Vllaznia përgjysmon rrogat për 9 lojtarë, bindet vetëm Sherri. Titullarët pezull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2018 | 17:02

Vllaznia përgjysmon rrogat për 9 lojtarë, bindet vetëm Sherri. Titullarët pezull

Vjen takimi i shumëpritur mes titullarëve dhe drejtuesve të klubit. Pikërisht dje, administratori Suad Lici ka thirrur në zyrë që të gjithë lojtarët që mbyllën sezonin e shkuar. Burime të sigurta për gazetën njoftojnë se shkodranët janë ulur me radhë në tavolinë për të diskutuar rishikimin e kontratave. Takimet nisën me kapitenin Gilman Lika dhe kanë vazhduar me Alsid Tafilin, Olsi Gocajn, Ardit Krymin, Florind Bardullën, Erind Selimajn, Antonio Markun, Alen Sherrin apo Erdenis Gurishtën.

vllaznia

Kërkesa e klubit ka qenë e njëjtë për të gjithë, përgjysmim page. Në ndryshim nga edicioni i fundit, kur skuadra ra nga kategoria, Vllaznia ka vendosur që pagat të jenë afro 50 për qind më të ulëta. Jo të gjithë kanë mbetur të kënaqur nga ky propozim, e për këtë motiv nuk ka pasur as akord. Megjithatë, mes 9 emrave të përmendur më sipër mund të konfirmohet zyrtarisht si lojtari i shkodranëve, portieri Sherri, i cili ka gjetur akordin për dy vitet e ardhshme. Shumë pranë është edhe Gurishta, megjithatë ende nuk mund të flasim për marrëveshje definitive. Pjesa tjetër nuk ka thënë “po”, ndaj në mungesë të një akordi, kanë lënë një tjetër takim, me shpresën që të ketë ndonjë rritje edhe në rrogë. Ndoshta dita e sotme do të jetë përcaktuese për të diskutuar detajet e fundit të kontratës. Dhe duhet thënë që më shumë nuk mund të zgjatet, merkatoja po shkon drejt mbylljes dhe nga ana tjetër trajneri Hasan Lika do që ta dijë me siguri nëse do i ketë apo jo në planet e ekipit këta futbollistë.

KONFIRMIMI

Alsid Tafili konfirmon se ende nuk është gjetur akordi final me drejtuesit e klubit. Në një bisedë për “Panorama Sport”, mesfushori shkodran evidenton se ekziston vullneti për një marrëveshje, që ndoshta mund të arrihet në takimin e radhës. “Ende nuk kemi gjetur akordin me drejtuesit e klubit, konkretisht administratorin Lici. Do të kemi serish bisedime për këtë gjë. Po shikojmë të dyja palët që të gjejmë gjuhën e përbashkët”, theksoi Tafili, i cili foli në emër të pjesës dërrmuese të futbollistëve. Se si do të shkojë kjo çështje, mendohet që vetëm sot ose maksimumin nesër, të marrë një përgjigje konkrete.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"