me elementët që kam në dispozicion dhe me stërvitjen që po bëjmë, them se skuadra do të jetë në katërshen më të mirë të kampionatit shqiptar. Objektivat e Erzenit janë të qarta tani. Me përforcimet që ka bërë në merkaton e verës, me stafin dhe me punën e mirë që po bën bashkia dhe, në mënyrë të veçantë, kryetari i bashkisë duke krijuar kushte shumë të mira të stërvitjes, pretendimet janë mëdha për këtë edicion”, u shpreh Sako.

Java e parë që nis më 30 shtator do të shohë përballë trajnerit Sako pikërisht ish-ekipin e tij, Studenti. “Më bëhet qejfi që shorti ka përcaktuar në javën e parë përballjen me ish-skuadrën time. Do ta vlerësoj shumë drejt dhe po kaq seriozisht. Sa u përket përforcimeve, përveç grupit të një sezoni më parë, kemi afruar edhe pesë lojtarë të tjerë.

arben sako

Adri Arapi, Asmend Kula (qendrën e kombëtares), libero Kristi Bërdufi, Ani Çullhaj dhe Andi Lundrën. Studentit nuk ia mora të gjitha, lashë edhe disa që të ekzistojë edhe Studenti si ekip. Ndërsa nga ekipi i vjetshëm i Erzenit është ruajtur bërthama me disa ndryshime të vogla.

Pjesë e stafit teknik është ish-trajneri i vjetshëm Rezart Muka”, deklaroi trajneri Sako. Kësisoj, veç kryeqytetit dhe kampionëve në fuqi të Vllaznisë, edhe Erzeni hedh kandidaturën për të shpresuar te trofetë sezonalë, ku pa dyshim më e rëndësishmja është titulli kampion.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"