Thirrja e ish-teknikut Dule për drejtuesit beratas: Tomori shpëton duke larguar trajnerin Ziu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 20:37

Thirrja e ish-teknikut Dule për drejtuesit beratas: Tomori shpëton duke larguar trajnerin Ziu

Febron Ziu është përgjegjës për situatën që po kalon Tomori. Kështu thotë ish-trajneri beratas Santiliano Dule. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” ish-trajneri Dule deklaroi se drejtuesit e klubit duhet që sa më parë të ndryshojnë trajnerin për mungesë rezultatesh, në mënyrë që të frenojnë rënien nga kategoria.

santiliano dule, ish-trajner i Tomorit

Trajneri Dule- “Si trajner më duhet që të respektoj në mënyrë profesionale kolegët, por edhe t’i mbroj ata në rastet kur sulmohen padrejtësisht. Ky është kodi ynë profesional, por ndryshon puna në rastin konkret të Tomorit. Më duhet të analizoj me shumë përgjegjësi situatën aktuale të skuadrës. Si ish-futbollist dhe trajner i Tomorit reagoj edhe me një ndjenjë qytetare, duke iu bashkuar pa asnjë rezervë opinionit futbolldashës beratas, duke i kërkuar klubit dhe Bashkisë Berat që mban presidencën e Tomorit, të ndërhyjnë dhe të marrin masa të menjëhershme për të shkarkuar trajnerin aktual.

Duhet emëruar një trajner i ri, që është shumë më pranë mentalitetit dhe dëshirës për të shpëtuar skuadrën nga amulli e plotë. Nuk dua të paragjykoj aspak trajnerin aktual, por janë faktet dhe rezultatet që e bëjnë të dështuar dhe që duhet të largohet menjëherë. Me 13 humbje dhe 4 pikë të grumbulluara, besoj se s’ka nevojë për koment. Në Berat asnjë trajner nuk ka mbijetuar me të tilla rezultate.

Nuk duhet harruar edhe një detaj, mënyra se si erdhi ky trajner në krye të Tomorit është shumë e dyshimtë. Cilën skuadër kishte drejtuar më parë, çfarë licence ka si trajner? Për të kaluar edhe në dy detaje të tjera, ku prishi organikën në merkaton e janarit. Çfarë marrëdhënieje ka aktualisht me kapitenin e skuadrës, sepse mungesa e besimit dhe bashkëpunimit me kapitenin është minusi më i madh i një trajneri”, tha fillimisht Dule.

Thirrja për drejtuesit

”Unë këtë analizë të mbushur me konstatime, që i di gjithë Berati, po i bëj në mënyrën time të ndershme si qytetar dhe trajner. Në mënyrë shumë dashamirëse, i bëj thirrje presidentit dhe kryebashkiakut Ervin Demo që të marrë në konsideratë shkarkimin e menjëhershëm të teknikut dështak. Tomori nuk ka nevojë për një trajner akademik dhe pa kurrfarë karriere. Skuadrës i duhet një trajner që njeh nga afër mentalitetin dhe historinë e Tomorit dhe mbi të gjitha që të përcjellë grintën që i mungon në këto momente.

Gjithçka po e bëj në interes të skuadrës dhe tifozërisë së Tomorit, pasi personalisht nuk kam asnjë ambicie. Unë punoj në kushte komode te një klub i respektueshëm si Apolonia, që vlerëson dhe çmon trajnerët profesionistë me rezultate dhe jo me ‘adresa’ anonime siç ndodh rëndom në ditët e sotme me disa pseudo trajnerë”, u shpreh ish-trajneri Santilaino Dule.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"