Tirana e Dedes e nis me “X” kundër Teutës. Bardheblutë zbresin të pestët në renditje…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2013 | 13:20

Tirana e Dedes e nis me “X” kundër Teutës. Bardheblutë zbresin të pestët në renditje…

TeutaTIRANA-TEUTA 1-1
GOLAT: Abilaliaj 71’/ Hyshmeri 62′
TIRANA: I.Lika, Sina (Abilaliaj 69′), Pisha, Dushku, Ahmataj, Taku, Duro (Limani 65′), G.Muça, G.Lika, Hysenbelliu (Morina 46′), Çota; Trajner: N.Dede
TEUTA: Rizvani, Sakaj, Jakupi, Sheta, Da Silva, Osmani, Tairi, Hodo, Nika (Hyshmeri 56′), Mancaku (Veliaj 76′), Xhafaj (Muriqi 46′); Trajner: G.Magani
KARTONË TË VERDHË: Dushku 61′, G.Muça 70’/ Tairi 31′ Sheta 51′, Da Silva 74′, Muriqi 94′
VËZHGUES: Pajtim Aliko (Vlorë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: L.Jemini (Tiranë), G.Koka, R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
3′ G.Lika kontrollon topin, futet në zonë dhe gjuan, por traversë.
5′ Gabim i Shetës, topi kthehet te Duro, i cili në zonë pengohet nga Jakupi. Pretendohet penallti, por Jemini nuk mendon kështu. 20′ Goditje këndi, ekzekuton Duro drejt e në portë, por Rizvani pret, edhe pse me vështirësi.
25′ G.Lika kroson në zonë për Duron, por mesfushori nuk e arrin dot.
27′ Aksion thuajse perfekt i Tiranës, Ahmataj kombinohet me G.Likën, pason te Çota, por ky i fundit ngatërrohet dhe humb kontrollin e topit.
31′ Da Silva kroson për Xhafajn, i cili me kokë gjuan fort, por nuk gjen kuadratin.
35′ Mancaku kroson në zonë për Shetën, mbrojtësi tenton me kokë, por vetëm mbi tra.
39′ Hysenbelliu kroson në zonë për Çotën, por sulmuesi nuk arrin të koordinohet para porte.
42′ Duro merr krahun, gjuan fuqishëm, pret Rizvani. Topi kthehet te G.Lika, i cili në zonë merr një ndërhyrje nga Sakaj. Bardheblutë duan penallti, por kryesori nuk mendon kështu.
62′ Kros në zonë për durrsakët, topi mbetet në 16-she, ka rrëmujë, përfiton Hyshmeri, i cili gjuan e shënon dhe 0-1.
71′ Dushku fut një top në zonë, Taku pason për Abilaliajn, i cili shtyn topin në rrjetë dhe barazon shifrat në 1-1.
75′ Limani godet nga larg, në një rast që duket pa pretendime, por që përbën rrezik për Rizvanin, i cili priti me vështirësi.
80′ G.Lika kroson në zonë për Abilaliajn. Sulmuesi, edhe pse në një pozicion ideal, nuk arrin të gjuajë.
81′ Muriqi galopon, futet në zonë, në tentativë për të goditur e neutralizon G.Muça.
90′ Rrëmujë në zonë, por asnjë nga sulmuesit e Tiranës nuk përfiton që ta shtyjë topin në rrjetë.

