Transferime rekord, 5 “legjionarët” sistemohen për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2020 | 22:09

Transferime rekord, 5 “legjionarët” sistemohen për të ardhmen

E premtja ishte një ditë e madhe për legjionarët kuqezinj. Pesë prej futbollistëve të Kombëtares bënë lëvizjet e tyre brenda pak orësh, duke u sistemuar në destinacione të reja për të vijuar karrierën e tyre. Për fat edhe të Kombëtares, bëhet fjalë për katër kampionate në ligat respektive kryesore dhe një në ligën e dytë. Sokol Cikalleshi, Ardian Ismajli dhe Taulant Seferi janë zyrtarizuar dje në skuadrat e reja me të cilat do të vazhdojnë karrierën në kampionatet elitare. Sulmuesi kuqezi është ngjitur në elitën e futbollit turk.
shqiperia
Qendërmbrojtësi lë Kroacinë për Serinë A italiane. Mesfushori është rikthyer te Jang Bojs, pas huazimit tek ekipi i Ksamaksit. Ndërkohë, Taulant Xhaka është rikonfirmuar edhe për tri vite të tjera te skuadra e Bazelit deri në vitin 2024. Mesfushori anësor, pas largimit nga Sioni, rigjen pas një dekade Grasshopersin, me synimin për ta rikthyer në elitën helvete.

SOKOL CIKALLESHI
sokol cikalleshi
Bomberi i Kombëtares është rikthyer në elitën e futbollit turk. Sokol Cikalleshi ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë të lidhur për dy vite me skuadrën e Koniasporit. Interesi i kësaj të fundit për shërbimet e shqiptarit ka qenë i madh dhe ka përballuar edhe sakrificat ekonomike, duke ia blerë kartonin e tij Akhisarsporit. Koniaspor ka dhënë një shumë të konsiderueshme për kartonin, duke bindur Akhisarsporin dhe vetë sulmuesin. Pasi kaloi testet mjekësore, Cikalleshi është prezantuar nga klubi i elitës turke. Ai ka zhvilluar 303 ndeshje në karrierën e tij duke shënuar 92 gola. Gjithashtu, Cikalleshi ka zhvilluar 35 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, me të cilën ka realizuar 7 herë.

ARDIAN ISMAJLI
ardian ismajli

Ardian Ismajli ka mbërritur dje në Specia, ku edhe pritet që të prezantohet zyrtarisht si mbrojtësi i kësaj të fundit. Teksa të gjithë akordet janë arritur, kanë mbetur vetëm dy testimet “COVID”, për të cilat duhet të ketë dy përgjigje negative që më pas mbrojtësi të ketë mundësinë të kryejë vizitat mjekësore, të firmosë kontratën dhe të prezantohet përpara se të dalë më pas në stërvitje me ekipin italian. Mediat pranë klubit italian të Specias raportojnë se futbollisti shqiptar është përshëndetur për herë të fundit me ish-shokët e skuadrës kroate Hajduk Split dhe ka kaluar disa ditë në Kosovë. Më pas lojtari ka prerë biletën për në Itali dhe ka mbërritur dje. Bëhet fjalë për një transferim rreth 3 milionë euro që shkojnë në arkat e Hajdukut dhe Ismajli pritet të përfitojë rreth 4.2 milionë euro për një kontratë katërvjeçare.

TAULANT XHAKA
taulant-xhaka (1)

Mesfushori i Kombëtares do të vazhdojë të jetë pjesë e Bazelit. Taulant Xhaka u ka dhënë fund të gjitha dilemave, teksa ka firmosur deri në vitin 2024. 29-vjeçari ka dalë nga akademia e këtij klubi dhe nga 2010-ta është pjesë e ekipit të parë, përveç sezonit 2012-2013, kur luajti i huazuar te Grasshopers. Mesfushori ishte në bisedime me Beshiktashin në Turqi, por në fund nuk është finalizuar dhe Xhaka do të vazhdojë të jetë pjesë e Bazelit edhe për tri sezone të tjera krahas atij 2020-’21 për të cilin ishte nën kontratë me helvetët.

ERMIR LENJANI
ermir-lenjani-albania_5iefmvxk3l531d1ewzcrdmx50-1536x864

Mesfushori që mund të luajë në çdo rol të linjës së majtë, është rikthyer pas një dekade te skuadra e Grasshopersit. Ermir Lenjani është ribashkuar me skuadrën, pjesë e së cilës ka qenë në Superligën helvete në sezonin 2010-’11. Lenjani në 3 sezonet e fundit ishte pjesë e Sionit. Futbollisti i Kombëtares ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Grasshopers.

TAULANT SEFERI
taulant seferi

Pas një sezoni huazim te Ksamaks, Jang Bojs ka vendosur të rikthejë futbollistin e Kombëtares. Taulant Seferi do të rikthehet të jetë pjesë e ekipit të elitës së futbollit zviceran, me të cilin ka kontratë deri në 2022. Më herët, Seferi ishte i huazuar tek Uinterhur dhe Ksamaks. Tani do të provojë të tregojë vlerat në elitën helvete.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"