Tirana “pazar” në Gjirokastër, ofertë zyrtare për mesfushorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2018 | 21:50

Tirana “pazar” në Gjirokastër, ofertë zyrtare për mesfushorin

Tirana i bën ofertë zyrtare mesfushorit të Luftëtarit, Albano Aleksi. Burime të “Panorama Sport” pranë lojtarit dhe klubit bardheblu, treguan dje se palët kanë diskutuar që në muajin e kaluar për një transferim të mundshëm të 25- vjeçarit fierak drejt Tiranës.

albano aleksi

Mirëpo, pavarësisht dëshirës së drejtuesve kryeqytetas, gjithçka është stopuar për faktin se Luftëtari nuk e lë të lirë Aleksin. Madje, në klubin gjirokastrit po bëjnë llogari të tjera, pasi për mesfushorin ka disa oferta nga ekipe jashtë Shqipërisë dhe do të shikohet mundësia e shitjes për një vlerë të kënaqshme. Këtë e ka konfirmuar vetë presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo. “Asnjë nga lojtarët e Luftëtarit nuk ka shans të iki në klubet brenda vendit.

Lejdi Licaj - Albano Aleksi

Prej muajsh menaxherë të huaj po vëzhgojnë lojtarët tanë dhe nuk është sekret tashmë që për Aleksin, Rrocën etj., kanë ardhur oferta. Ne do të negociojmë për shitjen e tyre vetëm me klube jashtë Shqipërisë”, ka thënë Tavo. Ndërkohë, Aleksi prej tre sezonesh është një titullar i padiskutueshëm me fanellën bluzi, por edhe pse mund të jetë joshur nga oferta e bardhebluve, është nën kontratë me Luftëtarin deri në verën e vitit 2019.

 

Mesfushori nuk është i vetmi lojtar që bardheblutë kanë pikasur te skuadra gjirokastrite. Interesim kanë shfaqur edhe për fantazistin Eduard Rroca, por gjithsesi edhe ky i fundit është nën kontratë. Mbetet për t’u parë nëse Tirana do të insistojë për Aleksin, por gjasat janë të pakta, pasi Luftëtari kërkon një shumë të majme.

Luftetari

LISTA E DËSHIRAVE

Që pas rikthimit në Kategorinë Superiore, Tirana nuk ka zyrtarizuar asnjë afrim në merkato. Fillimisht, klubi ka blinduar stafin teknik, duke konfirmuar trajnerin brazilian, Ze Maria, edhe për dy vite. Gjithashtu, bardheblutë kanë rinovuar kontratën me mbrojtësin e majtë, Erjon Hoxhallari. Trajneri dhe drejtuesit kanë përpiluar një listë dëshirash për merkaton, teksa deri më tani, krahas Aleksit dhe Rrocës nga Luftëtari, ka pasur kontakte edhe me fantazistin malazez, Marko Cetkoviç, i cili ka luajtur në Superiore me Laçin dhe Partizanin.

Gjithashtu në planet e bardhebluve janë edhe mesfushorët e Skënderbeut, Sabjen Lilaj e Bruno Dita. Ndërsa bisedime konkrete ka pasur me kapitenin e klubit kosovar, Llapi, mesfushorin Hamdi Namani. Negociatat vijojnë, por, me sa duket, edhe bardheblutë, ashtu si disa klube elitare, po presin një herë se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"