Video / Dritëhije për Tiranën në Europë. Mundet, por të rinjtë japin shpresë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2017 | 20:44

Video / Dritëhije për Tiranën në Europë. Mundet, por të rinjtë japin shpresë

Tirana është mundur sot 2-0 në ndeshjen e parë të Ligës së Europës në fushën e Makabi Tel-Aviv, një rezultat mëse i pranueshëm po të përllogaritet se bardheblutë kanë filluar përgatitjet vetëm 10 ditë më parë me një trajner të ri dhe me ekip të përgjysmuar.

tirana makabi berisha

Tirana është mundur sot 2-0 në ndeshjen e parë të Ligës së Europës në fushën e Makabi Tel-Aviv, një rezultat mëse i pranueshëm po të përllogaritet se bardheblutë kanë filluar përgatitjet vetëm 10 ditë më parë me një trajner të ri dhe me ekip të përgjysmuar.

Ze Maria konfirmoi pritshmërinë, duke hedhur një formacion shumë mbrojtës, me risinë Berisha në të majtë dhe Dokën në të djathtë të mesfushës. Sigurisht, iniciativa ishte e gjitha e vendasve në këtë ndeshje, me Tiranën e fokusuar vetëm të mos pësonte dhe të sulmonte nëse do të ishte e mundur nëpërmjet kundërzbritjeve të shpejta.

tirana makabi

Dukej se plani i trajnerit brazilian po funksiononte, por për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes mendoi Kohen, i cili shënoi me një gjuajtje nga jashtë zonës, të pakapshme për Likën, duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Kjo i dha mundësinë Makabit të ishte më i qetë në lojën e vet dhe ndonëse krijoi raste, priti momentin e duhur për të goditur përsëri. Ai erdhi në minutën e 64-t, kur pas një vendosje të gabuar të qendrës së mbrojtjes bardheblu, Dasa dyfishoi shifrat për vendasit.

Më pas, izraelitët administruan avantazhin duke menduar më shumë për ndeshjen e dytë, ndërsa Tirana bëri disa përpjekje të vakëta për të dalë nga kjo transfertë me një gol të vlefshëm në fushën kundërshtare,.

Por edhe humbja 2-0 në një aspekt mund të cilësohet pozitive për bardheblutë, pasi të rinjtë e shumtë në formacion treguan karakter dhe se kanë të ardhme, duke i bërë ballë mjaft mirë një prej skuadrave më të njohura të futbollit izraelit.

MINUTË PAS MINUTE

90’+1’ Mbyllet ndeshja me humbjen 2-0 të Tiranës në transfertë.

89’ Merveil nxjerr topin me thembër për Karabecin i cili gjuan nga jashtë zonës. Sfera përfundon jashtë ngjitur me shtyllën në të majtë të portierit Rajkoviç, i cili kritikon shokët e skuadrës që i dhanë këtë mundësi mesfushorit shqiptar.

86’ Davidzada arrin në fundore në krahun e majtë dhe duke përfituar nga një tjetër pozicionim i gabuar në qendër i Tiranës, pason saktë për Kohen. Por sulmuesi nuk koordinohet siç duhet dhe gjuajtja e tij ne qendër të zonës, përfundon mbi traversë. Shpëton porta bardheblu.

80’ I riu Qilimi provon dy herë të krijojë rrezikshmëri, i pozicionuar në krahun e djathtë të mesfushës. Ai arrin ët marrë fundoren, por pasimet e tij në qendër nuk janë të sakta.

76’ Një tjetër i ri në radhët e bardhebluve. Kërçiku largohet nga fusha e lojës për t’i bërë vend Qilimit.

67’ Ze Maria vendos të ndryshojë diçka në lojë, duke kthyer në stol Berishën, për t’i dhënë disa minuta edhe Deliajt.

64’ Në momentin kur Tirana dukej se kishte gjithçka nën kontroll, vjen edhe gabimi që sjell golin e dytë për vendasit. Mbrojtja bardheblu nuk largon pasimin në qendër nga e majta e sulmit të Makabit dhe Dasa me shpejtësi dërgon topin në portën e Likës. 2-0

53’ Kjartanson nuk arrin të gjejë kuadratin me një gjuajtje me kokë pas një goditje nga këndi.

