“Urban Cup 2022”, Prestige nis sot aventurën në Bullgari (KALENDARI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2022 | 9:36


“Urban Cup 2022”, Prestige nis sot aventurën në Bullgari (KALENDARI)

Prestige është gati për pjesëmarrjen në kompeticionin e radhës ndërkombëtar, teksa sot do të debutojë në “Urban Cup 2022”.

PRESTIGEPrestige gjatë nisjes për në Bullgari

Bëhet fjalë për një turne në futbollin me 8 lojtarë që do të zhvillohet në Sofje të Bullgarisë.

Në këtë aktivitet marrin pjesë 11 ekipe nga shtete si Bullgaria, Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Izraeli, të ndara në tri grupe, ku Grupet A dhe B përbëhen me nga 4 skuadra, ndërsa grupi C me 3.

Në Grupet A dhe B kualifikohen vendet e para, të dyta dhe të treta, ndërsa në grupin C vetëm vendi i parë dhe i dytë. Loja luhet në fusha me për masa 60×40 metra dhe me nga dy pjesë nga 25 minuta.

Prestige, siç dihet, është shortuar në Grupin A, ku përballë do të ketë ekipet bullgare Tera Trak, DXC dhe Trakiec.

Në “Urban Cup” Prestige do të ketë mundësinë që të aktivizojë edhe afrimet e reja në merkato, ndërsa do ta nisë aventurën në këtë kompeticion sot në orën 14:00 kundër skuadrës Tera Trak.

Ky nuk është një kundërshtar i panjohur për Prestige, pasi kundër Tera Trak ekipi shqiptar regjistron një precedent një vit më parë në Champions. Asokohe Prestige fitonte me rezultatin e pastër 2-0, takim që u zhvillua në Rimini.

Ndërkohë, po sot, në orën 18:00 Prestige do të zbresë në fushë gjithashtu edhe për ndeshjen e dytë në grup, teksa do të përballet me ekipin Trakiec.

Ndërsa sfidën e fundit në grup do ta luajë nesër në orën 14:00 ndaj ekipit DXC.

Kujtojmë se Prestige është skuadra më e suksesshme e Shqipërisë në kompeticionet ndërkombëtare të futbollit amator, ku për t’u veçuar është arritja deri në gjysmëfinalet e Champions-it.

Ndërsa disa nga arritjet e Prestige në nivel kombëtar janë tre titujt kampion në futbollin me 6 lojtarë në edicionet 2017-2018, 2018-2019 dhe 2020-2021.

Fitues i Sunday League në futbollin me 9 lojtarë për sezonin 2019-2020 apo fitues i FSHF Cup në edicionin e fundit 2021-2022.

Një ekip lider që ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit amator në vendin tonë, duke qenë model dhe pikë referimi për shumë skuadra.

GR

KL

PANORAMASPORT.AL