EKSKLUZIVE/ Tirana me sytë tek ekipi i sezonit të ardhshëm, drejtuesit shënjestrojnë tre yjet e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2021 | 17:15

EKSKLUZIVE/ Tirana me sytë tek ekipi i sezonit të ardhshëm, drejtuesit shënjestrojnë tre yjet e Apolonisë

Tirana është duke punuar për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ri futbollistik. Pas interesimit për De Silvën e Kastriotit, bardheblutë po shohin tek ekipet e tjera. Bëhet fjalë për ato që janë në fund të tabelës dhe që mund të bien një kategori më poshtë apo që nuk do t’i mbajnë lojtarët. Një nga skuadrat që me shumë mundësi do të ketë largime, është Apolonia, e cila ka shumë lojtarë interesantë. Tre prej tyre, për të mos folur për të tjerë, janë në orbitën e Tiranës. Bëhet fjalë për Eljon Sotën, Mario Gjatën dhe Redon Mihanën.

Tirana festa5

Të tre lojtarët kanë treguar cilësi të mira dhe prej kohësh ndiqen nga Tirana. Drejtuesit kanë biseduar paraprakisht dhe mund të ketë ndonjë marrëveshje në të ardhmen apo kanë rënë dakord me lojtarët pa kontratë. Në fakt, që prej kohës së Arbi Laçit ka pasur tentativa për të afruar lojtarët, por asgjë nuk është konkluduar. Duket se tani situata ka ndryshuar dhe Tirana i ka shumë qejf këta lojtarë, por edhe të tjerë në Superiore. Nuk është çudi që në fund të sezonit që ndonjëri prej Sotës, Gjatës e Mihanës të vishet bardheblu. Problemi i vetëm mbetet që ofertat ndaj lojtarëve janë të shumta.

Sota6

SOTA – Eljon Sota është një nga mbrojtësit e qendrës së Apolonisë. Është futbollisti, i cili është aktivizuar më shumë te fierakët me më shumë minuta, më saktë 2250. Lojtar i Shpresave dhe ish-kapiten i skuadrës, për skemën me tre lojtarë të Tiranës është perfekt. Për më tepër që bardheblutë mund ta afrojnë në ekip me shpenzime më të ulëta. Në sezon ka marrë vetëm 3 kartonë dhe është një nga futbollistët që luan më pastër. Mosha shumë e re, vetëm 22 vjeç. E bukura qëndron në faktin që në maj lojtari mbush 23 vite dhe për të nuk paguhet as periudha e formimit.

Mihana-Gjata

GJATA – Mario Gjata luan në sulm. Ka shënuar gjashtë gola në 24 takime, duke u aktivizuar 1470 minuta. Vetëm 20 vjeç, lojtari ka të ardhme të madhe përpara, sepse e njeh shumë mirë portën, me një skuadër më të mirë, sidomos nëse do të mbështetet nga skuadra bardheblu.

MIHANA REDON

MIHANA – Redon Mihana ka kohë që ka rënë në sy, si të Tiranës por edhe skuadrave të tjera. Luan si sulmues krahu dhe mund të jetë një zëvendësues perfekt për Kalenë e Ismajlgecin nëse largohen. Vetëm 21 vjeç dhe nga më të aktivizuarit. Nuk i mungon asgjë, veç skuadra e madhe. Tirana mund të jetë ekipi i duhur.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"