“Tirana do finalen e Kupës”, trajneri Fagu: “Final-4” ka sjellë presion në ekip, por duhet kujdes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2024 | 9:11

“Tirana do finalen e Kupës”, trajneri Fagu: “Final-4” ka sjellë presion në ekip, por duhet kujdes

Erbim Fagu mendon se humbja e Tiranës kundër Teutës erdhi si pasojë e gabimeve të skuadrës në moszbatimin e detyrave dhe mosinterpretimin e lojës.

FAGU

Trajneri foli për “Panorama Sport” edhe për gjendjen e ekipit, ku gaboi në sfidën me durrsakët dhe çfarë pret në dy takimet kundër Kukësit në Kupën e Shqipërisë dhe Skënderbeut në javën e 30-të në Superiore. Fagu tha se “Final 4” është një objektiv që duhet të arrijë ekipi, por që e ka ngarkuar grupin.

Sipas jush, çfarë ndodhi në sfidën e kampionatit mes Tiranës dhe Teutës?

Ne e kishim përgatitur ndeshjen ndryshe. E kishin studiuar Teutën, pasi kishim luajtur edhe në takimet e Kupës së Shqipërisë. Ndeshjen nuk arritëm ta interpretonim siç duhet dhe siç e kishim planifikuar. Kundërshtari na shënoi dy gola, i pari shumë i bukur, nga ata që i shohim rrallë. Te goli i dytë mbase mund të ishim më të kujdesshëm.

Ka edhe një rast për një penallti në lojë. Keni një koment për episodin në fjalë, por edhe gjykimin në tërësi?

Nuk kam. Derisa gjyqtari nuk e akordoi në lojë, ashtu e mendoi. Me pjesën e gjykimit nuk merrem. Ka specialistë që merren me atë punë. Nuk flas për këtë çështje.

Kjo skuadër që nuk fiton dot dy ndeshje rresht. Çfarë nuk shkon sipas jush?

Në këtë ndeshje ia vë fajin anës së interpretimit të lojës. Kishim punuar ndryshe gjatë javës dhe çaluam në interpretimin e lojës. Gjë që na bëri të dilnim pak nga vetja. Ne nuk po merreshim vesh me njëri-tjetrin. Dilnim me pasime të gjata dhe nuk kishim shumë mbështetje. I tillë është edhe futbolli. Ka edhe ndeshje ku lojtarët nuk janë në ditën e tyre më të mirë.

A ka shpresë për “Final 4” pas kësaj humbjeje delikate kundër Teutës?

Sigurisht që po. Ka akoma ndeshje për të luajtur. Siç e kam thënë edhe më parë, do të shohim kundërshtarin e radhës që të marrim tri pikët dhe të hedhim në hap drejt finales së Kupës.

Ka ndikuar presioni i “Final 4”-it, titullit dhe Kupës në këtë gjendje në ekip?

Po ka ndikuar. Ky është një objektiv që është vendosur përpara dhe lojtarët duan patjetër që të jenë në “Final 4”. Ama çdo ndeshje është e vështirë. Çdo kundërshtar lufton për objektivat e tij dhe presioni do të jetë në çdo ndeshje.

Këtë gjendje dhe këto rezultate, Tirana i ka edhe prej mungesës së alternativave?

Unë personalisht nuk besoj se është çështje alternativash. Kthehem tek interpretimi i lojës. Duhet të jemi më të kujdesshëm gjatë ndeshjes.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"