VOLEJ MESHKUJ/ Partizani shkëputet në krye, Tirana i tregon forcën Erzenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2024 | 10:23

VOLEJ MESHKUJ/ Partizani shkëputet në krye, Tirana i tregon forcën Erzenit

Superliga e volejbollit të meshkujve ka luajtur mbrëmjen e djeshme dy ndeshje të vlefshme për javën e tetë, me sportin e rrjetës që ka nisur kështu fazën e dytë.

partizani volej meshkuj

Partizani bëri detyrën në shtëpi ndaj Teutës së vendit të fundit, duke triumfuar pastër kryeqytet. Sukses me shifra të pastra në shtëpi edhe për Tiranën, që fitoi kryendeshjen e javës ndaj Erzenit.

PARTIZANI-TEUTA – Të kuqtë e Ylli Tomorrit vijojnë ecurinë perfekte në kampionat, teksa dje kundër Teutës regjistruan fitoren e tetë radhazi në po kaq ndeshje të zhvilluara. Partizanin i mjaftuan 78 minuta lojë për të dalë me triumfin e pastër 3-0 në sfidën e luajtur në “Asllan Rusi”. Për sa i përket takimit, durrsakët e filluan mirë, duke krijuar një epërsi në të lehtë në pikët e para, ndërsa seti i parë vijoi me rivalitet deri në barazimin 19-19. Më tej të kuqtë ishin më të saktë në veprimet e tyre, për ta fituar setin 25- 19.

Edhe në setin e dytë loja ishte interesante, me Teutën që arriti ti bënte mjaft mirë ballë nën-kampionëve, madje duke kryesuar në pjesën më të madhe të setit. Por sërish në çastet vendimtare, Partizani ishte më i kthjellët, ndërsa Sabliqi fiksoi shifrat 25-23. Seti i tretë nuk kishte histori, me Partizanin që u tregua dominues në parket që nga fillimi, ndërsa Osmani ishte protagonisti i “match point”-it, duke vulosur setin 25-18 dhe të gjithë ndeshjen 3-0. Në sulmin e kuq shkëlqeu dyshja braziliane, De Souza dhe Coutinho me 18 dhe 10 pikë, ndërsa spikati edhe talenti Raul Sabliqi, autor i 13 pikëve.

TIRANA-ERZENI – Sfida e dytë e luajtur dje vendoste përballë ekipe pretendente, Tiranën dhe Erzenin. Bardheblutë e Arben Sakos nuk falën në “Farie Hoti” duke triumfuar me rezultatin 3-0 në një takim që zgjati 1 orë e 18 minuta. Ndeshja nisi me luftë të fortë sportive nga të dyja kampet, ndërsa pas një epërsie të lehtë të Tiranës, loja mori rrjedhë interesante falë reagimit të miqve me setin që iu drejtua pikëve shtesë. Por pas dy gabimeve radhazi nga shijakasit seti u mbyll 27-25 për kryeqytetasit. Edhe seti i dytë vijoi me rivalitet, ku fillimisht skuadra e Ilia Kojës ishte më e qartë, por kampionët në fuqi reaguan, për tu treguar më pas më të saktë në pikët finale, teksa Sosnin fiksoi shifrat 25-21 për Tiranën.

I ngjashëm ishte edhe seti i tretë, ndërsa në fund kapiteni Ledion Martiro vulosi rezultatin 25-22 dhe triumfin final 3-0 për bardheblutë, të cilët me këtë fitore ngjiten në vend të katërt. Nga ana tjetër Erzeni mbetet i dyti, por sheh t’i largohet me 6 pikë Partizani kryesues. Për sa u përket statistikave individuale, Ledion Martiro me 16 pikë dhe Oforah me 14 udhëhoqën sulmin e Tiranës, ndërsa për shijakasit shënuesi më i mirë ishte afrimi i fundit në merkato, amerikani Cruz, autor i 11 pikëve. Java e tetë do të mbyllet më datë 14 shkurt, me ndeshjen ndërmjet Vllaznisë dhe Skënderbeut në Shkodër. Ndërkohë më datat 9-10 shkurt do të luhen takimet e javës së nëntë, teksa do të kemi këto përballje: Elbasani-Partizani, Teuta-Tirana, Erzeni-Skënderbeu dhe Studenti-Vllaznia.

GFDH

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"