Vllaznia është super e karikuar për të mundur Partizanin/ Gurishta apel tifozëve, klubi ul çmimet e biletave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2022 | 21:45

Vllaznia është super e karikuar për të mundur Partizanin/ Gurishta apel tifozëve, klubi ul çmimet e biletave

Vllaznia është super e karikuar për të mundur Partizanin nesër në orën 17:45 në “Loro Boriçi”. Ndeshja e kthimit gjysmëfinale për Kupën e Shqipërisë vjen në një moment kritik për klubin shkodran, që në kampionat po kalon një krizë, ku prej gjashtë ndeshjesh nuk fiton, ndërsa një eliminim i mundshëm në Kupë mund të hidhte në erë sezonin.

GURISHTA

Kapiteni Erdenis Gurishta, i cili mungon prej një muaji për shkak dëmtimi, ka kërkuar përmes një thirrjeje publike mbështetjen e tifozëve shkodranë në këtë ndeshje delikate.

“Çdo kritikë dhe pakënaqësi ndaj ndesh ka vend, por të mërkurën kemi nevojë për ju. Ju e keni treguar që edhe në momentet më të vështira keni qenë aty. Me ju jemi më të fortë, me ju ia dalim”, shkruan kapiteni i Vllaznisë.

KLUBI – Para kësaj ndeshjeje, duket se nuk është vetëm kapiteni Gurishta që ka përcjellë një mesazh për tifozët dhe u bën thirrje që të jenë sa më të shumtë në stadium. Më në fund edhe klubi e ka kuptuar se ka edhe një tjetër mënyrë për të afruar sa më shumë tifozë në stadium. Dje klubi shkodran ka bërë me dije çmimet e biletave për tifozërinë kuqeblu, duke ulur ato në tribunat D, C dhe E. Vetëm në tribunat A dhe B biletat nuk kanë asnjë lëvizje në çmim nga ato të takimeve të tjera. Drejtuesit, me sa duket, nuk kanë menduar vetëm për tifozërinë e tyre, por edhe atë të Partizanit, pasi kostot e shpenzimeve të udhëtimit ua lehtëson disi me çmimin e biletës, që është vetëm 100 lekë. Ndërkohë, hyrja për femrat do të jetë e lirë.

A.URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"