Uvil Zajmi: Si i caktonim gjyqtarët në 1997-ën nën grykën e armëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2015 | 21:39

Uvil Zajmi: Si i caktonim gjyqtarët në 1997-ën nën grykën e armëve

uvil arbiter0003INTERVISTË- Viti 1997 ishte ndër më të vështirët për shqiptarët dhe këtu nuk mund të shpëtonin as gjyqtarët e futbollit. Në një periudhë aq të rrezikshme, ishte thuajse e pamundur të gjeje burra që udhëtonin në fusha “të nxehta” dhe më pas t’u kërkoje të vendosnin drejtësi kur armët ishin sheshit.

Uvil Zajmi, ish-arbitër, pastaj drejtues i sektorit në FSHF, anëtar i Komisioneve të Arbitrave në FSHF me mbi 40 vite pranë këtij sektori, rrëfen disa ngjarje pikante të asaj periudhe të errët. Ai pohon se shpeshherë ekipet mike toleronin ndeshjen dhe pranonin humbjen për t’iu shmangur dhunës.

“Njerëz të armatosur të dilnin në rrugë, të urdhëronin dhe të kërcënonin: ‘Ke dy mundësi: ose fitojmë ne, ose… përfundon në spital”. Ish-dezenjatori i gjyqtarëve flet edhe për takimin me “gjeneralin” Nehat Kulla.

Ju keni punuar shumë kohë në sektorin e arbitrimit dhe sot jeni pjesë e tij. Nëse ju pyesim për të kaluarën, çfarë ju vjen ndër mend në këtë moment?

Do ta ndaja atë para viteve ’90 e më pas. Kujtoj shumë figura të rëndësishme, arbitra, drejtues, ndër ta Astrit Zhordën p.sh., që mbulonte arbitrat në FSHF. Pastaj mbledhjet e kolegjiumit të Tiranës që vazhdonin me orë. Ndeshjet në kampionate dhe në veçanti aktivitetet midis shkollave, ndërmarrjeve, nga të cilat seleksionoheshin arbitrat se ishte një test praktik i madh për to që sot nuk ekziston. Pastaj fundjava me ndeshjet, udhëtimet etj.

Për çfarë keni nostalgji në vitet e monizmit?

Më është dhënë mundësia të qëndronim pranë me personalitete të arbitrimit shqiptar. Duke filluar nga R. Kuka, S. Kotherja, R. Pregja, Sh. Gruda, M. Myshku, T. Kalaci etj. Pastaj kam arbitruar me Kotheren, Hoxhën, Priftin e të tjerë. Arbitra me shumë autoritet, ka qenë një rivalitet i madh profesional midis tyre. Janë breza arbitrash, një shkollë e vërtetë do ta quaja.

Për futbollistët e asaj periudhe thonë se ishin të privilegjuar, por arbitrat si ndiheshin?

Pas viteve ’80, arbitrat e kategorisë së parë përfitonin një pagesë minimale prej 125 lekësh për ndeshje dhe një orar të reduktuar, dy herë në javë 5-orëshin që i mundësonte stërvitjen në mesditë. Ishin njerëz të thjeshtë që punonin, familjarë, pa ndonjë privilegj të veçantë. I vetmi privilegj nëse do ta konsiderojmë ishte dalja për të arbitruar jashtë shtetit. Pastaj, kalvari i udhëtimeve, për një ndeshje duheshin dy apo tri ditë udhëtim.

Me çfarë udhëtonin?

Treni ishte aleati kryesor, në veçanti stacionet e famshme të Ballshit, të Gurit të Kuq, të Lushnjës, të Laçit apo ai i Milotit. Por edhe biletaria e udhëtarëve, në Tiranë pranë Vollgës. Në shumë raste, udhëtohej pa bileta, pasi nuk kishte vend në autobusët e pakët. Ose me makina të rastit, madje duke qëndruar sipër në karrocerinë e zbuluar. Apo me motorë Java, tricikël apo autobusët e ekipeve në kthim. Shpeshherë, rruga Vorë-Tiranë apo ajo Ura Vajgurore-Kuçovë bëhej në këmbë, pasi automjeti në mesnatë deri aty të sillte. Pastaj dalja të hënën te stacioni i trenit për të marrë biletat e kthimit. Aty gjeje gjithë arbitrat e kryeqytetit, të futbollit, volejbollit dhe basketbollit.

