Vagner te Bajerni, e konfirmon edhe Nagelsman: Ka familjen në Mynih

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2017 | 14:45

Vagner te Bajerni, e konfirmon edhe Nagelsman: Ka familjen në Mynih

Gjatë ditës së djeshme, mediat gjermane kanë zbuluar se sulmuesi i skuadrës së Hofenhaimit, Sandro Vagner, u ka kërkuar shefave dhe trajnerit Julian Naglesman të largohet gjatë merkatos së janarit.

nagelsman vagner

Vetë trajneri Nagelsman ka folur lidhur me këtë çështje edhe gjatë konferencës për shtyp në prag të sfidës së javës së 12-të të Bundesligës ndaj Frankfurtit, duke zbuluar se ai ka qenë prej kohësh një nga lojtarët më të kërkuar nga skuadra e Bajernit, lidhur edhe me faktin se bavarezët janë në kërkim të një zëvendësuesi për bomberin polak, Robert Levandovski.

Në konferencën për shtyp, Nagelsman ka thënë se: “Prej disa kohësh, skuadra e Bajernit ka pasur interes të vazhdueshëm te Sandro Vagner dhe gjithashtu jemi të qartë mbi dëshirën që ka edhe vetë sulmuesi. Jemi ende në bisedime me klubin e Bajernit, por nuk mund të them asgjë më shumë deri në momentin e një vendimi final.”

FAMILJA NË MYNIH

Sandro Vagner ka luajtur në ekipin e të rinjve te Bajerni nga viti 1995 deri në 2008, dhe bashkëshortja së bashku me vajzën e tij jetojnë ende në Mynih. Për sulmuesin gjerman, ka qenë gjithmonë një ëndërr të rikthehej në Bavari e të luante për kampionët gjermanë.

Edhe vetë trajneri Nagelsman është i qartë për këtë pjesë ku ka thënë se: “Familja e Vagner jeton prej vitesh në Mynih dhe ai gjithmonë ka pasur dëshirë të jetonte pranë tyre, ndaj jam përpjekur ta vë veten në pozitën e tij dhe e kuptoj për këtë pjesë.”

TAKIMI ME BAVAREZËT

Gjatë ditës së djeshme, sulmuesi gjerman, Sandro Vagner, ka ndjekur nga afër një prej ndeshjeve të ekipit të basketbollit të Bajernit, ku ka qenë i shoqëruar nga disa prej lojtarëve të skuadrës së kampionëve gjermanë. Pranë tij ka qenë Miroslav Klose, ndërsa në anën tjetër Xhoshua Kimish dhe Havi Martinez. Në këtë mënyrë, ai është duke përjetuar edhe ndjesinë e të qenit pjesë e një prej skuadrave më të mëdha të Bundesligës.

MOHOI PREMIER LIGËN

Edhe gjatë javës së kaluar, sulmuesi Sandro Vagner ka deklaruar se të qenit pranë familjes është diçka mjaft e rëndë- sishme për të. Gjatë kësaj deklarate, ai ka sqaruar edhe mbi zërat se ai do të transferohej në Premier Ligë duke thënë se: “Kam një ëndërr shumë të madhe si profesionist, por nuk ka të bëjë aspak me Premier Ligën”. Mesa duket, sulmuesi i Hofenhaimit është i vendosur për të bërë ëndrrën e tij realitet dhe të nënshkruajë për kampionët gjermanë.

VLERA

Sandro Vagner është gjithashtu një nga lojtarët më të rëndësishëm për skuadrën e Hofenhaimit, i cili gjatë këtij sezoni ka arritur të shënojë gjashtë gola në 15 ndeshje të luajtura. Për këtë arsye, skuadra e Hofenhaimit nuk pritet ta lërë të ikë për më pak se dhjetë milionë euro, kjo edhe pasi kontrata e sulmuesit gjerman është e vlefshme deri në vitin 2020. Transferimi i tij do të vijë vetëm nëse Bajerni përmbush kërkesat financiare.

ANTON LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"