Tjetër largim në horizont te Flamurtari, lojtari nuk stërvitet prej ditësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 9:31

Tjetër largim në horizont te Flamurtari, lojtari nuk stërvitet prej ditësh

Jorgos Sarris mund të jetë largimi i radhës nga Flamurtari. “Eksodi” nisi me ikjen e Semir Bajraktareviçit dhe vazhdoi me Lirim Memën dhe Bajram Nebihun, por ka shumë të ngjarë që nuk do të mbyllet këtu. Greku është i radhës që i ka ditët e numëruara në Vlorë. Ai nuk ka qenë ditët e fundit në stërvitje, ndërsa është justifikuar te trajneri se është i dëmtuar dhe nuk mund të zbresë në fushë. 

Sarris

DYSHIMET 

Këtë justifikim e ka dhënë përpara ndeshjes me Laçin, por edhe pas tij. Pra, jo vetëm që nuk luajti, por as nuk po stërvitet. Sarris i ka thënë trajnerit se nuk është në gjendje të zbresë në fushë për shkak të dëmtimit, por Luan Birçes nuk i është mbushur mendja. E megjithatë, i vendosur para kësaj situate është detyruar që ta dërgojë atë në shtëpi. “Në rregull. Meqë je i dëmtuar shko në shtëpi, vazhdo pusho”, mësohet se i ka thënë tekniku. Por me shumë mundësi, këto mund të jenë shenja të një largimi. Ashtu si edhe tre lojtarët e tjerë, edhe mbrojtësi nuk po e përjeton mirë situatën aktuale në klub. Mungesa e rrogës ndoshta e ka lodhur lojtarin.

luan birce

STËRVITJA

Luan Birçe “shtrydh” ekipin në stërvitje. Fitorja mungon që prej sezonit të kaluar, ndaj dëshira për të gjetur kthesën e madhe përballë Bylisit sa vjen edhe shtohet. Me këtë moto e ka nisur seancën dje trajneri. Punë, autoritet dhe shumë të bërtitura. Trajneri bëri që ekipi të “djersisë” para javës së 15-të. Ekipit i janë bashkuar në stërvitje edhe shkodranët Xhevahir Sukaj, Olsi Gocaj dhe Denis Pjeshka, të cilët munguan pardje. Seanca e djeshme ka nisur me ushtrime fizike. Lojtarët kanë kryer veprime shpejtësie nën drejtimin e përgatitësit atletik.

Flamurtari2

Më pas, janë përqendruar te përgatitjet tekniko-taktike. Edhe në seancën e djeshme, Birçe ka nxjerrë në pah mënyrën e tij të lojës me katër sulmues. Sukaj, Hoxha, Vatnikaj dhe Ribaj janë provuar para porte. Sulmuesit Sukaj dhe Hoxhaj janë vendosur përballë portierit Moçka, ndërsa dyshja Vatnikaj-Ribaj përballë portierëve Shala dhe Bushi. Lojtarët e tjerë janë provuar për krose. Rrapaj, Zeqaj, Deliaj, Qarri, Haruni, Gocaj e të gjithë me radhë kanë nisur krosin që nga këndi e drejt sulmit, aty ku kanë gjetur respektivisht katër sulmuesit duke u shërbyer, ndërsa Sukaj, Hoxha, Vatnikaj dhe Ribaj duhet që të ishin të saktë drejt portës. Pasi i ka provuar të gjithë lojtarët me krose drejt sulmit, më pas të gjithë janë provuar brenda grupit me qarkullime të topit, por edhe me goditje drejt portës.

KËSHILLAT 

Trajneri shpesh ka ngritur zërin edhe me tone të larta në seancën e djeshme stërvitore. Ai ka kërkuar që lojtarët të jenë të saktë në gjuajtje, por edhe të ndjekin veprimet e njëri-tjetrit. Birçe kishte dje edhe frikën e ndonjë dëmtimi të Nikës, që ka pasur edhe probleme më herët. Ndaj, u dëgjua teksa i ka tërhequr vëmendjen: “Nika po ndien dhembje, mos e godit fort topin”. Por tekniku ka edhe një mesazh për të gjithë në grup, teksa u drejtohet të gjithëve duke u thënë: “Futbolli është lojë me tru. Në futboll duhet të të punojë mendja”.

E.SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"