Tjetër firo tek skuadra e Kategorisë së Parë, largohet ish-portieri i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2021 | 12:54

Tjetër firo tek skuadra e Kategorisë së Parë, largohet ish-portieri i Tiranës

Tjetër largim nga Besa. Pas Egzon Shimajt, Jurgen Peqinit e Jetmir Sefës, listës i shtohet edhe Klajdi Kuka. Portierit i ka skaduar kontrata me klubin dhe pak gjasa ka që të rinovojë.

Kuka

Një gjë të tillë e paralajmëroi vetë presidenti Nexhat Bizhdili, gjatë deklaratës së dhënë në numrin e një dite më parë te “Panorama Sport”. Ai konfirmonte Ilir Dobjanin si titullar për katërkëndroin, ndërsa ishte në kërkim të zëvendësuesit. Paqartësi ka edhe për disa titullarë të tjerë, ndërsa nuk dihet ende fati i Ledjon Muçajt apo edhe Alsid Tafilit. Ky i fundit ka dëshirë të mbetet pjesë e kavajasve dhe këtë e ka pohuar hapur, por pa hedhur “të zezën mbi të bardhë” garanci nuk ka.

E njëjta gjë nuk vlen për kapitenin, pasi nuk ka të dhëna as për një akord parimor. Falë kontratave 3 dhe 5-vjeçare, mbeten pjesë e organikës emra si: Perja, Lila, Zekolli, Zeqiri, Kacbufi, Meçja apo disa të tjerë të rinj. Sezoni i ri pritet që të jetë i gjashti radhazi për verdhezinjtë në inferiore. E megjithatë, portieri Ilir Dobjani mendon se do të jetë i fundit.

“Sikur u mësuam gabimisht me Kategorinë e Parë, duke harruar ‘shtëpinë’ tonë të vërtetë: Superioren. Jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët e tjerë kavajas mendojnë si unë. Ka një kufi çdo pritje dhe besoj fuqishëm se më në fund është radha jonë të kthehemi në ‘shtëpi’. Formati i ri nuk ndikon, pasi Besa ka luajtur si në grupin e Veriut ashtu edhe të Jugut dhe i njohim të gjitha ekipet. Sa për veten do vijoj të punoj fort për të justifikuar besimin e klubit”, përfundoi gardiani për gazetën.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"