Tirana barazon 1-1 me Teutën. Aventura e Dedes në krye të bardhebluve ka nisur me një “X”. Një pikë që më shumë kënaq durrsakët. Tani 24 herë kampionët e shohin veten të pestët në tabelë, ndërsa janë parakaluar edhe nga Kukësi. Takimi i luajtur dje në orën 17:00 në “Qemal Stafa” ishte tejet i luftuar, porse u vendos vetëm nga dy episode. Një 90- minutësh me dy tablo, teksa 45 minutat e para ishin të qeta edhe pse me raste, ndërkohë që të dytat nisën më me vrull. Të parët shënuan miqtë me anë të Hyshmerit, por shumë shpejt barazoi Abilaliaj, i cili dje e bëri sefte.
Pjesa e parë Tirana e nis lojën te zona mike. Rasti i parë vjen në sekondën e 10-të me anë të G.Likës, por pa rezultat. Tjetër tentativë: këtë herë Ahmataj pason për Çotën, por ky i fundit nuk gjen portën. Minuta e 5-të ofron një moment të dyshimtë, ndërsa vendësit pretendojnë edhe penallti. Gabim i Shetës, topi kthehet te Duro, i cili në zonë pengohet nga Jakupi. Mirëpo loja vazhdon. Në të 3-ën minutë G.Lika kontrollon topin, futet në zonë dhe gjuan, por traversë. Në të 20- ën Duro rrezikon që nga goditja e dënimit, por Rizvani pret, edhe pse me vështirësi. Pas 5 minutash G.Lika kroson në zonë për Duron, por mesfushori s’e arrin dot. Tjetër rast për bardheblutë, madje aksioni ishte thuajse perfekt, deri në momentin e finalizimit, teksa Çota ngatërrohet dhe humb kontrollin e topit. Pas këtij episodi reagon Teuta. Në të 31-ën minutë Da Silva, i cili ishte në një ditë të mirë, kroson për Xhafajn, që me kokë gjuan fort, por nuk gjen kuadratin. Tirana ngulmon duke shtuar sulmet. Në të 39-ën minutë Hysenbelliu kroson në zonë për Çotën, por sulmuesi nuk arrin të koordinohet para portës. Pak minuta para fundit të kësaj pjese, Duro merr krahun, gjuan fuqishëm, pret Rizvani. Topi kthehet te G.Lika, i cili në zonë merr një ndërhyrje nga Sakaj. Bardheblutë duan penallti, por kryesori nuk mendon kështu. Pjesa e parë mbyllet pa gola.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis më i qetë, ndërsa lojtarët dukeshin më kërkues. Teuta insiston për të gjetur golin, i cili nuk vonon. Në të 62-ën minutë kros në zonë për durrsakët: topi mbetet në 16- she, ka rrëmujë, përfiton Hyshmeri, i cili gjuan e shënon 0-1. Avantazhi bënë me “krahë” miqtë, por nga ana tjetër karikon edhe më shumë kryeqytetasit. Pas disa përpjekjeve në të 71-ën minutë ata i barazojnë shifrat. Dushku fut një top në zonë, Taku pason për Abilaliajn, i cili shtyn topin në rrjetë, duke i barazuar shifrat në 1-1. Bardheblutë nuk kënaqen me një pikë, ndaj edhe trajneri Dede ndryshon skemë (nga 4-3-3 e bën 3-4- 2-1). Lojë më sulmuese, por duket se finalizimi mbetet një gangrenë për bardheblutë. Krijohet, por nuk shënohet. Në minutën e 75- të është Lamani, i cili kërkon të befasojë me një gjuajte nga larg pa shumë pretendime, por Rizvani largon rrezikun duke pritur edhe pse me vështirësi. Në të 80-ën vendësit shpërdorojnë, G.Lika kroson në zonë për Abilaliajn. Sulmuesi, edhe pse në një pozicion ideal nuk arrin të gjuajë. Kundërsulm i shpejtë i Teutës: Muriqi galopon, futet në zonë, por në tentativë për të goditur e neutralizon G.Muça. Tentativa e fundit është e bardhebluve, të cilët nuk përfitojnë nga një rrëmujë në zonë. Sekondat e mbetura nuk mjaftojnë për t’i ndryshuar shifrat, ndaj të dyja skuadrat ndahen me nga një pikë.

MË I MIRI
Lojtarët që spikatën dje në fushë ishin Gentian Muça për Tiranën dhe Fernando da Silva për Teutën. I pari, i rikthyer si titullar në formacionin bardheblu, ka shpërthyer duke bërë një 90-minutësh të mirë në mesin e fushës. Të njëjtën gjë bëri edhe braziliani, i cili ishte një rrezik konstant për kryeqytetasit. Madje, krahu i tij ishte thuajse i pakalueshëm. Për t’u vlerësuar ishte edhe Abilaliaj, i cili dje gjeti rrugën e rrjetës.

