Vetëm rekorde për Halandin, norvegjezi fiton çmimin më të rëndësishëm individual në Angli: Duam tripletën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2023 | 14:36

Vetëm rekorde për Halandin, norvegjezi fiton çmimin më të rëndësishëm individual në Angli: Duam tripletën

Erling Haland ka pranuar se sezoni i tij i parë në futbollin anglez i ka kaluar pritshmëritë e tij. Sulmuesi i Mançester Sitit mund të shkruajë historinë me klubin e tij dhe fitojë tripletën. Autori i 36 golave në Premier Ligë këtë sezon dhe 52 golave në 51 ndeshje në të gjitha kompeticionet, u votua si lojtari më i mirë i sezonit në Prermier Ligë dhe gjithashtu lojtari më i mirë i sezonit nga gazetarët sportivë britanikë, ndërsa e tërhoqi çmimin e tij mbrëmjen e së enjtes në Londër.

haland

Pasi 22-vjeçari ndihmoi skuadrën e tij që të shpallej kampione për herë të tretë radhazi këtë sezon, fokusi i tij janë dy finalet e fundit, ajo kundër Mançester Junajtidit në Kupën FA në 3 qershor në “Wembley” dhe kundër Interit në Champions një javë më vonë në Stamboll. Nëse do të triumfojnë në të dyja këto ndeshje, atëherë Siti do të barazonte rekordin e Junajtidit, skuadra e vetme angleze e cila ka fituar tripletën në vitin 1999.

“Kanë ngelur edhe dy finale, ne duhet të qëndrojmë të përqendruar, pavarësisht se kemi fituar Premier Ligën. Duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të arrijmë atë që mund të arrijmë në dy finalet e ardhshme. Unë do të bëj gjithçka që mundem për të qenë të suksesshëm në finale dhe shpresojmë që të mund t’i fitojmë të dyja”, tha Haland. Sigurisht që trofeu më i rëndësishëm mbetet ai që Siti nuk e ka fituar kurrë, Liga e Kampioneve dhe në finale duhet të mundin Interin:

“Është diçka pozitive të qenit favoritë kundër tyre, sepse do të thotë që ne kemi cilësi. Ne duhet ta sulmojmë ndeshjen në mënyrën tonë, luajmë futbollin tonë dhe në fund do të shohim se cili do ta fitojë”, tha njeriu që fitoi çmimin me 82% të votave përpara Sakës dhe Odegardit.

“Është një ndjesi e bukur, është një moment special. Unë shpresoja që të bëja gjëra të mira, por nuk prisja që të bëja këtë”. Ai ka thyer rekordin e golave të shënuar gjatë një sezoni në Premier Ligë këtë sezon, me 36 rrjetat e tij, ndërsa Siti siguroi titullin e tretë radhazi kampion dhe të pestin në gjashtë vitet e fundit.

“Rëndësi ka që ti ta marrësh ndeshje pas ndeshjeje, të jesh i sinqertë dhe të fokusohesh tek ajo që mundesh. Mua nuk më pëlqen që të përqendrohem tek e ardhmja apo e shkuara. Më pëlqen që të jetoj momentin dhe do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje, ekzaktësisht ashtu siç Guardiola tha që do të bëjmë dhe ne këtë bëmë. Ne u përqendruam dhe arritëm atë që donim. Në fund është e pabesueshme ajo që bëmë. Duke qenë pas në renditje gjatë gjithë sezonit ne qëndruam të bashkuar. Është një ndjesi e mrekullueshme”, përfundoi Haland.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"