VIDEO/ Mjafton goli i kapitenit Arapi, Teuta eliminon Vllazninë dhe shkon në gjysmëfinalen e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 23:03

VIDEO/ Mjafton goli i kapitenit Arapi, Teuta eliminon Vllazninë dhe shkon në gjysmëfinalen e Kupës

 

Teuta likuidon Vllazn inë dhe shkon në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Pas barazimit dramatik në “Loro Boriçi” në shifrat 2-2, dje fituan 1-0 në “Niko Dovana”. Ishte një ndeshje e dominuar tërësisht prej vendësve, e megjithatë qetësinë e solli ai gol i Renato Arapit çerek ore para fundit. Një penallti e humbur dhe raste të shumta të shpërdoruara, futën jo pak në siklet “djemtë e detit”. Shkodranët ishin totalisht pa ide dhe të mefshtë në sulm, aq sa për 94 minuta lojë nuk e goditën një herë siç duhet kuadratin. Kuqebluve iu bë gjithçka më e vështirë pas të 47-ës minutë, kur u doli me të kuq edhe Dajan Shehi.bandicam-2020-06-24-18-04-10-508

PJESA E PARË

Loja nis thuajse me penallti. Pas kontrollit të dendur të topit në mesfushë, sapo hyn e 8-ta minutë një faull i Repajt ndaj Hebajt sjell penallti. Kryesori nuk ka dyshime dhe akordon penallti. E merr përsipër Kallaku, por e djathta e tij grushtohet në mënyrë fantastike prej portierit Sherri. Teuta është e karikuar dhe e do golin me çdo kusht. Në të 15- ën i sfumohet një superaksion me pasime të shkurta mes Hebajt dhe Kallakut, pas shënjestrës së gabuar të numrit 10. Pak sekonda më tutje është sërish mesfushori që nuk e gjen kuadratin, pas topit të marrë nga E.Vila. Krijohet iluzioni i golit në të 20-ën, por ajo gjuajtje e Hebajt u ndal në vijën fatale prej Adilit. Vllaznisë i dëmtohet Kruja dhe detyrohet që të fusë Gurishtën në të 42-ën, ndërsa pak para se të mbyllej kjo pjesë bën një tentativë të dëshpëruar me Shtubinën.

PJESA E DYTË

Është pikërisht Shtubina që rri në dhomat e zhveshjes dhe i jep vendin Gligorovit, e megjithatë sapo hyn e 47-ta mbeten në inferioritet numerik. Shehi mban prej bluze L.Vilën dhe arbitri nuk i kursen të kuqin dhe akordon faull në kufijtë e 16-ës. Kallaku e gjuan, por Sherri grushton. Minutat pasuese kanë për protagonist Lorenco Vilën, që një herë gjuan vetë dhe më vonë shërben për Emiljanon (djalin e xhaxhait), por në të dyja rastet ishin Gurishta me Sherrin që bënë “bllokadë”. Kur hyn e 76-ta minutë vjen edhe goli, pas një mori tentativash.

Kallaku driblon bukur Lekajn pranë shtyllës së parë dhe e zhvendos lojën tek e dyta. Repajt i përplaset topi në këmbë dhe e çon tek Arapi, që me një të majtë me shumë finesë e shtyn dhe zhbllokon rezultatin. 1-0 dhe Teutën merr frymë lirshëm. Pjesa e mbetur sjell disa veprime të bukura të Kallakut, por pa rezultat. Mesfushori ishte zyrtarisht i pafat dje, pasi rrjetën nuk e gjeti kurrë. Durrsakët zhysin në krizë shkodranët dhe tashmë nuk i mbetet tjetër veçse të presin se çfarë do i rezervojë shorti për gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.

FT: TEUTA- VLLAZNIA 1-0

Arapi 76′

KOMENTI LIVE:

8-9′ Hebaj futet në zonë dhe në momentin që ndien një dorë të Repajt në shpatull, humb kontrollin dhe rrëzohet. Kryesori nuk ka dyshime dhe akordon penallti. E merr përsipër Kallaku, por e djathta e tij grushtohet në mënyrë fantastike prej portierit Sherri.

15′ Superaksion i Teutës me pasime të shkurtra mes Hebajt dhe Kallakut, ky i fundit e stopon topin me të majtën dhe gjuan në rrëzim e sipër me të djathtën, por shënjestra nuk është e duhura.

16′ E.Vila shërben për Kallakun, por e majta e mesfushorit shkon jashtë kuadratit.

20′ Aleksi-Kallaku-Todorovski kombinohen bukur mes tyre dhe nxjerrin të lirë Hebajn. Shkodrani futet mes dy kundërshtarëve, kalon edhe Shehin dhe gjuan me të majtën. Krijohet iluzioni i golit, por Adili ndërhyn në vijën fatale dhe e lë rrjetën të paprekur.

30′ Situatë kaotike në zonën e Vllaznisë, shpëtojnë përsëri shkodranët, Adili për pak sa nuk shkakton autogol.

44′ Vllaznia kërkon të surprizojë me një kundërsulm, por Shtubina nuk shërben siç duhet me kokë, duke i dorëzuar topin portierit Frashëri.

47′ Starton pjesa e dytë. Vllaznia me 10 lojtarë. Dajan Shehi ndëshkohet me karton të kuq pas një tërheqje ndaj fanellës së Lorenco Vilës në hyrje të zonës, i cili ishte dhe lojtari i fundit.

49′ Ka goditje dënimi në zonën e 16 metrave dhe është Kallaku që e ekzekuton me të djathtën, por Sherri i bëhet makth dhe e grushton.

53′ L.Vila shmang Adilin dhe gjuan, por është Gurishta që ndërhyn në kohë dhe spastron zonën.

55′ Teuta shënon me Emiliano Vilën, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.

68′ Lorenco Vila shërben për Emiljano Vilën dhe ky i fundit provon me të majtën, por është Gurishta e më pas Sherri që largojnë rrezikun.

76′ Kallaku driblon bukur Lekajn pranë shtyllës së parë dhe e zhvendos lojën tek e dyta. Repajt i përplaset topi në këmbë dhe e çon tek Arapi, që me një të majtë me shumë finesë e shtyn dhe shënon. 1-0 për Teutën.

87′ Kallaku dhuron spektakël brenda zonës, por gjuajtja ndalet prej Sherrit.

Përfundon takimi. 

TEUTA: Frashëri, Arapi, Hoxha, Kuro (L.Beqja 80′), Todorovski (Hreljiç 80′), Avdyli (Kalaja 87′), Aleski, E.Vila (Kapllani 87′), Kallaku, L.Vila, Hebaj (Gruda 76′); (Në dispozicion: Celeski, L.Beqja, Jazxhi, Salillari). Trajner: Edi Martini

VLLAZNIA: Sherri, Adili, Lekaj, Shehi, Repaj, Krymi, Bardulla, Kruja (Gurishta 42′), Lika (Sidorenko 64′), Shtubina (Gligorov 46′), Zhunior (Zogaj 64′); (Në dispozicion: Efremov, Cojocaru, Mali). Trajner: Hysen Dedja

Kartonë të verdhë: Hoxha 58′, Avdyli 80’/ Shehi 20′

KARTON I KUQ: Shehi 47′

VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)

DELEGAT: Lysien Nurishmi (Tiranë)

GJYQTARET: E.Hamiti, R.Çokaj (Lezhë), I.Tartari (Fier)

 

 

Formacionet zyrtare

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"