Udhëhoqi ekipin në Cërrik, rrëfehet sulmuesi i Besës: Shënova 3 gola, por topin ma morën… punëtorët e fushës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2022 | 17:25

Udhëhoqi ekipin në Cërrik, rrëfehet sulmuesi i Besës: Shënova 3 gola, por topin ma morën… punëtorët e fushës

Besa u rikthye bindshëm, fitoi me 4 gola dhe për më tepër në transfertë. Protagonisti i padiskutueshëm në Cërrik ishte Çinonso Onuh, që për 15 minuta shënoi tripletë. Duhet të merrte topin me vete, por çuditërisht nuk ka ndodhur siç ndodh rëndom.

onuh

Këtë e rrëfen vetë nigeriani për “Panorama Sport”: “Siç ndodh kudo, me mbarimin e ndeshjes nxitova dhe mora topin si dhuratë e relike të 3 golave. Por, për çudi erdhën punonjësit e fushës dhe ma morën. Nuk munda të kthehem në Kavajë me topin e ndeshjes”. Përtej kësaj, ai shprehet i kënaqur me “hat trick”-un dhe larg modestisë shprehet se golat i bëri ai, por merita shkon për të gjithë ekipin.

“Sigurisht jam i lumtur për golat, mbi të gjitha sepse i dhanë fitoren ekipit. Ishte një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne. Dominuam lojën me raste e gola dhe ishte fitore plotësisht e merituar, veçse duhet ta them se futbolli nuk luhet 45 minuta edhe nëse je duke fituar me 3, 4 apo 5 gola. E them këtë pasi pa asnjë shkak, sikur lëshuam diçka në pjesën e dytë. Kundërshtari nuk kishte forcë të na mohonte fitoren, por nëse luanim si 45 minutat e para ju siguroj se rezultati do të ishte më i thellë dhe nuk do të vihej asnjë moment në diskutim”, shtoi 30-vjeçari.

Afrikani kërkon që tani e tutje t’u kushtohet më shumë vëmendje ndeshjeve në shtëpi, pasi kanë lëshuar pikë pa asnjë motiv me Tomorin e Korabin.

“Duhet të tregohemi më të përqendruar sidomos në shtëpi. Janë pikët që na mungojnë sot dhe jam i bindur nga ajo çfarë dhamë në fushë, se si me Tomorin ashtu edhe Korabin duhet të kishim 4 pikë më shumë, nuk po flas për ndeshjen në Lezhë apo Vlorë. Besa i ka të gjitha kualitetet e mundësitë ta bëjë këtë. Këtë fundjavë luajmë me Luzi 2008. Nëse nisemi nga emrat, as që ishte imagjinuar të luanim me ta. Por është fakt që ata kanë pikë sa edhe ne. Çdo nënvlerësim do të ishte vetëvrasje për ne. Pas fitores në Cërrik, na duhet patjetër dhe fitorja me Luzin për të qëndruar në korsinë e ekipeve pretendente”, përfundoi Onuh.

Kujtojmë se takimi Besa-Luzi 2008 do të luhet pa praninë e tifozëve në stadiumin e Peqinit, pasi Besa u dënua 4 javë të luajë pa tifozë pas ngjarjeve që ndodhën me Korabin.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"