Trajneri e sheh grupin “top”, Çela: Të ndërtuar për elitën, ringritja e Flamurtarit nis pas pushimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2023 | 12:01

Trajneri e sheh grupin “top”, Çela: Të ndërtuar për elitën, ringritja e Flamurtarit nis pas pushimit

Emiljano Çela sheh ringritjen e Flamur tarit pas pushimit. Pikët e lëna në këto 7 javë të para, do t’i rikuperojnë tani e tutje. Këtë e paralajmëron gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, kur analizon me detaje gjithçka që ka ndodhur deri më tani.

CELA FLAMURTARI

“Nuk e besoj se pushimi do të na ndihmojë ne. Besoj se më shumë do t’u bëjë mirë të tjerëve. Ne jemi një ekip që i kemi bërë të gjitha proceset. E kemi filluar punën që në korrik. Mendoj se kjo fazë do të ishte e rëndësishme për ne, për të rikuperuar pikë. Ekipet e tjera do të bien fizikisht, ndërsa ne do të ngrihemi. Kur të ndodhë kjo gjë dhe të jemi kolauduar me njëri-tjetrin, aty do të gjejmë edhe vazhdimësinë. Aty do të vijnë ato fitore që të gjithë i presim”, shprehet fillimisht trajneri i vlonjatëve.

NGJESHJA

Komenton edhe ngjeshjen e garës, por ndalet edhe Elbasani. “Nuk mendoj se me Apoloninë ndikoi lodhja. Në lojë u futën lojtarë të freskët dhe ekipi punoi mirë. Nëse e vutë re, ne e mbyllëm ndeshjen në zonë të rrezikshme kundërshtare. Mjaftonte ai pasi i fundit, ajo zgjidhje kualitative ose edhe individuale për të fituar ndeshjen. Me Besën bëmë atë që thashë përpara takimit. Dhamë maksimumin dhe shkuam në limite. Tani ky pushim dyjavor na gjen më të qetë. Do të bëhemi gati tani për të përgatitur ndeshjen aq shumë të rëndësishme me Elbasanin”, shprehet Çela, që e ka mendjen te java e 8-të.

SUPERIORJA

Thekson se Flamurtari është ndërtuar për Superiore dhe nuk do të dorëzohet derisa ta arrijë këtë mision. “Flamurtari është një ekip që është krijuar për elitë, pavarësisht problematikave që kemi pasur në këto ndeshje të para. Mendoj se ne duhet të bëhemi të durueshëm, sepse ky është një kampionat i gjatë. Është një garë me 36 ndeshje, ndërsa vetëm 7 kanë kaluar. Jam i sigurt se ekipet që do të ngjiten në elitë, janë ato, të cilat do të kenë vazhdimësi. Jo vetëm nga mënyra e të punuarit apo organizimit, por edhe në të gjitha fazat e tjera të proceseve të punës”, u shpreh memalioti i stolit të kuqezinjve.

KUPA

Rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë e nisin me Luftëtarin dhe ky kompeticion i josh jo pak. “Kupa e Shqipërisë, sidomos faza e parë e turitliminator, do të jetë një mundësi e mirë për të parë lojtarë të tjerë. Qoftë ata që aspirojnë, qoftë ata që pretendojnë apo edhe ata që ne kemi në plane, e mund të bëjnë pjesë në 11-shen e parë. Patjetër që është një test shumë i vlefshëm për të gjithë ne. Edhe në Kupën e Shqipërisë ne duam që të shkojmë sa më larg”, përfundon Çela.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"