Paguheshin udhëtimet?

Po, por që të kompletohej dieta, detyrimisht duhej bashkë me biletat vajtje-ardhje edhe fletë hoteli. Kujtoj gjyqin financiar të arbitrave në fund të viteve ’80 për një dietë. Pas një informacioni që mori FSHF-ja se gjyqtarët dilnin te treni për të marrë një biletë, pra për një dietë më shumë, filloi një proces i gjatë pyetjesh për ta, kryesisht të Tiranës.

Cila ishte arritja më e madhe e një gjyqtari në atë kohë, përveçse të gjykonte një ndeshje të rëndësishme në vend?

Luftohej edhe për të dalë një rrugë jashtë shtetit, madje shumë prej tyre, edhe pse ishin të aftë, me eksperiencë, karrierë të gjatë, nuk e gë- zuan këtë mundësi. Numri i ndeshjeve ndërkombëtare ishte i reduktuar për arbitrat shqiptarë në ato vite dhe përveç tre kryesorëve si arbitra FIFA, në rolin e dy asistentëve dilnin arbitrat kryesorë, shumë pak ata anësorë. Nuk kishte arbitër të katërt. Sa ishte pagesa financiare? Shumë e vogël. Një arbitër merrte për ndeshje të paktën deri në vitet ’90 nga 125 që më pas shkoi 250 lekë (të kategorisë së parë) dhe më poshtë merrnin nga 180 lekë. Në vitin 1992, arbitrat kërkuan rritje page, e cila u mor në konsideratë dhe shifra arriti 20.000 lekë për një ndeshje sepse edhe sistemi i pagesës ndryshoi për shqiptarët. Sidoqoftë, ajo nuk ishte fikse si sot, por duheshin sërish biletat edhe pse kishin filluar të qarkullonin makinat private. Ndërsa para viteve ’90 gjithçka sajohej vetë, pra veshja, këpucët etj. Pas viteve ’90, bashkë me rritjen e pagesës, pati edhe një ndihmë nga FSHF-ja në këtë drejtim.

Cila ishte vështirësia më e madhe pas ndryshimit të sistemit në vend?

Pas viteve ’90, kolegjiumet u shpërbënë. Njerëzit lanë arbitrimin sepse të gjithë i drejtoheshin Perëndimit. Edhe ata arbitra që mbetën, ishin të kushtëzuar. Kishte frikë, pasiguri, dhunë dhe ndeshje që fitoheshin thuajse gjithnjë nga vendësit. Kjo ndodhte për të evituar dhunën në stadium që vinte nga spektatorë, drejtues e futbollistë. Kujtoj ndeshjet në fushë asnjanëse, me arbitra vendës, si një zgjidhje emergjente për situatat në ato vite.

Ju deri kur keni arbitruar?

Kam arbitruar deri në vitin 1996, pastaj e ndërpreva. Çfarë bëtë më pas? Starova sapo ishte zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së. Ai më ftoi të drejtoja sektorin e arbitrimit.

Ju ishit pjesë drejtuese e sektorit të arbitrimit në vitin e mbrapshtë 1997… Sa e vështirë ka qenë asokohe?

Ka qenë periudhë e vështirë në shumë drejtime. Është punuar, është luajtur dhe është arbitruar nën grykët e armëve, presioneve dhe dhunës. Gjithsesi, duhet vlerësuar fakti që aktivitetet futbollistike nuk u ndërprenë asnjëherë dhe arbitrat kanë pjesën e madhe të kontributit në këtë drejtim.

Pse e kanë arbitrat meritën më të madhe?

Caktimi i arbitrave ishte si mision i pamundur asokohe… Stadiumet ishin të pasigurta, forca rendi të pafuqishme për t’u përplasur dhe për të frenuar dhunën. Gjithçka u lihej në dorë arbitrave. Presione kudo, në rrugë, korridore, dhomat e zhveshjes, para, gjatë e pas ndeshjes. Madje duke i ndjekur edhe gjatë rrugës në kthim. Edhe shtypi sportiv në këtë situatë ndodhej, vështirë të pasqyronte realisht çfarë kishte ngjarë. Familjet që prisnin në ankth kthimin e djemve, kështu edhe ne të FSHF-së. Një telefon ishte gjithmonë një ankth më shumë. Jo për mbarëvajtjen e ndeshjes, por për kthimin e sigurt të arbitrave në shtëpi. Po kështu, presioni ishte edhe ndaj Komisioneve të Disiplinës, madje edhe ndaj anëtarëve të KE-së. Sidoqoftë, edhe pse luftë, është luajtur.

