Teuta vuan, por e thyen Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2013 | 9:45

Teuta vuan, por e thyen Laçin

Teuta-Laci 2-1TEUTA-LAÇI 2-1
GOLAT: Mancaku 35′, Muriqi 87’/ Veliaj 79′
TEUTA: Rizvani, Idrizaj, Osmani, Jakupi, Ahmataj (Mustafaj 83′), Dosti, Hodo, Çyrbja (Deliallisi 63′), Nika, Mancaku (Muriqi 71′), Xhafaj. Trajner: Gugash Magani
LAÇI: Bakaj, Ndreka, Buljan, Sefgjini, Çarls, Veliaj, Vucaj, Kastrati, Nimani (Nino 83′), Tanushi (Shazivari 46′), Bërkiç. Trajner: S.Nica
KARTONË TË VERDHË: Nika 67′, Mancaku 71’/ Vucaj 25′, Kastrati 67′
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë)
GJYQTARET: E.Hoxha, G.Koka, R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
22′ Goditje dënimi për Laçin, gjuan Vucaj, topi devijohet nga mbrojtësit durrsakë dhe kalon ngjitur me shtyllën pingule.
35′ Hodo jep një top të gjatë, duke e gjetur Mancakun të lirë, i cili i vetëm përballë portierit Bakaj gjuan në formë parabole dhe shënon, 1-0 për Teutën.
40′ Mesfushori Veliaj lëshon një “predhë” nga distanca, topi prek shtyllën pingule dhe del jashtë.
79′ Veliaj kontrollon bukur një top dhe në ecje e sipër nga rreth 25 metra gjuan fuqishëm me të majtën, duke shënuar një gol spektakolar, teksa “sfera” përfundon në trekëndëshin, 1-1.
80′ Kundërsulm i Teutës, Hodo nxjerr të lirë Xhafajn, që shkëputet në të djathtë, futet brenda zone, kalon edhe portierin, por gjuan jashtë.
81′ Xhafaj ul një top me gjoks për Osmanin brenda zone, ky i fundit del i vetëm me Bakajn, por bën më të vështirën duke goditur jashtë.
87′ Goditje dënimi për Teutën, Dosti kroson në zonë dhe portieri Bakaj bën një dalje të pastudiuar. Këtu përfiton Mustafaji, i cili shërben për Murriqin, që e shtyn topin në rrjetë, 2-1.

Rikthim në Durrës me fitore dhe e gdhin e vetme në krye. Teuta ka përuruar dje fushën e stadiumit “Niko Dovana” me një triumf të vështirë kundër Laçit, në shifrat 2- 1. E veçanta është se skuadra durrsake tashmë qëndron e vetme në krye, duke pritur e qetë përballjen e sotme të rivalit të saj, Skënderbeu. Të besuarit e Maganit mbajtën premtimin që u kishin dhënë tifozëve durrsakë, të cilët e përkrahën gjatë gjithë 90 minutave ekipin. Vendësit ishin më dominues se kundërshtari gjatë lojës, edhe pse ishlojtari i tyre, Emiljano Veliaj, i shtangu të gjithë të pranishmit me një supergol 11 minuta afër fundit. Zëvendësimet e Maganit rezultuan efikase, pasi golin e fitores e shënoi sulmuesi kosovar Murriqi, i cili u fut në vend të Mancakut.
Pjesa e parë – Durrsakët përpiqen të gjejnë golin që në fillim, por mbrojtja mike ishte vendosur mirë në fushë. Laçi përdorte kundërsulmet dhe në një goditje dënimi për pak sa shënoi me Vucajn. Ky rast i zgjon të zotët e shtëpisë, që nisën aksione të njëpasnjëshme drejt portës kurbinase. Hodo shikon vendosjen e favorshme të Mancakut dhe i jep këtij të fundit një asist nga një distancë e largët. Sulmuesi nuk shpërdoron, teksa shënon i vetëm me Bakajn një gol të bukur. Pas disa minutave të mira të Teutës, miqtë kundërpërgjigjen me një silurë të Veliajt, por topi përfundon ngjitur me shtyllën. Pjesa e parë mbyllet 1-0.
Pjesa e dytë – 45-minutëshi i dytë nuk kishte shumë lidhje me të parin pasi, përveçse u shënuan dy gola, loja mori ngjyra të tjera, duke u bërë më e shpejtë dhe më luftarake. Që në fillimin e këtij fraksioni durrsakët kishin një mundësi të artë për të dyfishuar rezultatin. Nika shmang dy-tre mbrojtës, futet në zonën e rreptësisë, dhe pasi afrohet farë pranë portës bën më të vështirë duke e përplasur topin te portieri Bakaj. Tri minuta më vonë miqtë përgjigjen me një aksion të frikshëm, por Nimani brenda zonës gabon. Për të ruajtur rezultatin, tekniku Magani freskon mesfushën, duke futur Deliallisin në vend të Çyrbjes. Pak minuta më vonë, Mancaku i lë vendin Murriqit. Kosovari përpiqet së bashku me Xhafajn të mbajnë përpara skuadrën e tyre, por planet i prish ishshoku i skuadrës së tyre, Veliaj, i cili me një eurogol çon gjithçka në baraspeshë 1-1. Tekniku Magani nuk humb kohë për të hedhur sulmuesin Mustafaj në fushë, duke luajtur me tre sulmues. Skuadra durrsake ia kishte detyrim tifozerise fitoren në fushën e tyre, ndërsa jep gjithçka deri sa e mban premtimin. Pas disa rasteve të pastra që shpërdorohen, goli vjen tri minuta nga fundi, kur Murriqi e dërgon topin në rrjetë afër portës. Më pas nuk ndryshon asgjë dhe gjithçka mbyllet 2-1.

