Veliu takon Idrizin, zbardhet biseda, kapiteni sqarohet me administratorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2015 | 13:16

Veliu takon Idrizin, zbardhet biseda, kapiteni sqarohet me administratorin

Veliu me trofeun e Kupes se ShqiperiseFranc Veliu takon administratorin Sinan Idrizi pas polemikave për ndeshjen e shumëpërfolur mes Partizanit dhe Flamurtarit. Ka mjaftuar një bisedë mes tyre dhe në Vlorë duket se janë shkrirë akujt.

Kapiteni ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Idrizin për të sqaruar situatën, në një kohë “Panorama Sport” ka zbardhur një pjesë të diskutimit.

Mbrojtësi vlonjat i ka thënë administratorit se nuk ka shanse që ta shesë fanellën për asnjë arsye, pasi është rritur me ngjyrat kuqezi.

“Unë nuk e shes fanellën për asnjë arsye. Nuk e kam bërë dhe nuk më shkon kurrë ndërmend që ta bëj një gjë të tillë në jetë të jetëve. Derisa të jem pjesë e kësaj skuadre, do t’i shërbej asaj deri në fund. Këtu jam rritur dhe e ndiej thellë në zemër këtë fanellë. Natyrisht që ecuria nuk ka qenë pozitive dhe së fundmi ne kemi pasur më shumë rezultate negative. Duke qenë se jam kapiten, por edhe ndër të paktët lojtarë vlonjatë që jam rregullisht pjesë e formacionit, patjetër që përgjithësia bie edhe mbi mua. Situata besoj se duhet të shikohet në një tjetër këndvështrim. Në ekip kemi edhe lojtarë të rinj e të huaj, të cilët nuk janë përshtatur ende siç duhet. Ndoshta këto janë probleme që ndikojnë. E theksoj edhe një herë që mua më dhimbset ajo fanellë dhe e dua më shumë se të gjithë”, mësohet të ketë thënë Veliu.

Nga ana tjetër, Idrizi ka sqaruar kapitenin se duhet pritur të flasin organet e drejtësisë.

“Unë nuk mund të vendos gishtin tek asnjë lojtar për momentin, pasi po pres të flas drejtësia. Do ta zbardhim këtë çështje, qofsha unë i gabuar. Dua që edhe ju si lojtar të më mbështesni në këtë nismë, që të gjejmë fajtorët, nëse ka dhe të jemi të gatshëm për organet e drejtësisë, duke u distancuar nga këto veprime”, është shprehur administratori.

Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se pak ditë pas ndeshjes me Partizanin, ishte kapiteni Veliu që reagoi në “Facebook”, duke shprehur keqardhje që hidhet baltë mbi djersën, dinjitetin dhe imazhin e çdo lojtari. Gjithsesi, Idrizi theksoi më pas se mbrojtësi duhet të kërkonte falje dhe të shkonte në Prokurori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"