Si caktoheshin gjyqtarët në rrethana të tilla?

Tensioni arrinte kulmin kur në katin e parë, në zyrën e Besnik Çelës, shefi i Kategorisë së Parë asokohe (nën shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”) caktoheshin arbitrat. Caktoheshin nga Komisioni ose hidhej shorti. Kjo bëhej gjithmonë në prani të një trysnie të drejtuesve të klubeve, të cilët në shumë raste ishin të shoqëruar me persona të dhunshëm. Dhe për më tepër nuk mbaronte aty… Pas ndeshjeve në fundjavë, problemet rifillonin të hënën.

Pse kishte probleme të hënën?

Sepse ishte dita e “zakonshme” kur drejtuesit e klubeve zbrisnin në Tiranë për t’u ankuar lidhur me “padrejtësitë” që u ishin bërë nga arbitrat. Ndonëse punohej intensivisht, me përkushtim, ajo që duhet të kujtoj është se në ato dhoma plot lagështirë mungonte infrastruktura moderne, punohej pa kompjuterë, pa internet, pa celular dhe komunikimi kryhej me telefon. Madje, gjithçka shkruhej në makina shkrimi “Olivetti”.

Si hidhej shorti atëherë?

Fillimisht vendosëm të luhej në fusha asnjanëse, pastaj arritëm te shorti. Ishte një gjetje e zgjidhje për t’iu shmangur presionit të drejtuesve të klubeve ndaj zyrtarëve të FSHF-së dhe arbitrave. Propozimi u pranua nga klubet dhe funksionoi për një periudhë të gjatë. Shorti shpeshherë prishej, ribëhej sërish sepse nuk binin dakord për gjyqtarin e caktuar. Një ritual i vështirë që bëhej javë pas jave dhe gjithnjë nën presion. Madje, ka pasur raste kur shorti për arbitrat dhe asistentët është hedhur edhe pak para fillimit të ndeshjeve.

E lejonte UEFA shortin?

Në Europë ishin disa vende që e aplikonin dhe kujtoj se ishte vendim i KE-së që vendosi aplikimin e tij. Kujtoj se e informoi UEFA-n që bashkë me FIFA-n e ndiqnin situatën në Shqipëri. Njerëzit e FSHF-së, si dhe anëtarët e Komisionit të Caktimit të Arbitrave, me kryetar Mihal Konomin e anëtarë Petrit Brahjen dhe Fidai Pupën, ishin krejtësisht të pambrojtur. Sidoqoftë, ky proces mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së arbitrimit shqiptar. Kjo vazhdoi për disa vite, më pas shorti u aplikua direkt edhe në TV.

Sa ndërhynte politika asokohe?

Shumë pak. Nuk kujtoj raste flagrante, ndeshje apo momente që persona publikë të ishin protagonistë. Gjithçka komandohej nga individë që kishin marrë drejtimin dhe administronin me forcë klubet. Natyrisht që nuk luhej me drita, por ishte urdhëruar që takimet të fillonin në orën 13:00, për t’i dhënë mundësi skuadrave e arbitrave të ktheheshin shpejt në shtëpi. Pak transmetime televizive direkt kishte në ato vite. Kryesisht ato që luheshin në Tiranë, Durrës, Kavajë apo Elbasan. Në periudhën e trazirave, pas vitit ’97, u shfaqën shumë “personazhe” në rolin e presidentëve dhe sponsorëve të mjedisit futbollistik.

Me cilin prej tyre ju ka rënë rasti të përballeni?

Për herë të parë dhe të fundit kam takuar “Gjeneralin”. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Për cilin gjeneral e keni fjalën? Për Nehat Kullën.

Si ndodhi?

