Vëzhgimi/ Skënderbeu-Kukësi, kur milionat bëjnë diferencën edhe në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 16:13

Vëzhgimi/ Skënderbeu-Kukësi, kur milionat bëjnë diferencën edhe në stol

Diferencat në kam pionatin shqiptar janë të vogla dhe këtë e kanë konfirmuar rezultatet që kanë prodhuar ndeshjet e këtij sezoni, por jo vetëm. E megjithatë, kur bëhet fjalë për klube si Skënderbeu, me buxhete sezonale mbi një milion euro (vetëm për rrogat e 22 lojtarëve), në një moment të caktuar, ndikojnë disa detaje që vërtet bëjnë diferencën.

Kukesi-Skenderbeu

Edhe pse nuk është e thënë që gjithnjë do të fitojë ai që investon më tepër, rasti i fundit i ndeshjes Kukësi-Skënderbeu 1-2, nxori në pah një detaj shumë domethënës sa i përket stolit të dy skuadrave.

Në një vëzhgim të “Panorama Sport”, rezulton se diferencat në paga mes lojtarëve të Skënderbeut dhe Kukësit që ishin ulur të hënën në stol janë realisht të mëdha. Shtatë futbollistët e Skënderbeut: Martin Nespor, Donjet Shkodra, Tefik Osmani, Marko Radas, Suad Sahiti, Nazmi Gripshi dhe Aldo Teqja, i kushtojnë në sezon (10 muaj rroga) klubit të Skënderbeut plot 285 mijë euro.

Skenderbeu-Partizani pagat

Rekordin e mban sulmuesi Nespor, i cili merr një pagë prej 9 mijë eurosh në muaj. Mirëpo, trajneri Daja kishte luksin që të mos e aktivizonte për asnjë minutë çekun kundër Kukësit. Nga 4 mijë euro në muaj marrin lojtarë si Shkodra dhe Osmani. Ky i fundit është një titullar i padiskutueshëm, por ndaj Kukësit nuk luajti për shkak dëmtimi.

nespor

Ndërsa fantazisti i ardhur nga Flamurtari nuk po gjen vend në skemat e Dajës. Në stol ishte edhe Radas, që u aktivizua vetëm në pjesën e dytë, teksa vinte nga një dëmtim. Kroati merr 3500 euro në muaj, një pagë të njëjtë me kosovarin Sahiti, i ardhur gjatë merkatos së verës. Me rroga më të ulëta janë i riu Gripshi (2500 euro) dhe portieri Teqja (2000 euro).

Ndërsa Kukësi, që dy ditë më parë kishte në stol emra si Hair Zeqiri, Ndriçim Shtubina, Simon Rrumbullaku, Bujar Idrizi, Ardit Peposhi, Stivi Frashëri dhe Valon Ethemi, ka një kosto që shkon rreth 145 mijë euro në sezon (gjithnjë duke u bazuar te pagat mujore të këtyre lojtarëve).

zeqiri kukesi

Zeqiri është më i paguari me 3500 euro në muaj, ndërsa më pas vjen Shtubina dhe Rrumbullaku me nga 2500. Mbrojtësi kosovar, Idrizi, i ardhur këtë verë, ka firmosur për 2 mijë euro në muaj. Ndërsa portieri Frashëri dhe mbrojtësi Peposhi marrin afërsisht nga 1500 euro secili. Më pak i paguari është i riu Ethemi, me 1 mijë euro.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"