Kupa “Mandi Xhamo”/ Tomori, aktivitet për një nga figurat e futbollit beratas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 18:23

Kupa “Mandi Xhamo”/ Tomori, aktivitet për një nga figurat e futbollit beratas

Me iniciativën e përbashkët të Bashkisë Berat dhe klubit të futbollit Tomori, si dhe në bashkëpunim me Zyrën Arsimore Rajonale u zhvillua Kupa “Mandi Xhamo” midis shkollave të qytetit. Ky aktivitet është organizuar në nderim të një prej figurave të njohura të futbollit beratas, një emër i njohur me kontribut të madh në historinë e futbollit vendas.

KUPAA MANDI XHAMO

Xhamo ka qenë ish-futbollisti i mirënjohur i Tomorit, Partizanit dhe Kombëtares në vitet ‘50– ‘60. Ai ka lënë gjurmë në historinë e futbollit beratas si futbollist dhe trajner i Tomorit. Një vlerësim të madh, “Mjeshtri i Sportit”, ka edhe për punën e kryer në shkollën “1 Maji”, ku ka shërbyer më shumë sesa 25 vite, për formimin e disa brezave, që kanë spikatur në radhët e Tomorit, por dhe në ekipe të tjera në vend. Me një “CV” të pasur si ish-futbollist e trajner dhe i vlerësuar gjerësisht për kontributin e tij për futbollin beratas, atij i është dhënë dhe titulli, “Qytetar Nderi” i Beratit. Në nder të tij, u zhvillua kupa me emrin e figurës së njohur, Mandi Xhamo. Në përfundim të aktivitetit, që tërhoqi vëmendjen e qindra nxënësve të shkollave të Beratit, por edhe të qytetarëve dhe tifozëve beratas, kupën “Mandi Xhamo” e fitoi shkolla sportive e futbollit “1 Maji”, e cila mundi 1-0 në finale ekipin e shkollës “Shyqiri Lakra”.

KUPA MANDI XHAMOOO

Në ceremoni morën pjesë autoritetet më të larta të klubit dhe Bashkisë Berat, deputetë dhe drejtuesit e Zyrës Arsimore. Në emër të familjes për “Panorama Sport”, djali i ish-trajnerit të mirënjohur, Vangjush Xhamo tha: “I jemi shumë mirënjohës si familje, institucioneve përgjegjëse që zhvilluan këtë veprimtari për një figurë të nderuar dhe me kontribute si Mandi Xhamo. Është rasti këtu që të përcillet edhe një mesazh për të gjithë ata kontribuues të mëdhenj në historinë 100 vjeçare të Tomorit. Falënderime pa fund nga ana jonë si familje, për klubin dhe kryebashkiakun Demo dhe për Zyrën Rajonale Berat”.

Ndërsa Avenir Bejo, që mbulon detyrën e drejtorit teknik te Tomori, dhe një prej organizatorëve e ish-nxënës i tij tha: “Mandi Xhamo është  krenari e futbollit beratas në këto 100 vite, sepse ka kontribuar shumë si futbollist me Tomorin dhe Partizanin, por dhe ekipin kombëtar. Ai ka një meritë të madhe si trajner në shkollën e futbollit duke përgatitur me qindra emra të njohur të Tomorit ndër vite. Ai e meritonte plotësisht nderimin me këtë veprimtari që përmbyllet me Kupën, e cila i dedikohej profesor Mandi Xhamos”.

MANDI XHAMO TOMORI

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"