Më njoftuan se më kërkonin poshtë zyrave. Zbrita dhe pashë tre persona. Njërin e njihja shumë mirë, dy të tjerët jo. Pa e zgjatur shumë, Ylli, i njohuri im, më tha: “E njeh këtë?” dhe më tregoi njërin prej tyre. “Jo”, i thashë. “Ky është ‘Gjenerali’ dhe ka ardhur të të takojë për një nder…”. Sinqerisht nuk e kuptova, pasi as mund ta mendoja që në FSHF do të ishte pikërisht njeriu më i bujshëm i kohës që do të më kërkonte një favor.

Çfarë ju tha ai?

Pasi më dha dorën, më tha: “Duam të na bësh një nder. Nëse mundeni të ma dërgoni për të arbitruar jashtë shtetit një arbitër, vëllanë e një mikut tonë”. “Mirë, – i thashë, – do bisedojmë”.

 

Ndërsa po ndaheshim, Ylli më thotë: “Mbaje mend këtë takim, ke takuar ‘Gjenaralin’. Nuk ka për të të rënë rasti më…”. Dhe ashtu ndodhi, nuk e takova më.

Po me presidentët keni pasur ndonjë çast “përplasjeje”?

Është një kapitull i veçantë, në të cilin përfshihen tipa të përshtatshëm për kohën. I kujtoj të gjithë, por në veçanti një president, të cilin edhe kur e takoj sot, më vjen ndër mend pretendimi unik që kishte… Nuk kërkonte arbitër me emër, por deklaronte dhe i kërkonte FSHF-së të caktonte cilindo prej tyre, por me kushtin që ai ta ndihmonte haptazi skuadrën e tij vetëm kur luante në fushën e saj. Asnjë pretendim nuk kishte kur luante në udhëtim, madje e dinte që do humbiste. Më thoni ndonjë rast tjetër që ju ka mbetur në mendje… Janë shumë… Një rast ishte ai në takimin Apolonia-17 Nëntori. Ishte ndeshje decizive për fierakët dhe arbitër ishte caktuar A.Isufi. Duke shkuar për në Fier, te kthesat e famshme, i dalin përpara disa njerëz. E detyrojnë të zbresë nga makina dhe i thonë: “Zgjidh tani, ose do të fitojë Apolonia, ose do të bësh si i sëmurë dhe do të shtrohesh në spital.”!

Çfarë ndodhi më pas?

Të painformuar mirë, por duke e nuhatur se diçka jonormale kishte ngjarë, edhe në pamundë- si për ta zëvendësuar kryesorin, urdhëruam që takimi të gjykohet nga arbitri i katërt. Bëmë padashur atë që ata kishin projektuar. Formalisht i kërkuam arbitrit raportin mjekësor, pasi ai qëndroi disa orë në spitalin e Fierit. Shqetësim i madh u krijua te familja e tij në Shkodër, pasi dëgjuan që ishte zëvendësuar vetëm ai, se ishte i sëmurë.

Cila e fitoi ndeshjen?

Ndeshjen e fitoi Apolonia 2-1, pasi Tirana toleroi në atë situatë të ashpër dhe të rrezikshme.

Ndodhnin shpesh këto situata?

Po, patjetër që po. Një tjetër ngjarje e rrallë, por normale për kohën ishte edhe ndeshja që do luhej në Fier: Apolonia-Tomorri. Një rivalitet i madh, gjithmonë në luftën për t’i shpëtuar rënies nga kategoria. Arbitri i caktuar për këtë takim ishte Guzja nga Tirana, i cili aktualisht jeton me familjen në Amerikë. Në momentin që arriti në Lushnjë, i dolën përpara me makinë persona të dy klubeve që i kërkonin favorizim. I gjendur mes dy zjarreve, Guzja tentoi të kthehej në Tiranë pasi ishte i pamundur udhëtimi dhe ndeshja. Por, pasi diskutuan gjatë midis tyre, ishin vetë personat e të dyja kampeve që e zgjidhën situatën dhe e lejuan të arbitronte pa probleme. Sipas “marrëveshjes”, fitoi Apolonia…

Cili nga qytetet ka qenë një vatër e nxehtë?

