VIDEO/ Në Korçë ndodh gjithçka, Skënderbeu mund Partizanin dhe konfirmohet pretendent për “Final Four”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 0:10

VIDEO/ Në Korçë ndodh gjithçka, Skënderbeu mund Partizanin dhe konfirmohet pretendent për “Final Four”

Skënderbeu ka siguruar sot një fitore shumë të rëndësishme përballë Partizanit në ndeshjen e javës së 25-të në Superiore.

WhatsApp Image 2024-02-25 at 5.00.51 PM

Korçarët bënë gjithçka mirë ne pjesën e parë, duke kontrolluar lojën e duke filluar të krijonin raste para portës së Hoxhës, derisa gjetën golin e avantazhit me penalltinë e Liços. Më pas ata u mbrojtën me shumë kujdes duke administruar avantazhin ndaj “demave” të cilëve iu deshën shumë minuta për t’u zgjuar dhe për të prodhuar gjuajtje në portë.

Kampionët në fuqi u përpoqën deri në fund që të realizonin golin e barazimit, por nuk ia dolën, në një sfidë që u tensionua dhe bëri që të dy ekipet ta mbyllnin me 10 lojtarë.

Me këtë fitore, Skënderbeu i bashkohet përsëri grupit të skuadrave me ambicie për katërshen e parë, ndërsa Partizani vazhdon të shfaqë paraqitje pa ngjyrë dhe tani rrezikon vendin e dytë në klasifikim.

SKËNDERBEU-PARTIZANI 1-0
38’ (p) Liço

KK: 88′ Janaqi / 88′ Rrapaj

NGJARJET KRYESORE

90’+7’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Skënderbeut dhe me tension, pasi portieri Alia ndëshkohet me të verdhë pas një përplasje me Buxhelajn.

90’ Jepen 6 minuta shtesë.

90’ Rashica i lë vendin Kabrel te vendasit, ndërsa Birçaj merr vendin e Sotës te miqtë.

87’ Janaqi shkakton faull ndaj Rrapajt, ky i fundit reagon duke u munduar të godasë kundërshtarin e shkaktuar momente tensioni në fushë. Gjyqtari Lata fillimisht i tregon të verdhin Hadrojt, më pas u jep dy lojtarëve të mësipërm kartonin e kuq. (VIDEO) (VIDEO) (VIDEO)

85’ Vangjeli nga e djathta nis Rashicën drejt portës dhe ky i fundit mposht Hoxhën. Por goli bëhet i pavlefshëm për një pozicion jashtë loje. (VIDEO)

83’ Atanaskoski i lë vendin në fushë Prekës, i cili rreshtohet në sulm dhe jo në mbrojtje.

81’ Rashica rrezikon me një goditje ndaj Sembene, gjyqtari nuk jep ndëshkim për sulmuesin. (VIDEO)

77’ Rrapaj provon me një gjuajtje nga distanca, sfera përfundon jashtë ngjitur me shtyllën e portës korçare. (VIDEO)

75’ Prej shumë minutash është Partizani në kontroll të plotë të lojës, duke lëshuar harkime radhazi në zonë në kërkim të një goli.

72’ Merlim i lë vendin në fushë Likës në radhët e skuadrës korçare.

68′ Rrapaj gjen Bintsuka në të djathtën, ai ul topin në qendër ku Prençi me vështirësi e devijon jashtë. (VIDEO)

65’ Protesta të të kuqve pas një goditje këndi, pasi kërkojnë penallti për prekje topi me dorë. Lata ndëshkon me të verdhë Mehmetin për protesta. (VIDEO)

64’ Mba merr topin në qendër dhe rrotullohet e gjuan, por sfera devijohet jashtë. (VIDEO)

62’ Dumfur merr vendin e Nikajt në fushën e lojës për vendasit.

