Teuta përgatit “murin”, Jazxhi: Nuk dalim pa pikë, kemi strategjinë tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2023 | 18:37

Teuta përgatit “murin”, Jazxhi: Nuk dalim pa pikë, kemi strategjinë tonë

Mbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi, deklaroi dje për “Panorama Sport”, se ndeshja ndaj Vllaznisë është e duhura për të ruajtur vazhdimësinë pozitive. Fitorja e parë ndaj Skënderbeut ka rikthyer qetësinë në kampin durrsak pas asaj humbjeje të thellë në Laç, por sot “djemtë e detit” kanë një provë të fortë. Jazxhi beson se nuk do të dalin pa pikë nga Shkodra, në një kohë që ekipi shkon i plotë në këtë takim.

Jazxhi

Artan, si është atmosfera në skuadër para ndeshjes me Vllazninë?

Është një atmosferë shumë e mirë dhe jemi të gjithë bashkë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që entuziazmi që kemi pas fitores së parë, të na ndihmojë edhe sot kundër Vllaznisë. E kemi analizuar ndeshjen e fundit dhe mendoj se mund të bëjmë diçka ndryshe në vazhdimësi, pasi i kemi mundësitë. Duhet të kemi pak fat në finalizimin e aksioneve, por shpresoj që sot të krijojmë mundësitë dhe të shënojmë. Duhet të bëjmë maksimumin për të mundur Vllazninë. Ekipi është gati dhe seanca e fundit stërvitore shkoi shumë mirë.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Pas Skënderbeut, tashmë është më e vështirë, pasi duhet të kemi vazhdimësi. Vllaznia është shumë kompakte dhe lë pak hapësira. Ne duhet të ndërtojmë sa më mirë manovrën sulmuese dhe të jemi shumë të kujdesshëm. Kjo do të jetë një detyrë e madhe për të gjithë lojtarët, pasi kundërshtari do të kërkojë të kthehet te rezultati pozitiv.

Një pikë në Shkodër do të ishte OK për Teutën?

Kjo varet nga loja që do të bëjmë, pasi futbolli është i paparashikueshëm. Mund të zhvillosh një ndeshje shumë të mirë duke dominuar kundërshtarin dhe mund të humbësh. Ose mund të luash jo mirë dhe të fitosh. Ne do të futemi për të fituar dhe nëse do të bëjmë një lojë që ndoshta një pikë do të na kënaqë në fund, atëherë do ta pranojmë. E rëndësishme është që të japim gjithçka dhe të mos na mbetet asnjë peng nga ky takim.

Pas fitores së parë ndaj Teutës, është rritur besimi në skuadër?

Edhe në ato ndeshje që nuk kemi arritur fitore, mendoj se kemi bërë lojë të mirë, por që na ka munguar efikasiteti. Vetëm takimi në Laç ishte për t’u harruar. Duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse kampionati është shumë i luftuar. Të futemi në çdo ndeshje me shumë seriozitet.

Çfarë i duhet Teutës sot për të thyer Vllazninë?

Kemi strategjinë tonë, duhet të kemi atë grintë dhe durim si në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Duke sakrifikuar të gjithë si ekip, mund t’ia dalim. Kundërshtari është i fortë, por ne do të bëjmë lojën tonë.

Z. QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"