MË PAK AKTIVI
Në kompleks ndeshje ishte pozitive, por pati edhe nga ata lojtarë që nuk bënë thuajse asgjë. Një ndër to ishte edhe Ansi Nika, i cili qe thuajse inekzistent. Mesfushori i Teutës nuk krijoi asnjë rrezik. Por edhe sulmi i durrsakëve ishte në një ditë të dobët, teksa ra në sy Xhafaj. Vlonjati edhe pse ka shpërthyer gjatë javëve të fundit, dje nuk arriti që ta rrezikonte thuajse asnjëherë portën e mbrojtur nga Ilion Lika.

“Barazuam, por Europa na pret”
Një barazim për të është shumë pak, por nga ana tjetër vlerëson grintën e shfaqur në fushë. Nevil Dede ka analizuar debutimin e tij në krye të bardhebluve. Ai ka rezerva për finalizimin, ndaj kërkon që në vazhdim të mos përsëriten të njëjtat gabime. “Kam pesë ditë në krye të Tiranës. U përgatitëm me aq kohë sa kishim për të ndryshuar diçka dhe u munduam. Ju e patë edhe vetë se lojtarët nuk kanë diferencë. Madje, sikundër u konstatua, ata që u futën nga stoli sollën ndryshimin. E dija që do të ishte e vështirë, por jo e pamundur, megjithatë fakti që ekipi reagoi më jep deri diku shpresë. Sa i përket ndeshjes dhe analizave teknike, luajtëm me shpirt e zemër, por jo me qartësi. Gabuam në ndërtimin e aksioneve, si edhe me daljet në sulm. Rastet i patëm, por në momentin më të mirë kundërshtari na ndëshkoi. Futbolli i tillë është, sidoqoftë e rëndësishme është që treguam karakter dhe nuk u dorëzuam. Jo më kot edhe barazuam. Mund të fitonim, sigurisht, por ndoshta nuk do e meritonim. Teuta ishte rreshtuar në mbrojtje dhe me të drejtë, pasi për një pikë ishte e mjaftueshme. Kemi shumë punë për të bërë dhe për të ndrequr. Gjithsesi, dua të përgëzoj lojën e disa elementëve, si Muça për shembull “, – tha trajneri.
Objektivat – Dede nuk dorëzohet dhe mendon se në 10 javët e mbetura Tirana do të rifitojë objektivat. “Kanë mbetur jo pak, por 10 javë. Misioni për të qenë pjesë e zonës ‘Euro’ bëhet i vështirë, megjithatë jo i pamundur. Në fakt, duhej të fitonim që sot (dje), pasi kishim përballë një rival direkt. Ja pse ky barazim na mërziti shumë. Sa i përket sulmit, diçka nuk shkon. Duhej të shënonim më shumë, mirëpo tani le të mendojmë për takimet e ardhshme”, – vijoi më tej trajneri. Prezenca e shumtë e tifozëve e ka kënaqur, ndaj nuk nguron t’i falënderojë. “I kënaqur për pritjen e tifozëve. I prisja të shumtë, por jo kaq shumë. Dua të falënderoj ndërkaq lojën e mirë të Muçës, Takut, Likës dhe u kërkoj ndjesë për të tjerët që nuk dhanë më të mirën”.

Magani i ekzaltuar: Morëm çka deshëm dhe jemi të dytët
Është përcjellë me brohoritje e daulle dhe kjo e ka lënë tejet të kënaqur. Nuk është pak në fakt që tifozët të të mbështesin në këtë mënyrë, ndaj ai e konsideron si notë kaluese për punën që po bën te Teuta. Flasim për Gugash Maganin, i cili gjatë intervistës që po jepte dje u shoqërua nga mijëra sportdashës që kishin udhëtuar nga kryeqyteti. “E si mos të ndihesh mirë me këta tifozë. Fakti që i kam përkrah jo vetëm që më bën të kuptoj se po e bëj punën mirë, por më jep më shumë zemër për të ecur përpara. I kënaqet pikës dhe snobon Skënderbeun, duke saktësuar se prioritet për të është vendi i dytë dhe asgjë më shumë. “Jam i lumtur për këtë pikë, morëm çka kërkuam. E dija që kjo përballje i kishte të tri rezultatet brenda, ndaj edhe barazimi nuk është pak. Nuk humbëm dhe jemi po të dytët, kësisoj për ne ky është një rezultat i mirë. Skuadra më bindi, ishte e organizuar dhe nuk u dorëzua në asnjë moment. Loja ishte e luftuar dhe për 90 minuta pamë futboll të bukur, çka vlen më shumë se të tjerat. Dua të sqaroj se nuk e kam absolutisht mendjen te Skënderbeu, pasi synimi im kryesor është që të ruajmë vendin e dytë. Ndaj pak rëndësi kanë rivalët. Pasi hodhëm pas krahëve një ndeshje kaq të vështirë, me një kundërshtar direkt si Tirana, do mendojmë për Besën. Një duel i një rëndësie të veçantë, prej të cilit duhet të dalim medoemos me pikët e plota”, – tha Magani.