Mendoj e gjithë Shqipëria. Njëherë mbaj mend që luhej në fushë asnjanëse, Lushnja-Luftëtari, kur arbitri nga Elbasani u “sëmur” me forcë me temperaturë… Në pushim shkoi në spital për vizitë dhe u zëvendësua nga i gjyqtari i katërt… Po kështu edhe ndeshja Skënderbeu-Vllaznia, kur pas një goli të shënuar nga Skënderbeu, kur rezultati ishte 2-1 për Vllazninë, arbitri i FIFA-s Kollari e anuloi duke bërë një interpretim shumë të saktë të rregullores. Por, ky veprim bëri të shpërthejë revolta e tifozëve dhe e drejtuesve. Loja u ndërpre për shumë minuta dhe rifilloi me premtimin e shkodranëve se do të toleronin. Skënderbeu fitoi 3-2… Nuk do të harroj gjithashtu edhe ndeshjen Tomorri-17 Nëntori…

Pse, çfarë ndodhi aty?

Presion i madh. Situatë e tensionuar para dhe gjatë ndeshjes, ndaj arbitrimi ishte në kufijtë e të pamundurës. Ishte një ndeshje me shkallë të lartë vështirësie dhe nuk pranonte ta gjykonte askush. U zgjodh Pregja si gjyqtar i FIFA-s dhe kujtoj se gjykoi një ndër ndeshjet më të vështira të asaj kohe. Madje mendoj se ishte një ndër më të vështirat edhe të karrierës së tij. Ndeshjen e fitoi Tomorri 1-0, me gol në fund. Këto kanë qenë ndeshjet më të nxehta që ju mbani mend? Jo, jo ka pasur shumë. Ja, tani po më kujtohet edhe një ndeshje tjetër e zhvilluar në Lushnjë. Luante Lushnja e “Xhaferrit” me Flamurtarin e “Kamberit”. Pra, dy ekipe që sponsorizoheshin nga bosët e firmave piramidale… Gjatë ndeshjes, u godit asistenti K. Brahja dhe loja u ndërpre. Takimi rifilloi, por në kushte terrori.

Pse në kushte terrori?

Tifozët shpërthyen rrethimin në fund të ndeshjes dhe 3000 persona që prisnin arbitrat pasi fitoi Flamurtari. Pas dy orësh në dhomat zhveshjes, ishte Pëllumb Xhaferri që me makinën e tij i nxori arbitrat nga stadiumi. Por edhe takimin Partizani-Vllaznia në vitin 2001. Takim i bukur, u mbyll 1-1, në një stadium tejet i mbushur, tashmë me drita, pa probleme dhune. Partizani barazoi në aksionin e fundit të ndeshjes, por shkodranët konstatuan se në çastin e golit, Martini, i ndëshkuar me karton të kuq, ishte brenda fushës së lojës dhe drejtuesit shkodranë e konsideruan parregullsi. Ata kërkuan përsëritjen e ndeshjes.

Ajo ndeshje është përfolur edhe si një mundësi për të bërë ca para sepse stadiumi u mbush plot…

Nuk di ta them me saktësi këtë, por duke parë interesin dhe dëshirën e dy palëve, interesimin e publikut gjithashtu për ta riluajtur ndeshjen, u vendos që të riluhej. Pas dy ditësh, 0-0, në një stadium sërish të mbushur. Por vështirësia për të gjetur një argument për përsëritjen e saj ishte maksimale. Kemi qëndruar deri në orët e vona të natës, duke parë e riparë rregulloren dhe shtegun për një alternativë të vetme. U sajua një mundë- si, kujtoj diçka për mosaplikim të rregullores nga asistenti, jo i vëmendshëm për ta larguar Martinin nga fusha. Por që realisht nuk ishte ky motivi kryesor…

Cila ka qenë drama më e madhe e asaj periudhe sipas jush?

Drama më e madhe që goditi gjithë shoqërinë shqiptare ishte kur arbitri i FIFA-s, Luan Zylfo, që e drejtoi në kushte të tensionuara sfidën për të mos rënë nga kategoria, Partizani-Tomorri, në stadiumin “Dinamo”, humbi jetën. Ka qenë 13 maj 2000. Një goditje vrasëse me armë i mori jetën, ndërsa po qëndronte në lokal pasi ndeshja kishte përfunduar…..

Sa vite vazhdoi kështu?

