Tomori ia beson stolin trajnerit Iken Droboniku. Kapiteni Çaço beson te mbijetesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2024 | 20:53

Tomori ia beson stolin trajnerit Iken Droboniku. Kapiteni Çaço beson te mbijetesa

Drejtuesit e klubit beratas më në fund kanë vendosur se kush do të jetë trajneri i ri i Tomorit. Pas largimit të trajnerit Febron Ziu, drejtimi i skuadrës deri në fund të sezonit i është besuar ish-futbollistit Iken Droboniku.

Iken DOBRONIKU dhe zv.trajneri Lisjan Hadaj

Ai njeh mirë ambientin, pasi deri më tani ka drejtuar Tomori U-19. Droboniku do të debutojë si trajner i beratasve nesër në transfertën e Fierit, ku për ironi të fatit fitoren e parë e kërkon ndaj ish-skuadrës, Apolonisë. Në kushtet ku ndodhet aktualisht skuadra beratase në renditje, mbijetesa e Tomorit kalon vetëm duke siguruar pikët e nevojshme në transfertë.

Kapitenit Ervis Çaço në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” siguroi se Tomori asnjëherë nuk do të dorëzohet përpara vështirësive. “Pikët në transfertat e mbetura janë e vetmja zgjidhje për mbijetesën tonë. Ky është një fakt që na vendos ne si skuadër përpara detyrës për të luajtur me më shumë kurajë dhe besim, në mënyrë që të sigurojmë pikët që na duhen. Të katër transfertat e mbetura do t’i luajmë ndaj kundërshtarëve që meritojnë vlerësim dhe respekt maksimal, por ne do t’i marrim ndeshjet një e nga një.

Fryma që po përcillet aktualisht nga stafi teknik tek ekipi, po na shton dukshëm motivimin dhe besimin për të kërkuar rezultatin që na duhet. Mendoj se ndeshja me Apoloninë do të tregojë qartë se Tomori do të luaj i bindur për të dalë nga fundi i renditjes në 2-3 javët e ardhshme. Mrekullitë ekzistojnë edhe në futboll, ndaj dhe Tomori nuk dorëzohet”, u shpreh kapiteni Çaço.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"