Troisi kundër FSHF-së: Nuk mjaftojnë 2 javë stërvitje, të ndryshojë skema e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2020 | 19:46

Troisi kundër FSHF-së: Nuk mjaftojnë 2 javë stërvitje, të ndryshojë skema e kampionatit

Marcelo Troisi ka më shumë se dy muaj që është ngujuar në Greqi. Që pas shpërthimit të Koronavirusit, u largua drejt shtetit fqinj, ku edhe jeton prej vitesh. Tashmë pret që të kthehet në tokën shqiptare, e megjithatë që kjo të ndodhë, fillimisht duhet të hapen kufijtë. Është i shqetësuar për këtë gjë, por më shumë e merakos koha e shkurtër që do të ketë në dispozicion për të përgatitur ekipin për rifillimin e kampionatit. E shikon të pamundur që Flamurtari i tij të jetë gati më 3 qershor, në një kohë kur kanë 65 ditë pa u stërvitur. Trajneri i kuqezinjve, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, i mëshon ndjeshëm edhe rrezikut që do t’u kanoset lojtarëve nga dëmtimet. Vendi i fundit jep pak shpresa për mbijetesë, por braziliani premton se do të luftojnë deri në fund. Kreu i pankinës vlonjate thotë se në Shqipëri mungon konkurrenca, ndaj është i mendimit që Kategoria Superiore të bëhet me 16 ekipe.
troisi 1

Si jeni me shëndet pikësëpari dhe si i keni kaluar këto ditë të vështira pas shpërthimit të pandemisë?
Gjithçka është në rregull. Jemi mirë me shëndet familjarisht. Në këto ditë të pazakonta që po kalojmë nga Koronavirusi, unë jam duke studiuar sa më shumë. Duhet ta përmirësojmë veten që të mos mbetemi mbrapa dhe kështu që nuk lë asnjë moment të kalojë pa bërë gjë. Jam në punë të vazhdueshme që të mund të përmirësohemi sa më shumë.

FSHF ka vendosur që kampionati të nisë më 3 qershor. Cili është komenti juaj? Ky vendim nuk ka nevojë për koment. Mendoni se është koha e mjaftueshme për t’u përgatitur?
Unë si trajner e kam të pamundur që brenda dy javësh t’i përgatis fizikisht lojtarët për të luajtur në një nivel të lartë. Rreziku i dëmtimeve do të jetë shumë i madh. Dy muaj pa bërë asgjë dhe do të kemi 15 ditë kohë për t’u përgatitur… Për mua është e pamundur.

Në një kohë që kufijtë janë mbyllur dhe ju gjendeni në Greqi, si dhe kur mendoni të ktheheni në Vlorë?
Unë jam duke shpresuar që të hapen kufijtë që të kthehem sa më shpejt në Vlorë dhe të nis punën me skuadrën.

Flamurtari është thuajse i rënë nga Kategoria Superiore. Keni ende shpresa për mbijetesën?
Sa i përket qëndrimit të Flamurtarit në Kategorinë Superiore, ne do të bëjmë gjithçka dhe do të luftojmë deri në frymën e fundit. Por, natyrisht që do të jetë shumë e vështirë dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Megjithatë, përpjekjet tona do të jenë maksimale deri në fund të këtij kampionati. Do të bëjmë të pamundurën në çdo ndeshje për të shpëtuar.
Sinan-Idrizi
Keni folur me administratorin Sinan Idrizi për të ardhmen?
Jo, nuk kemi biseduar akoma. Do të flasim kur unë të vij në Vlorë dhe atëherë do të kemi një komunikim më të detajuar dhe do të jemi më të qartë për të ardhmen dhe projektet që do të kemi. Shpëtimi i Flamurtarit këtë sezon do të ishte natyrisht që të ndryshohej skema e kampionatit.

Ju jeni për një kampionat me një skemë të re?
Unë mendoj se është për të ardhur keq që Shqipëria nuk ka konkurrencë të barabartë me pjesën tjetër të Europës. Kampionati duhet të ketë 16 ekipe dhe kështu do të bëhej edhe më konkurrues, por edhe i bukur e interesant. Shqipëria në futboll është në një nivel të shkëlqyeshëm për mendimin tim dhe nuk është larg nga shumë vende të Evropës. Skema duhet të ndryshojë dhe patjetër që elita e futbollit shqiptar të jetë me 16 ekipe.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"