Teuta triumfon me Laçin dhe pret biletën për Europë. Durrsakëve u mjafton goli i Osmanit

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 4, 2013 | 12:20

Teuta triumfon me Laçin dhe pret biletën për Europë. Durrsakëve u mjafton goli i Osmanit

Teuta-Laci 1-2, ndeshje kupeTEUTA-LAÇI  1-0
GOLAT: Osmani 66′
TEUTA: Rizvani, Sheta, Sakaj, Jakupi, Osmani, Hoxha, Hodo, Veliaj (Çyrbja 46′), Nika (Rezi 78′), Mancaku, Xhafaj; Trajner: G. Magani
LAÇI: Bakaj, Doku, Milenkoviç, Danaj, Buljan (Bushi 83′), Gjonaj, Sefgjini, Shazivari, Vucaj (Xhixha 77′), Haliti, Blloku; Trajner: S.Nica
KARTON I VERDHË: Xhixha 81′
VËZHGUES: Mëhill Shkëmbi (Shkodër)
DELEGAT: Uvil Zajmi (Tiranë)
GJYQTARET: A.Beqiri, E.Barushi, B.Mesi (Tiranë)

MINUTAT
14′ Mancaku provoi të zinte në befasi portierin kurbinas me një goditje nga distanca, por Bakaj largoi këtë top, edhe pse në vështirësi.
65′ Goditje dënimi për Teutën. Sulmuesi Xhafaj lëshon një gjuajtje mjaft të kalibruar në trekëndëshin e portës së Laçit, por Bakaj bën mrekullinë duke e grushtuar fluturimthi.
66′ Teuta kalon në avantazh. Tefik Osmani harrohet të markohet nga mbrojtja mike. Një krosim i gjatë nga e djathta gjen të lirë korçarin në zonën laçiane, i cili godet me qetësi dhe mposht portierin Bakaj 1-0.

Teuta ka fituar minimalisht ndaj Laçit dhe ka siguruar zyrtarisht një biletë për në Europa Ligë. Ka mjaftuar një gol i mbrojtësit Tefik Osmani në pjesën e dytë të ndeshjes që durrsakët të merrnin këtë trepikësh. Në këtë 90- minutësh skuadrat u shfaqën tepër të kujdesshme, çka bëri që në “Niko Dovana” të zhvillohej një ndeshje nën nivelin mesatar. Pas shënimit të golit, të besuarit e Maganit luajtën me mjaft qetësi, duke parë që edhe kundërshtari nuk u sforcua për t’u kundërpërgjigjur. Në fakt, kurbinasit kanë qenë dje me mendje edhe nga finalja e Kupës së Shqipërisë, që do ta luajnë ndaj Laçit. Laçianët, duke qenë se nuk kanë lojtarë me shumicë në gjirin e tyre, evituan përplasjet fizike.
Ndeshja Ndeshja nisi qetë dhe kështu vijoi për minuta me radhë. Më pas ishin të zotët e shtëpisë, të cilët kërkonin të zhbllokonin rezultatin, por hasën një mbrojtje mjaft të organizuar të kundërshtarit. Shkëndijën e parë për këtë përballje e dha i përhershmi Bledar Mancaku, i cili provoi ta zinte në befasi portierin kurbinas me një goditje nga distanca, por Bakaj largoi këtë top, edhe pse në vështirësi. Durrsakët nuk ndalen dhe kërkojnë të kontrollojnë lojën, por rastet e krijuara nuk përbëjnë rrezikshmëri. Xhafaj dhe Mancaku u munduan t’u krijonin hapësira shokëve të tyre, por kurbinasit krijuan bllokadë, duke i thyer aksionet që në mesin e fushës. Në pamundësi për të çarë mbrojtjen mike, durrsakët vendosën të luajnë me topa të gjatë, por edhe kjo tentativë nuk rezultoi efikase. Hoxha, Veliaj e Hodo luftojnë fort në mesfushë, aq sa pësuan edhe dëmtime të lehta, e megjithatë kjo pjesë u mbyll pa gola. Me fillimin e 45-minutëshit të ndeshjes Magani hedh në fushën e lojës Curbjen për t’i dhënë më shumë energji mesfushës. Durrsakët nuk mund ta pranonin rezultatin 0-0 dhe hidhen në sulm në kërkim të golit. Pas disa aksionesh të njëpasnjëshme, skuadra po bëhej e rrezikshme, ndërsa fiton edhe një faull në pozicion të favorshëm. Përsipër ekzekutimin e saj e merr Xhafaj. Sulmuesi lëshon një goditje mjaft të kalibruar në trekëndëshin e portës së Laçit, por Bakaj bën mrekullinë duke grushtuar fluturimthi. Goli i shumëpritur do të vinte në minutën e 66-të, kur mbrojtësi Tefik Osmani harrohet të markohet nga mbrojtja mike. Një krosim i gjatë nga e djathta gjen të lirë korçarin në zonën laçiane, i cili godet me qetësi dhe mposht portierin Bakaj 1-0. Miqve duket sikur nuk u bëri përshtypje goli dhe u munduan që të mos pësonin të dytin, ndërkohë që durrsakëve u dilte dhe u tepronte, pasi me këtë gol siguronin zonën UEFA dhe tashmë u duhej vetëm të menaxhonin rezultatin. Minutat e fundit të ndeshjes u shoqëruan pa probleme dhe madje pa asnjë rast të rrezikshëm, sikurse nisi. Ndonëse me një lojë jo të mirë, Teuta arriti të merrte trepikëshin, i cili e dërgon në Europë.

