Tri “bomba” të Pero Pejiç, Skënderbeu e “shkërmoq” Vllazninë qysh në start…

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 25, 2012 | 14:05

Tri “bomba” të Pero Pejiç, Skënderbeu e “shkërmoq” Vllazninë qysh në start…

VLLAZNIA-SKENDERBEU  1-3
GOLAT: Smajli 77’/ Pejiç 19’, 34’, 47’
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, E.Beqiri, Osmani, Begaj (Shtubina 70’), Dragoi, I.Nallbani, Deliç (Semina 53’), Hajdari (Belisha 82’), Hysa, Rexha. Trajner: Shpëtim Duro
Skënderbeu: Shehi, Radas, Bici, Gvozdenoviç, Arapi, Orelesi, Lilaj, Dimo (Vrapi 63’), Kërçiku (Çaushaj 90+2’), Plaku (Kuli 84’), Pejiç. Trajner: Mirel Josa
GJYQTARET Laver Alla/ D.Korreshi (Lushnjë) dhe D.Rexha (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Osmani 71’, Belisha 83’, Rexha 90+1’/ Lilaj 74’
DELEGAT: Ilir Shulku
VËZHGUES: Plarent Kotherja

MINUTAT
8’ Beqiri gjuan nga goditja e dënimit nga jashtë zonës, pret Shehi.
10’ Lilaj nga goditja e këndit kroson në zonë, Radas gjuan me kokë, por topi kalon mbi tra.
15’ Hysa pason në zonë për Dragoin, rumuni në pozicion të prirët pason në qendër, mirëpo aty Hajdari nuk arrin të gjuajë dot, edhe pse porta ishte bosh.
17’ Rexha pason me kokë për Hajdarin, i cili në fundore kroson në zonë, ku Dragoi fluturimthi gjuan fort, por pret Shehi.
19’ Deliç gabon në mesfushë, topin e kap Lilaj, vërshon drejt portës, pason në të djathtë për Pejiçin, i cili hyn në zonë, gjuan dhe shënon, 0-1.
33’ Radas gjuan nga 35 metra një goditje dënimi, pret Vujadinoviç në pozicion.
34’ Plaku godet me kokë një top pa shumë pretendime në gjysmëfushën kuqeblu, i cili rezulton një asist për Pejiçin. Ky i fundit lëshohet i vetëm drejt portës përballë Vujadinoviçit, gjuan dhe 0-2.
43’ Kros nga krahu i djathtë i mesfushës korçare në zonë, ku Smajli ka harruar të vetëm Dimon, por mesfushori përballë portierit gabon në gjuajtje.
45’ Begaj lëshon një top tokazi në zonë, ku gjen Hajdarin, i cili gjuan, por topi përplaset te një mbrojtës.
47’ Dimo kroson nga mesfusha për Pejiçin në zonë, ky i fundit stopon topin me gjoks dhe gjuan, duke shënuar. 0-3.
50’ Hajdari gjen bukur në zonë Rexhën, i cili përballë Shehit gjuan, por jashtë. 62’ Beqiri gjuan nga 35 metra një goditje dënimi, pret Shehi.
77’ Kros në zonë, Smajli e ndal topin dhe gjuan me të majtën. Topi përplaset dy herë në shtyllë dhe mbi vijën fatale, para se Shehi të tentojë ta largojë, por pa sukses, 1-3.
86’ Hysa gabon të pagabueshmen, përballë portierit nga fare pranë nuk arrin të gjuajë as në kuadrat.