60’ Vjen rasti i parë i rrezikshëm i Partizanit për këtë ndeshje. Hadroj nga e djathta gjuan por gjen përgjigjen e Alias. Aksioni vazhdon dhe vjen një harkim në qendër për Mba i cili gjuan me kokë, teksa detyron portierin të devijojë sferën mbi traversë. (VIDEO)

58’ Qarkullim i gjatë i topit i Skënderbeut, i cili tashmë ka filluar të administrojë minutat.

52’ Bintsuka në zonë pason për Mba, por ky i fundit vonohet dhe nuk ia del të gjuajë drejt portës, i bllokuar nga mbrojtësit e skuadrës vendase.

50’ Rashica merr topin në një pozicion të mirë në të majtën, gjuajtja e tij nuk gjen katërkëndorin e Hoxhës. (VIDEO)

49’ Nikaj arrin fundoren në të majtën, pasimi i tij në qendër devijohet dhe përfundon në duart e Hoxhës.

46’ Pjesa e dytë nis me zëvendësim te Partizani, ku Taipi merr vendin e Muratajt.

45’+4’ Mbyllet me avantazhin 1-0 të Skënderbeut pjesa e parë e ndeshjes.

45′ Jepen 3 minuta shtesë.

42’ Rashica kalon Sembene në të djathtën, pason për Merlim i cili kalon sferën te Nikaj, por Buxhelaj vjen dhe largon sferën në momentin kur sulmuesi po përgatitej të gjuante në portë. (VIDEO)

40’ Mundësi e artë e Merlim për të shënuar, por gjuajtja e tij nuk gjen portën e Hoxhës. (VIDEO)

38’ GOOOL SKËNDERBEU! Shënon Liço me penallti. (VIDEO)

36’ Penallti për Skënderbeun! Rashica harkon në zonë dhe Sembene me dorë devijon topin në mënyrë të dukshme. Gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë. (VIDEO)

32’ Nikaj niset në një kundërsulm të shpejtë, Sota shkakton faull ndaj tij dhe merr karton të verdhë. (VIDEO)

31’ Bintsuka nga e djathta harkon në zonë për Mba, ky i fundit nuk gjen dot kontaktin me topin.

29’ Liço mundohet të nisë Rashicën drejt portës, Hoxha del dhe mbërthen sferën.

26’ Asnjë hapësirë për gjuajtje në portë në këto minuta, me skuadrat që bëjnë shumë luftë në mesfushë.

20’ Atanaskoski lëshon një harkim të rrezikshëm në zonë, Prençi e ul keq dhe Buxhelaj mund të përfitonte por shfaqet aty Ramos i cili largon sferën. (VIDEO)

15’ Ka protesta në tribuna pas vendimeve të gjyqtarit Lata që nuk akordon faulle në favor të vendasve. Ndërpritet për pak çaste ndeshja me Liçon i cili shkon të qetësojë mbështetësit korçarë. (VIDEO)

14’ Mensah nuk mund të vazhdojë më dhe në fushë futet Bintsuka.

10’-11’ Probleme për Mensah, i cili kërkon ndihmën e stafit mjekësor të Partizanit pas një problemi në gju.

6’ Shumë vëmendje nga të dy skuadrat, të cilat nuk lejojnë hapësira për të rrezikuar për kundërshtarët.

2’ Ndeshja është e ndalur për pak çaste pas një faulli të Mba n  sulm ndaj Vangjelit.

1’ Nis dueli në Korçë.

FORMACIONET ZYRTARE

Skënderbeu: Alia, Ramos. Prençi, Rabiu, Vangjeli, Janaqi, Merlim, Gërco, Liço, Rashica. Nikaj.
Trajner: Ivan Gvozdenoviç

Partizani: Hoxha, Atanaskoski, Buxhelaj, Sota, Sembene, Hadroj, Mehmeti, Murataj, Rrapaj,  Mensah, Mba.
Trajner: Orges Shehi

WhatsApp Image 2024-02-25 at 1.14.35 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"