MË I MIRI
Albi Dosti dhe Bledar Hodo ishin lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen e djeshme. Mesfushorët durrsakë treguan një formë të shkëlqyer, duke dhënë asiste pa fund për sulmuesit. Nga ana tjetër, te Laçi një paraqitje të mirë bënë Vucaj dhe Ndreka.

MË PAK AKTIVI
Sulmuesit e Laçit, Eduard Tanushi dhe Valdano Nimani, ishin larg formës në takimin ndaj Teutës, duke bërë pak në fazën ofensive. I pari u zëvendësua që në fillim të pjesës së dytë, mirëpo afër fundit të takimit Nica largoi edhe lojtarin tjetër shkodran.

MaganiMagani: Vuajtëm, por në fund merituam gjithçka
Trajneri i Teutës, Gugash Magani, është i kënaqur me reagimin e skuadrës në ndeshjen ndaj Laçit, veçanërisht kur rezultati ishte 1-1. Pas ndeshjes, ai u shpreh: “Jam shumë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, por edhe nga rezultati. Sot (dje) zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, ku skuadra ishte kërkuese për të fituar lojën. Mendoj se bëmë një paraqitje dinjitoze përpara publikut tonë, që e priste këtë triumf. Besoj se e merituam me atë që dhamë në fushë. Arritëm të gjenim golin në pjesën e parë, por kjo nuk na e bëri më të lehtë punën. Hasëm vështirësi nga kundërshtari, i cili arriti të barazonte rezultatin. Ishte një gol i çuditshëm nga Veliaj, që bëhet shumë rrallë. Gjithsesi, skuadra reagoi gjatë minutave të fundit, duke gjetur dhe golin e fitores. Gjykimi im është që ishim më mirë se kundërshtari. Kjo u pa edhe gjatë lojës, ku Teuta e vizitoi më shpesh portën e Laçit. Jam i kënaqur nga lojtarët, pasi po përpiqen të arrijnë atë që unë kërkoj. Dua që skuadra ta qarkullojë sa më shumë topin dhe kjo u arrit sot (dje). Rezultati në fund ishte më se i drejtë”.

