“Veterani” Ruço: Lushnja meriton më shumë, pika në Vlorë na jep moral për vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 15:09

“Veterani” Ruço: Lushnja meriton më shumë, pika në Vlorë na jep moral për vazhdimësinë

Lushnjarët regjistruan një barazim pa gola në transfertën me Flamurtarin. Ky është barazimi i dytë radhazi në kampionat, për skuadrën e drejtuar nga Gugash Magani. Verdhejeshilët kanë rimarrë vendin e shtatë, por vetëm në sajë të golavarazhit, pasi kanë pikë të barabarta me Burrelin.

ruco magani lushnja

Ndërkohë, distanca me zonën e “play off”-it ka mbetur e konsiderueshme, teksa janë -8 pikë nga Apolonia dhe Korabi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, një nga “veteranët” e verdhejeshilëve, që këtë verë do të mbush 33-vjeç, tha se barazimi në Vlorë ndaj Flamurtarit ka rritur besim në skuadër. “Pavarësisht mungesave që kishim, ekipi u paraqit në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë dhanë maksimumin e tyre.

Me Flamurtarin loja na shkoi shumë mirë. Në futboll duhet të kesh edhe pak fat, që ne nuk na ka ndihmuar shumë në ndeshjet e fundit. Pas dy humbjeve radhazi me Korabin dhe barazimit në derbi, ne kërkuam më të mirën në Vlorë. Morëm një pikë, por patëm tri mundësi në fund për të shënuar. Prandaj, thashë që futbolli do dhe pak fat. Besoj se kjo ndeshje do të na ndihmojë shumë për t’u rritur më shumë e për të na dhënë më shumë besim te vetja në ndeshjet e mbetura. Renditja me skuadrën që kemi, nuk është ajo që ne prisnim.

Besoj se deri në fund do t’i arrijmë objektivat nëse luftojmë si këto dy ndeshjet e fundit. Kemi marrë dy ditë pushim dhe nesër(sot)fillojmë nga puna. Kemi kohë të mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen e radhës me Vorën. Besoj se pas katër javësh do të rikthehemi te fitorja që na mungon, pikërisht nga ndeshja me Vorën e fazës së dytë. Besojmë se do të fitojmë dhe do të shkojmë më pranë objektivave që kemi si ekip”, deklaroi “veterani” i lushnjarëve Ledion Ruço.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"