Turneu ndërkombëtar i basketbollit, Flamurtari mundet nga serbet në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 18:29

Turneu ndërkombëtar i basketbollit, Flamurtari mundet nga serbet në finale

Për herë të parë u zhvillua në Vlorë një aktivitet ndërkombëtar në basketboll për femra. Aktiviteti nën kujdesin e veçantë të shefit të klubit shumësportësh, Klevis Kaso, trajnerit Erion Hoxhaj dhe me mbështetjen e bizneseve vlonjate, bëri bashkë katër ekipe nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia dhe Serbia. Shqipëria përfaqësohej nga Flamurtari.

Flamurtari basket

Në ditën e parë të këtij eventi, të shtunën, u zhvilluar gjysmëfinalet. Siparin e aktivitetit ku mori pjesë edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, e hapën ekipet sllovene dhe serbe, më konkretisht ndeshja Jezica – ZKK Duga Sabac, e fituar nga ekipi serb me rezultatin 48- 81. Më pas Flamurtari shkatërroi ZKK Jedinstvo Dzenex nga Bosnjë-Hercegovina në shifrat 100-50. Pasditen e djeshme u zhvillua edhe ndeshja finale mes Flamurtarit dhe serbeve të ZKK Duga Sabac. Ndeshja pati rivalitet të fortë dhe ishte e tillë qysh në fillim. Periodën e parë do ta fitonin miket 13-17.

Flamurtari

Në periodën e dytë do të triumfonte Flamurtari me një diferencë prej 6 pikësh. Blerjet e reja të Flamurtarit kanë shfaqur një formë mjaft të mirë. Lojtarja e vlonjateve, Samra Omerbasiç, ishte pikëshënuesja më e mirë me 25 dhe pas saj afrimi i ri, Emma Obryan, me 24. Me një pikë diferencë janë ndarë në periodën e tretë ku kryesojnë serbet që do ta vulosnin vitoren në periodën e fundit të cilën e fituan 21-16 dhe krejt takimin 77-72. Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, i dorëzoi trofeun e këtij aktiviteti ekipit serb.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ponari u shpreh:  “Është një ngjarje e shënuar për basketbollin. Flamurtari tregoi nivel, cilësi dhe do të thosha që i vlen kjo kupë, pasi ekipi vlonjat ka ditur gjithmonë të japë rezultate pozitive”. Ndërkaq, shefi i klubit shumësportësh Flamurtari, Klevis Kaso, e komentoi kështu eventin:

avni ponari

“Do të doja që të ishim ne fitues të kësaj kupe, por fati nuk ishte me ne. Megjithatë, nga ky aktivitet morëm një eksperiencë shumë të vlefshme dhe mendojmë që përpara nisjes së sezonit, ta kthejmë në një traditë këtë organizim ndërkombëtar”. Ndërsa trajneri i ekipit serb që fitoi kupën e turneut, Vuk Stepanoviç, për gazetën tha: “Të gëzuar për këtë fitore. Përgëzime edhe Flamurtarit ishte një rival shumë i fortë. Urime edhe për organizatorët e këtij aktiviteti mjaft të rëndësishëm për të gjithë ne”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"