50’ Kohen mbetet lojtari më i rrezikshëm i izraelitëve. Pasi kalon topin mbi kokën e Kërçikut, autori i golit të avantazhit provon me një diagonale në hyrje të zonës, por këtë radhë nuk ka shënjestrën e duhur.

46’ Rifillon pjesa e dytë, pa ndryshime në radhët e të dy skuadrave.

ze maria

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes.

44’ Kombinim mes Berishës, Merveil dhe Hoxhallarit. Pasimi i këtij të fundit nuk kuptohet nga mesfushori kongolez i cili shpërdoron një mundësi për të rrezikuar portën kundërshtare, ndërsa Rajkoviç kontrollon i qetë.

tirana makabi berisha

41’ Goditje dënimi e rrezikshëm e izraelitëve nga e majta, por Lika grushton topin duke i paraprirë gjuajtjes së Kjartanson.

38’ Davidzada kombinon me Kohen dhe arrin në fundore nga e majta, por harkimi i tij në qendër kontrollohet nga Lika.

36’ Tirana ka mundësinë të rrezikojë me një rrezikojë me një skemë pas një goditje nga këndi por janë katër lojtarë bardheblu që përfundojnë në pozicion jashtë loje ndërsa Ze Maria duket i shqetësuar se skuadra nuk po bën lëvizjet e duhura në sulm.

29’ Kjartanson përfiton nga pasiguria e këtyre minutave për Tiranën duke gjetur hapësirën për të gjuajtur, por këtë radhë Lika është i vëmendshëm dhe kontrollon gjithçka.

27’ Vjen goli i vendasve. Pas një aksioni me kombinime të izraelitëve, topi shkon te Kohen, i cili gjuan nga jashtë zonës dhe arrin të kalojë sferën pas krahëve të Likës. 1-0

25’ Duke mos gjetur hapësira në zonë, Atzili provon me një gjuajtje nga distanca, por ajo është e  gabuar dhe përfundon jashtë, shumë larg shtyllës në të majtë të Likës.

22’ Kohen hyn në zonë në krahun e majtë të sulmit, por Kërcciku dhe Turtulli arrijnë të koordinohen për të larguar rrezikun, duke mos e lënë të gjuajë.

17’ Doka kthen një top për Kërçikun, mbrojtësi hedh një kros të gjatë në zonë për Berishën, por gjuajtja e të riut është e dobët dhe nuk e rrezikon Rajkoviçin.

14’ Kjartanson avancon në zonë dhe gjuan fluturimthi, megjithatë I.Lika kontrollon i sigurt topin.

9’ Golasa provon me një tjetër gjuajtje drejt portës, por pa rrezikuar katërkëndorin e Likës.

7’ Sentamu nuk arrin të përfitojë nga një top i gjatë nga prapavija për të kaluar portierin kundërshtar, i cili del nga zona e tij dhe largon sferën, duke fituar edhe një faull ndaj sulmuesit debutues të Tiranës.

5’ Aksion nga e djathta e skuadrës izraelite. Topi në qendër ku Azulai nuk arrin të godasë si duhet edhe pse i harruar i vetëm nga mbrojtja bardheblu, me sferën që largohet nga Domgjoni.

1’ Tirana luan topin e parë nga qendra.

Makabi T.Aviv-Tirana 2-0

27′ Kohen, 64′ Dasa

Makabi T. Aviv: Rajkoviç, Dasa, Ben Haim, Tibi, Davidzada, Golasa (65′ Geretz), Jeini, Azulai, Atzili (72′ Itzhaki), Kjartanson (78′ Shonfeld), Kohen.

Trajner: Zhordi Krujf

Tirana: Lika, Kërçiku (76′ Qilimi), Domgjoni, Turtulli, Hoxhallari, Doka, Akuah, Karabeci, Berisha (67′ Deliaj), Merveil, Sentamu.

Trajner: Ze Maria

KV: Kërçiku, Akuah, Sentamu

Gjyqtar: Tihomir Pejin (Kroaci)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"