Tifozët durrsakë zaptojnë fushën
Tifozët e Teutës kanë zaptuar fushën në përfundim të ndeshjes. E çuditshme, por e vërtetë. Menjëherë pasi u mbyll takimi dhe të gjithë sportdashësit e bardhebluve u larguan, ata durrsakë po rrinin në tribunën përkarshi, pasi prisnin që të merrnin udhëzim nga forcat e rendit. Këta të fundit më vonë u thanë se mund të futeshin në fushë, diçka aspak normale, pavarësisht atmosferës së këndshme që u krijua. Në momentin që trajneri i tyre, Gugash Magani, po fliste për mediat, ata e rrethuan dhe nisën të brohorisin, këndonin dhe t’u binin daulleve. Ky episod zgjati diku 3-4 minuta dhe më tej ata u larguan po vetë.

Kontestime për dy penallti të padhëna
Tirana në minutën e 5-të ka pretenduar për penallti. Gabim i Shetës, topi kthehet te Duro, i cili në zonë pengohet nga Jakupi. Pretendohet penallti, por Jemini nuk mendon kështu. Edhe në të 42-tën pati një rast të dyshimtë, kur Duro merr krahun, gjuan fuqishëm, por pret Rizvani. Topi kthehet te G.Lika, i cili në zonë merr një ndërhyrje nga Sakaj. Bardheblutë kërkojnë penallti, por kryesori nuk mendon kështu. Raste të diskutueshme kishte mjaft, por gjithsesi gjykimi nuk ndikoi në asnjë moment në rezultatin final të kësaj sfide. Kontestime pati edhe për disa pozicione jashtë loje të akorduara kundër Tiranës, apo disa faulle.

Dede zbardh filmin që u pa me ekipin
Trajneri Nevil Dede kishte programuar një axhendë ndryshe para ndeshjes së djeshme. Sikundër e publikoi edhe ai vetë, ekipi veç regjimit që do të mbante, gjimnastikës, ndër të tjera do të shihte një film edukativ. Kjo ndodhi dje vetëm pak orë para se bardheblutë të zbrisnin në fushë dhe të përballeshin me Teutën. I pyetur dje se çfarë kishte përzgjedhur që futbollistët e tij të shihnin, ai tregoi se ishte “300”, një film historik nga beteja e Termopileve. Dede duket se po sjell një frymë të re te Tirana, ku dominon disiplina, pse jo edhe argëtimi. Mendohet që kjo praktikë do të ndiqet edhe në vazhdim.

Hyrja falas, mbushet stadiumi “Qemal Stafa”
I kishte munguar kryeqytetit prej javësh tejmbushja e një stadiumi. Një gjë e tillë ndodhi dje, kur Tirana-Teuta rikthehu interesin e tifozëve, mbi 6 mijë të pranishëm. Mbi 2 mijë sportdashës bardheblu dhe 1 mijë që kishin udhëtuar nga kryeqyteti, ishin akomoduar në tribunën përkarshi, duke dhuruar spektakël. Projekti i drejtuesve bardheblu për të hapur dyert, duke lejuar hyrjen falas, pati ndikimin e vet. Jo vetëm “Tirona Fatanics”, por edhe “Djemtë e Detit” ishin organizuar dhe për asnjë moment nuk pushuan së brohorituri. Madje ata të Tiranës, sikundër e kanë zakon, hodhën edhe tymuese për të ndezur edhe më atmosferën. Kjo ishte një formë mirëseardhjeje për trajnerin Nevil Dede, i cili dje ka debutuar si trajner i Tiranës.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"