Pra, me presionin dhe dhunën ndaj gjyqtarëve… Situata e tensionuar pas viteve ’97 vazhdoi gjatë. Skuadra, klube, futbollistë dhe tifozë i bashkonte dhuna. Kryeqyteti më pak. Ky fenomen ishte prezent në mënyrë sistematike në kampionatin shqiptar, të paktën deri në vitin 2002.

Pse më pas nuk ka pasur dhunë…?

Nuk po them se ishte ndryshim rrënjë- sor, por diçka filloi të lëvizë edhe në sektorin e arbitrimit. Në atë periudhë sapo u zgjodh president i FSHF-së Armand Duka, një person me influencë, njohje dhe me autoritet.

Çfarë strategjie projektoi Duka?

Gjykoj se Duka e nuhati që situata nuk mund të ndryshonte menjëherë. Problemet që krijoi viti ’97 ishin prezente, ndër to fenomeni dhunë, por nuk mund të krahasohen me ato vite. Duka kuptoi se sektori më delikat dhe më i rëndësishëm ishin arbitrat, ndaj kërkoi rikthimin e shpejtë të gjyqtarit autoritar, profesionist, duke i dhënë mbështetje, hapësira, mundësi financiare dhe përkrahje. Megjithatë, vështirësia për të rikuperuar atë çfarë kishte humbur arbitrimi shqiptar në vitet ’97 ishte e madhe dhe duhej kohë. Ajo që filloi të evidentohej ishte se ndërhyrja dhe presioni tek arbitrat të mos ishte më aq agresiv.

Por ama u vazhdua me short…

Po, u vazhdua me short, pasi ende nuk mund të ndryshohej situata, mentaliteti dhe ndërprerja e menjëhershme e disa mekanizmave. Shorti me goglat e verdha vazhdoi normalisht. Kujtoj se në short ishin vetë drejtues klubesh, presidentë, gazetarë që tërhiqnin shortin, kjo për t’u treguar transparencën dhe jo siç mund të pretendohej se njëra ishte e nxehtë dhe tjetra gogël ishte e ftohtë…(qesh). Arbitrave iu rikthye pak nga pak besimi, ndonëse ishin ende objekt i akteve violente dhe presioneve, sidomos në kategoritë inferiore.

Cili ishte problemi më i madh pas ’97-ës?

Për mendimin tim, ishte rigjenerimi i kolegjiumeve. Kthimi i dëshirës për arbitrim, i traditës së humbur tashmë. Shumë familje refuzonin që fëmijët e tyre të arbitronin. U rrit shpërblimi financiar, iu krijuan kushte, seminare më kualitativë, madje edhe me instruktorë atletike si profesori i nderuar Petrit Qëndro, që për një pagesë vetëm 100 lekë në muaj drejtonte me ndërgjegje e profesionalizëm përgatitjen e arbitrave. Edhe kjo ka qenë një risi për kohën..

E kujt ishte ideja që në ndeshje të rëndë- sishme të merreshin gjyqtarë të huaj?

I takon vitit 2002, ka ndodhur në një derbi. Për të zgjidhur tensionin dhe agresivitetin e krijuar në prag të takimit 17 Nëntori-Dinamo, u hodh ideja e gjyqtarëve të huaj. Në të tilla kushte, Duka propozoi për një arbitër të huaj që u pranua nga futbollistë e drejtues. Duke shfrytë- zuar miqësitë, ai i kërkoi presidentit të federatës spanjolle, Villar, të sillte në Tiranë një treshe me arbitra.

Si shkoi ndeshja?

Takimi u mbyll 2-2. Gola, spektakël, stadiumi plot dhe një karton i kuq për Bulkun. Por, si zakonisht, kur është një i huaj, posttakimi u mbyll pa polemika dhe pretendime. Më pas historia e ardhjes së arbitrave të huaj, në veçanti atyre italianë, është një kapitull tjetër. Sidoqoftë, arbitri spanjoll mbetet i pari në historinë e pasluftës që arbitroi një ndeshje të kampionatit shqiptar.