Kishte arsye trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, kur ngulmonte për Pero Pejiçin. Por oferta më e ulët e shkodranëve bëri që sulmuesi të firmoste për Skënderbeun. Dhe konfirmimi erdhi që në ndeshjen e parë të kampionatit: Vllaznia 1–Pejiçi 3. Më keq se kaq nuk mund të niste kampionati për kuqeblutë. Edhe pse luhej në tempullin e tyre “Loro Boriçi”, edhe pse nuk mungoi atmosfera dhe mbështetja e mijëra tifozëve shkodranë, edhe pse përballë nuk kishin Skënderbeun më të mirë (ndoshta më të kujdesshmin), përsëri “armata” e re e Duros tregoi limite negative të frikshme thuajse në çdo repart. Mbrojtja e shkujdesur, mesfusha pa fantazi dhe sulmi i varur vetëm nga “koka” e Rexhës. Nga ana tjetër kampionët në fuqi thjesht vunë në punë cilësitë e padiskutueshme të Pejiçit dhe natyrisht ky i fundit, në ndryshim total nga sulmuesit kuqeblu, shkoi tri herë te porta dhe shënoi tre gola duke i dhënë kështu Skënderbeut tri pikët e para të sezonit.
Ndeshja – Nën një atmosferë të bukur, ku nuk munguan edhe ceremonitë e rastit, dhe me një dekor të mrekullueshëm të tifozërisë vendëse startoi Vllaznia- Skënderbeu, e cila ngriti edhe siparin e kampionatit të 74-t të futbollit. Të dy trajnerët kanë hedhur në fushë 11-shet më të mira, paçka se korçarët janë të privuar nga kapiteni Shkëmbi. Në fillim duket se është Vllaznia ajo që i merr iniciativat, duke qenë se provon si me gjuajtje nga distanca dhe me dalje nga krahët kryesisht me rumunin Dragoi. Por, vetëm kaq ama. Në gabimin e parë në mesfushë, Skënderbeu i ndëshkon: Deliç humb topin, të cilin e merr Lilaj. Ky i fundit pason për Pejiç dhe fundi është i kuptueshëm: rrjetë. Vendësit tentojnë të reagojnë, por regjia me Deliç nuk funksionon, ndërsa Nallbani në mesfushë dhe Hysa në sulm janë thuajse sa për numër. Por, sikur të mos mjaftonte fakti se Vllaznia vuan përpara, vjen edhe gafa e kapitenit Beqiri, i cili i pozicionuar keq nuk arrin ta markojë siç duhet Pejiçin. Kroati merr një top me kokë nga Plaku dhe vërshon drejt portës duke shënuar golin e dytë. Nuk ka më Vllazni në fushë, pasi kuqeblutë janë totalisht të shpërfytyruar.
Kapitullimi – “Muzika” nuk ndryshon as në pjesën e dytë, pasi miqtë e nisin menjëherë me sulme dhe natyrisht nuk vonon goli. Kros në zonë për Pejiç, Beqiri sërish gabon në mënyrë amatoreske duke lënë të pamarkuar kroatin, i cili përballë Vujadinoviçit nuk e ka të vështirë të trefishojë. Trajneri Duro nuk arrin t’u besojë syve, ndërsa Josa nga ana tjetër nuk i përmbahet gëzimit duke festuar së bashku me lojtarët. Gjithsesi, kuqeblutë nuk dorëzohen dhe mundohen që të rikthehen në lojë, teksa tekniku tiranas bën menjëherë ndryshime në formacion për të fuqizuar mesfushën, realisht reparti më problematik. Përgjigjet janë të menjëhershme si me Rexhën dhe më pas me Beqirin, por mungon goli. Ky i fundit do t’i ndizte disi shpresat e vendësve vetëm në minutën e 77-të, kur Smajli gjuan fort në hyrje të zonës me të majtën, duke e përplasur topin dy herë në shtyllë dhe vijë fatale para se sfera të përfundonte në rrjetë. Goli i bukur që i zgjon kuqeblutë, por jo deri në atë stad sa të shikojmë rrejta të tjera, kjo edhe për faktin se Hysa gabon të pagabueshmen, përballë portierit Shehi, ndërsa Rexha është thuajse jetim në zonën e mbrojtur nga dy gjigandë si Gvozdenoviç dhe Bici.

MË I MIRI
Pero Pejiç. Sulmuesi i Skënderbeut tregoi edhe njëherë se është një pikë referimi për repartin ofensiv të skuadrës korçare, po jo vetëm. Lojtari tregoi edhe dje se është absolutisht një ndër sulmuesit më të mirë (për të mos thënë më i miri) të kampionatit shqiptar. Mjaftuan dy gabime në mbrojtje te shkodranët, që Pejiç t’i shfrytëzonte në maksimum duke u dhuruar fitoren kampionëve në fuqi.

MË PAK AKTIVI
Deliç dhe Beqiri ishin dy lojtarët më të dobët në fushën e blertë. Mesfushori malazez zhgënjeu totalisht, duke mos treguar asgjë nga cilësitë për të cilat është blerë gjatë merkatos së verës. Pikërisht për këtë arsye edhe trajneri Duro e zëvendësoi menjëherë në pjesën e dytë. Nuk bëri mirë as kapiteni Elvin Beqiri, i cili u pa qartë që ishte thuajse jashtë forme.

