U rendit e 13-ta në Olimpiadë, Luiza Gega: Nuk ishte dita ime, por jam e lumtur që mbërrita deri këtu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2021 | 16:30

U rendit e 13-ta në Olimpiadë, Luiza Gega: Nuk ishte dita ime, por jam e lumtur që mbërrita deri këtu

Luiza Gega e ka mbyllur në vend të 13-të garën finale të 3000 metrave me pengesa në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që u zhvillua dje në stadiumin e kryeqytetit japonez. Atletja kuqezi e ndali kronometrin në kohën 9:34.10, një rezultat larg pritshmërive për 32-vjeçaren, e cila vetëm disa ditë më parë kishte regjistruar kohën 9:23.85 në kualifikuese. Mes 16 konkurrueseve, Gega mundi të lërë pas spanjollen Robles, australianen Gregson (nuk e përfundoi garën) dhe amerikanen Koburn (u skualifikua).

Luiza Gega Atletike Olimpiada

Objektivi i sportistes në këtë garë ishte thyerja e rekordit kombëtar, rezultat që do ta katapultonte automatikisht në top-10, por për Luiza Gegën dje ishte një ditë jo. Megjithatë, paraqitja e atletes në “Tokio 2020” mbetet shumë e mirë, pasi kujtojmë që objektivi kryesor i saj ishte kualifikimi për në finale, gjë që e realizoi me sukses, duke u bërë e para atlete shqiptare që ia del t’i kalojë kualifikueset. Ndërsa vendi i 13-të është pozicionimi më i lartë që Shqipëria ka njohur ndonjëherë në atletikë për sa u përket Lojërave Olimpike.

Duke u kthyer te finalja e djeshme, ishte ugandezja, Peruth Chemutai, ajo që triumfoi duke fituar kështu medaljen e artë. Ajo regjistroi kohën 9:01.45 duke vendosur edhe rekord kombëtar për shtetin e saj. Medaljen e argjendtë e fitoi amerikania Courtney Frerichs, ndërsa të bronztën keniania Hyvin Kiyeng.

Me konkurrimin e Luiza Gegës Shqipëria Olimpike ka mbyllur zyrtarisht garat e saj në “Tokio 2020”. Edhe pas edicionit të 32-të të Lojërave Olimpike, vendi ynë vijon të mbetet ndër shtetet e pakta që nuk numëron asnjë medalje të fituar. Këtë herë iu afrua më shumë se kurrë peshëngritësi Briken Calja, duke u renditur i katërti, vetëm 1 kg larg medaljes së bronzit, që shënon edhe rezultatin më të lartë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike.

Finale

REAGIMI SPORTISTES – Luiza Gega ishte mbi 10 sekonda më e ngadaltë në raport me rezultatin e 1 gushtit në kualifikuese e “Tokio 2020”, si dhe gati 15 sekonda në raport me rekordin kombëtar që ka vendosur në Botërorin e 2019-ës në Doha (9:19.93). Një tregues i qartë që kampionia kuqezi nuk ishte dje në ditën e saj më të mirë. Por, kjo nuk mund ta zbehë paraqitjen dhe rezultatin historik të atletes sonë në Lojërat Olimpike.

Luiza Gega Olimpiade

Në një reagim pas garës Luiza Gega falënderoi të gjithë shqiptarët për mbështetjen që i kanë dhënë. “Shumë faleminderit! Edhe pse nuk ishte dita ime më e mirë, gjithsesi jam shumë e lumtur që munda të arrij deri në finale. Ju falënderoj pa fund. Kurrë në jetën time nuk jam ndier kaq e vlerësuar dhe kjo falë mbështetjes që kam marrë nga urimet tuaja. Sot (dje) nuk ia dola dot. Nuk munda. Sporti aq shumë të gëzon, por pa aq ta thyen zemrën”, deklaroi kampionia kuqezi menjëherë pas garës finale në Tokio.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"