MË I MIRI
Osmani dhe Hoxha ishin lojtarët, të cilët ranë më shumë në sy dje. Korçari jo vetëm shënoi, por shfaqi siguri edhe në mbrojtje. Ndërsa Hoxha bëri një punë të palodhshme dhe lëvizi shumë në mesfushë.

MË PAK AKTIVI
Milenkoviç dhe Xhixha nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Qendërmbrojtësi harroi të mbulonte Osmanin në rastin e golit, ndërsa Xhixha hasi vështirësi në mesfushë, saqë u ndëshkua edhe me karton të verdhë.

“Çaluam në lojë, por ishte fitore e madhe”
Gugash Magani u gëzohet pikëve që e dërgojnë Teutën në Kupat e Eurpës, ndonëse për lojën ka pasur rezerva. “Me këtë fitore skuadra preu një biletë për në Europa Ligë, ndaj dhe vlen më shumë se çdo gjë. Jam i lumtur, pasi Teuta u shpërblye për punën e madhe të bërë, ndërsa shpresojmë që skuadra të vijojë me të njëjtin ritëm edhe në vazhdim. Nuk u paraqitëm mirë ndaj Laçit, por fakti që fituam më bën të mos e mbaj mendjen te kjo paraqitje. Tashmë duhet të mendojmë për Europën dhe të përgatitemi që të bëjmë një paraqitje dinjitoze në këtë kompeticion. Kam në dispozicion një grup lojtarësh, që kanë dëshirë të madhe për të punuar e fituar dhe kjo më bën të jem më i qetë. Gjithashtu, fakti që lojtarët janë të ndërgjegjshëm, e bën punën time më pak të lodhshme në drejtim të kësaj skuadre”, – u shpreh për mediat Magani.

“Synojmë kupën, nuk donim të rrezikonim”
Në fund të ndeshjes trajneri i skuadrës së Laçit, Stavri Nica, u shpreh i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij. Ai sqaron se nuk ka dashur që t’i rrezikojë lojtarët, pasi kërkon që t’i ruajë për finalen e kupës, e cila është edhe objektivi i vetëm i kurbinasve. “Kishim ardhur në Durrës për të luajtur futboll, por në të njëjtën kohë të mos rrezikonim lojtarët, pasi kemi finale e kupës dhe organika e skuadrës nuk është shumë e pasur. U munduam përgjatë gjithë ndeshjes të evitonim kontaktet fizike, në mënyrë që t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Pastaj Teuta është një skuadër që, po ta ngacmosh, të krijon shumë problem, prandaj vendosëm të luanim qetë dhe pa tension. Ne jemi fokusuar te finalja e kupës dhe, pavarësisht humbjes, besoj se bëmë një paraqitje të mirë”, – përfundoi trajneri i Laçit, Nica.

Osmani: I lumtur për golin!
Autori i golit të vetëm të kësaj ndeshjeje, Tefik Osmani, pas saj u shpreh se: “Arritëm të fitonim dhe futemi në Kupat e Europës, ndërsa më gëzon fakti që isha unë që e shënova golin. Tani kemi dhe një ndeshje me Tomorin, ndaj të cilit duam që të kapim vendin e dytë. Ka qenë një sezon i lodhshëm, por fatmirësisht u kurorëzua me sukses. Tashmë duhet të punojmë fort, që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në këtë kompeticion”.

Xhafaj: Sezon i shkëlqyer!
Daniel Xhafaj e ka cilësuar një sezon të shkëlqyer këtë që po mbyllet. “Kemi zhvilluar një sezon mjaft të mirë, gjatë të cilit, përveç rezultateve, kemi fituar disa lojtarë të rinj, që do jenë e ardhmja e skuadrës. Ndaj Laçit nuk është se bëmë një paraqitje të mirë, por për ne e rëndësishme ishte fitorja. Nuk duhet të ndalemi, por të punojmë dyfishin për t’u paraqitur sa më mirë në Europa Ligë”, – u shpreh sulmuesi vlonjat.
LEONIDHA MUSAJ






www.minuta90.com