Megjithatë, vazhdojmë të kemi arbitra me pikatore edhe sot. Flasim për arbitra me cilësi dhe me autoritet…

Nuk është se i kemi me pikatore, por ajo që duhet të na shërbejë është se në cilësi, arbitrat me autoritet dhe personalitet, janë të pakët. Humbja e besimit tek arbitrat është një disfatë për të gjithë komunitetin. Tradita e arbitrimit shqiptar, e ndërtuar në vite e dekada dhe e përfaqësuar me dinjitet, autoritet dhe profesionalizëm duhet ruajtur. Sot në botë ka një krizë të përgjithshme në gjetjen dhe krijimin e arbitrit. E kam fjalën për arbitrin me moton “një emër, një garanci”. Kjo po ndodh edhe në Itali, Francë, Holandë, të cilat janë vende me traditë.

Po, por sot në Shqipëri, ndryshe nga vite më parë, arbitrat paguhen shumë më tepër, apo jo?

Është bërë investim i madh sidomos në aspektin financiar. Është investuar në njerëz, në angazhimin sistematik të strukturave të larta të FSHF-së. Tashmë kushtet i kanë optimale, në të gjitha drejtimet. Madje guxoj të them se i kanë shumë më mira se mjaft shtete fqinje. Seminare pa fund, me lektorë të afirmuar të FIFA-s e UEFAs. Në raport me numrin e popullsisë e të ardhurave për frymë, pagesa financiare e arbitrave shqiptarë me 350 euro për një ndeshje, konsiderohet nga të lartat në Europë.

Shohim se ka mjaft raste për moviolë?

Sigurisht që ka e do të ketë, pasi i tillë është ky profesion. Ndonëse duhet të minimizohen, pasi sot një ndeshje administrohet nga më shumë se gjashtë, deri në tetë zyrtarë: katër arbitra, një vëzhgues, një delegat, si dhe në disa raste arbitra të linjës. Është një komoditet i madh dhe mundësi ideale për ta administruar ndeshjen maksimalisht në të gjitha drejtimet. Shqipëria është nga vendet e pakta që e praktikojnë këtë, duke qenë nga të vetmit bashkë me Italinë të autorizuara në këtë eksperiment nga FIFA.

Jeni pro apo kundër aplikimit të teknologjisë?

Teknologjinë nuk e shoh si mjet shpëtues. Të gjithë po tentojnë për të gjetur të mirën e mundshme për të mos gabuar, por momenti i vërshëllimës mbetet klasik dhe kjo e ndan atë nga elektronika. Edhe për nostalgji, kam dëshirën e vendimit të arbitrit, pra të atij çasti, të cilin e pres edhe sot me shumë ankth. Unë mbetem i klasikes: me tre arbitra!

Ndeshjen e fillon dhe e mbaron një vërshëllimë, nga minuta e parë deri në frymëmarrjen e fundit të saj…

Cili është opinioni juaj për gjyqtarët e sotëm?

Duke parë nga afër strukturën e ngritur për ta, do ta konsideroja shumë moderne. Komisione, ndeshje që ndiqen, monitorohen nga delegatë, kamera, vëzhgues, sistemi elektronik, veshjet, pagesa, kërkesa dhe pretendimi im është në maksimum. Pra, mundësia i është dhënë dhe krijuar në ekstrem. Deri këtu është FSHF, në fushë janë ata. Nuk mjafton vetëm pasioni, dëshira. Kohët kanë ndryshuar dhe kërkojnë arbitrin-njeri shumë të përgatitur dhe të qenit arbitër është shumë më tepër se një 90- minutësh. Duhet një angazhim i madh profesional, në familje e shoqëri, me jetë aktive në shumë drejtime. Përballja e shpeshtë me botën e zhvilluar është një pikë e madhe referimi për ta. Arbitri i mirë, ai i “një emër, një garanci”, e fiton betejën që kur shkel në stadium, pa filluar loja. Të pafalshme janë disa nga vendimet për mosnjohje të rregullores. Sot, arbitrat kanë “Facebook”, internet, celularë dhe makina të markave të njohura. Për kohën që folëm më sipër, kur e kujtoj bashkë me “Olivettin”, më duket si një film “western”, përballë mundësive shumë bashkëkohore që janë krijuar sot për komunitetin e arbitrave këtu në Shqipëri. Gjithmonë me qëllimin për të krijuar një klasë me arbitra cilë- sorë, nga e gjithë Shqipëria. Për të tashmen, por sigurisht edhe për të ardhmen. Me kushtet e krijuara, ata duhet të vrapojnë e të rendin, madje të fluturojnë dhe jo vetëm të arbitrojnë!

 

Përgatiti: Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"