Dacia-Teuta 2-0, Mancaku ne aksionMancaku e Muriqi: Fitorja, si dhuratë për tifozët durrsakë
Nuk shënon Daniel Xhafaj, por zh bllokohen sulmuesit e tjerë të Teutës. Fitorja ndaj Laçit ka ardhur pas golave të Bledar Mancakut dhe Vedat Muriqit. I pari realizoi pas një veprimi të zgjuar, duke ia kaluar topin Bakajt në formë parabole. Goli i idhullit të tifozërisë durrsake hipotekoi fitoren, ndërsa kosovari Muriqi ishte ai që e vulosi. Kur rezultati ishte 1-1 dhe Teuta po sulmonte vazhdimisht, shtatlarti që është edhe pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, i gjendur afër portës, e dërgoi topin në rrjetë afër portës. Si për koincidencë, autorët e golave të Teutës zëvendësuan njëri-tjetrin në pjesën e dytë. Pas ndeshjes ata folën për “Panorama Sport”, teksa nuk ngurruan që këtë fitore t’ua dedikonin tifozëve durrsakë, të cilët u rikthyen në stadiumin “Niko Dovana” më të entuziazmuar se kurrë.
Mancaku – “Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe jemi të kënaqur që arritëm të fitonim. Mendoj se e merituam këtë trepikësh, pasi ishim shumë më kërkues se ndaj Laçit gjatë gjithë takimit. Sigurisht, goli i barazimit na i vështirësoi pak gjërat, por skuadra tregoi se ka besim dhe karakter, duke shënuar sërish. Goli im? Gjithnjë është mirë kur shënon. Gjithsesi, unë jam i gëzuar që arritëm të merrnim këtë fitore kaq të rëndësishme për synimet që kemi. Si ne, lojtarët, ashtu edhe tifozeria e meritonte këtë triumf, pasi ktheheshim në fushën tonë pas një kohe të gjatë. Tani të shpresojmë të vazhdojmë kështu”, – deklaroi Mancaku.
Muriqi – “Ky ishte goli im i parë zyrtar me skuadrën e Teutës. Jam shumë i gëzuar që më në fund arrita të shënoj, për më tepër që ekipi mori edhe një fitore falë golit tim. Sigurisht, këto tri pikë kanë më shumë rëndësi se gjithçka. Prandaj, goli u dedikohet të gjithëve atyre që kontribuan për fitoren dhe sigurisht tifozëve që na mbështeten fuqimisht. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë në synimet që kemi. Tashmë s’na mbetet gjë tjetër, veçse të ruajmë kreun e renditjes”, – u shpreh pas ndeshjes sulmuesi 20-vjeçar, i cili luan sezonin e tij të dytë në Durrës. Nga java e dytë dhe deri në atë të gjashtë, Muriqi ka qenë titullar, duke formuar dyshen e sulmit me Xhafajn, por pas rikthimit të Mancakut nga dëmtimi, i riu kosovar i ka nisur ndeshjet nga stoli.

Veliaj nostalgjik
Shënoi një supergol, por nuk festoi. Mesfushori i Laçit, Emiljano Veliaj, në shenjë respekti ndaj ish-ekipit të tij Teutës dhe sigurisht tifozëve durrsakë nuk festoi pas golit që realizoi. Për “Panorama Sport”, pas ndeshjes ai u shpreh: “Ishte një gol shumë i bukur, por që shërbeu vetëm për statistikë. Ashtu si shkoi loja, kishim mundësi të dilnim me pikë nga Durrësi, por fatkeqësisht nuk rezultoi kështu. Kam luajtur për disa vite me Teutën dhe kam një konsideratë të veçantë për këtë skuadër dhe tifozërinë e saj. Sot (dje) unë isha kundërshtar dhe dëshiroja ta fitoja ndeshjen, po ja që nuk ndodhi”. Kujtojmë që Veliaj gjatë sezonit të kaluar ishte pjesë e Teutës, ndërsa si për koincidencë, edhe kur u afrua për herë të parë te durrsakët, mesfushori ka qenë i angazhuar më parë te skuadra kurbinase.

Dy brazilianë nisin provën tek ekipi durrsak
Një qendërmbrojtës dhe një mesfushor qendre nga Brazili kanë nisur provën te Teuta. Burime në klub bëjnë të ditur se Rafael Fernando Santina dhe Rodragi Arvoja do të stërviten gjatë kësaj periudhe me ekipin durrsak. Pasi të vëzhgohen hollësisht nga trajneri Gugash Magani, ky i fundit më pas do të marrë një vendim, nëse ndonjë prej brazilianëve mund të qëndrojë ose jo te Teuta për pjesën e mbetur të kampionatit. Santina luan si mbrojtës qendre, ndërsa Arvoja në rolin e një mesfushori fantazist. Veçanërisht në këtë rol shpeshherë stafi teknik ka ngulmuar për të pasur në dispozicion një lojtar, por gjithsesi Magani nuk e ka fshehur faktin që ka mbetur i kënaqur nga ata që ka në dispozicion. Pak ditë më parë, i pyetur për merkaton, trajneri peqinas i Teutës deklaroi se ka biseduar paraprakisht me presidentin Hasanbelliu për merkaton dhe se në dhjetor pritet të ketë diçka konkrete për afrimet që mund të bëjë skuadra durrsake.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"