“Tomori u kthye, e shpëtojmë sezonin”, kapiteni Çaço: Vetëm portën s’e kam provuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2024 | 23:33

“Tomori u kthye, e shpëtojmë sezonin”, kapiteni Çaço: Vetëm portën s’e kam provuar

Ka nisur kthesa e vërtetë për Tomorin. Katër pikë të marra në 180 minuta, janë dëshmia më e mirë. Skuadra ka braktisur edhe vendin e fundit, duke i shtuar shanset vetes për të shpëtuar këtë sezon. Kontribut të padiskutueshëm në fitoren e parë pas 127 ditësh dha edhe kapiteni Ervis Çaço. Një mbrojtës që ndihmon sulmin, e bën 35-vjeçarin një “xhol”.

Caco-750x430

Ai është i lumtur që gjeti rrjetën dhe paralajmëron se nuk do të ndalen pa realizuar misionin. “Fitorja ndaj Apolonisë, ka treguar forcë karakteri. Jo vetëm kaq, por konfirmoi se jemi kthyer. Viti 2024 ka nisur mbarë për ne. Katër pikë, janë produkt i punës së madhe që është bërë. Objektivi ynë modest i qëndrimit në kategori, është totalisht i realizueshëm.

Personalisht ndihem mjaft mirë, mes këtij grupi të ri që është ndërtuar. Me eksperiencën time, po mundohem që të japë një dorë. Në karrierën time kam luajtur në të gjitha pozicionet, përveç portierit. Por mosha nuk më pengon aspak që të jap gjithçka për interesat e Tomorit. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e fundit, kur tekniku më vendosi në sulm, repart ku unë kam luajtur në rininë time të hershme”, tha kapiteni i beratasve për gazetën.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"