Gafa e anësorit, goli i parë i parregullt
Goli i parë i shënuar nga Pero Pejiç në minutën e 19-të ishte tërësisht i parregullt. Sulmuesi ishte në pozicion jashtë loje në momentin kur mori pasimin nga Lilaj. Gjatë aksionit të golit Pejiç ishte në pozicion të rregullt, por teksa Lilaj vraponte drejt zonës, sulmuesi u nxor në pozicion jashtë loje nga dyshja e mbrojtjes shkodrane Beqiri- Osmani. Mirëpo anësori Devis Korreshi vazhdoi lojën duke gabuar dhe duke u dhuruar korçarëve golin e avantazhit, i pari i sezonit të ri futbollistik. Ndërkaq, një tjetër gabim ishte dhe ai i minutës 83, kur arbitri kryesor Laver Alla nuk i dha kartonin e dytë të verdhë Osmanit për një ndërhyrje të gabuar me taka. Në vend që të ndëshkonte këtë të fundit, arbitri i dha të verdhë Belishës për protesta (ky i fundit nuk kishte as 1 minutë në lojë kur mori kartonin).

Incidentet
Nuk kaloi pa incidente ndeshja e parë e këtij sezoni. Pas golit të shënuar nga Smajli, tifozët hodhën në fushë shishe uji dhe sende të tjera. Për këtë arsye, arbitri Laver Alla u detyrua që ta ndërpriste ndeshjen për pak minuta. Gjithashtu u pa qartë nga kamerat se në atë moment edhe vëzhguesi i këtij takimi, Plarent Kotherja, po mbante shënime në bllokun e tij, çka presupozon se klubi shkodran mund të dënohet.

Nderimi për Sinanin
Para ndeshjes së djeshme është organizuar edhe një ceremoni lamtumire për një nga sulmuesit më të mirë të të gjitha kohërave te Vllaznia e Shkodrës, Vioresin Sinanin. Ky i fundit u largua përfundimisht nga futbolli i luajtur, duke mbajtur tashmë postin e zëvendëstrajnerit të kuqebluve. Para ndeshjes, Sinani bëri xhiron tradicionale përreth “Loro Boriçi”-t, duke i dhuruar madje edhe fanellën e tij një tifozi. Më pas presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dhuroi një pllakatë mirënjohjeje në emër të federatës. Të njëjtën gjë bëri edhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Troshani, i cili i dhuroi golashënuesit një pllakatë me mbishkrimin “Krenaria e Shkodrës”.

“Më dukej si në ëndërr, nuk i mendoja tre gola”
Pero Pejiç, heroi i Skënderbeut në ndeshjen e djeshme në Shkodër, pranon se nuk e kishte menduar kurrë se mund të bënte një debutim të tillë me fanellën e kampionëve në fuqi. Në një bisedë për “Panorama Sport”, sulmuesi kroat tregoi për golat dhe gjithashtu foli për synimet. “Që të jem i sinqertë, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të shënoja tre gola në takimin e parë, aq më tepër përballë Vllaznisë në Shkodër. Nuk më kujtohet mirë për momentin se cilës skuadër tjetër në karrierën time i kam shënuar tri herë brenda një ndeshjeje. Gjithsesi, jam i sigurt se këtë e kam bërë kur kam qenë pjesë e Dinamos. Megjithatë, pak rëndësi ka tashmë se kush realizoi. Mendoj se për mua dhe skuadrën ishte një start i mrekullueshëm. Prisja një takim shumë më të fortë, por pavarësisht fitores sonë, mund të them se Vllaznia është një skuadër e mirë dhe besoj se do të jetë rivale e denjë për vendet e para”, – është shprehur fillimisht Pejiç. I pyetur nëse golat e tij janë një mesazh për ata që nuk besonin tek ai, kroati u përgjigj: “Unë nuk kërkoj që t’i kundërpërgjigjem ndokujt, pasi secili ka mendimin e tij. Unë bëj punën time në mënyrë më të mirë të mundshme me çdo skuadër ku bëj pjesë. Ata që nuk besojnë tek unë, do t’i bind vetëm me gola. Sigurisht, unë nuk mendoj që tani për ‘Këpucën e Artë’. Dua që të bëj më të mirën për Skënderbeun në çdo takim”. Në fund, i pyetur për rivalët, kroati tha: “Ky kampionat besoj se do të jetë më i fortë. Jam i bindur që titulli kampion do të diskutohet mes nesh, Tiranës, Flamurtarit dhe Vllaznisë. Shpresoj ta fitojë Skënderbeu im”.
ADMIR URUCI






www.minuta90.com