Teuta nuk fshihet, Isli Hidi: Jemi të denjë për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2018 | 18:14

Teuta nuk fshihet, Isli Hidi: Jemi të denjë për titullin

Fitorja në transfertën e Korçës e ka shtuar më shumë euforinë në kampin durrsak, pasi janë të vetmit që i kanë shkaktuar dy humbje radhazi Skënderbeut në kampionat. Në një nga fushat më të vështira të vlerësuara nga trajneri Shkëmbi, Teuta shënon dhe arrin të ruajë avantazhin, edhe pse një pjesë loje luajti me 10 veta. Kamara është protagonisti i fitores që shënoi gol, por “heroi” i takimit qe Isli Hidi.

“Gardiani” në një intervistë për “Panorama Sport” flet për ndeshjen e fituar në Korçë, penalltinë e pritur ndaj Alitit, si dhe për synimet e klubit, që kalojnë nga ndeshja e ardhshme ndaj Partizanit. Hidi pohon se Teuta e ka “ADN”-në për të fituar titullin.

isli hidi

Hidi, në Korçë morët një tjetër trepikësh, sa e rëndësishme ishte kjo fitore përballë një ekipi si Skënderbeu?

Duke parë kundërshtarin dhe si shkuan gjërat gjatë ndeshjes, them që ishte një trepikësh i merituar për ne. Ishte me shumë rëndësi që të ruanim ecurinë pozitive. Jam shumë i lumtur për atë çka dhanë djemtë në fushën e lojës dhe për këtë fitore shumë të bukur. Besoj dhe mendoj që ky rezultat është vetëm falë punës tonë si ekip, dëshirës për të fituar, pavarësisht inferioritetit numerik. Treguam sa vlejmë dhe ky sukses na konsolidon në vendin e tretë.

Me 10 lojtarë për afro 45 minuta, Teuta arrin të mbajë rezultatin në një nga fushat më të vështira. Çfarë tregon kjo për këtë skuadër?

E vërtetë që luajtëm në një nga fushat më të vështira. Por, vështirësitë u shtuan më shumë kur mbetëm me 10 veta. E vështirë të luash me dhjetë futbollistë edhe për 5 minuta, jo në një pjesë loje. Treguam karakterin tonë, nuk dorëzohemi asnjëherë dhe u treguam burra në fushën e lojës. Është një fitore që na jep akoma më shumë besim në vetvete, moral për të ecur përpara.

A i premtuat Beqajt se do ta mbanit rezultatin, duke ia lehtësuar sadopak peshën e fajit?

Është diçka që mund t’i ndodhë çdo futbollisti, të ndëshkohet me karton të kuq. Ai e ndjeu shumë, u duk qartë dhe nga reagimi i tij, por te Teuta asnjëherë nuk e drejtojmë gishtin për të gjetur fajtorin apo për të bërë dikë me faj. I premtuam që do dilnim me fitore dhe ia arritëm.

Pritja e penalltisë ju shndërroi në hero. Ishte rastësi apo një instinkt i juaj?

Normalisht që penalltia pritet nga instinkti dhe këtë herë fati ishte me mua. Ishte një lehtësim i momentit dhe një forcë shumë e madhe për mua personalisht, besoj edhe për ekipin. Gjërat mund të kishin ndryshuar nëse ata do realizonin. Në futboll duhet të kesh dhe pak fat dhe ne e kishim mendoj në Korçë.

Dy fitore radhazi ndaj Skënderbeut dhe gjashtë pikë larg vendit të parë, a do të thotë kjo se Teuta është një ekip pretendent për titull?

Nuk ka qenë aspak e lehtë, jo vetëm përballë Skënderbeut. Por, edhe me të tjerat për të marrë fitore. Kjo tregon forcën e grupit. Unë e kam thënë edhe më parë që objektivi ynë është zona e Europës, të jemi pjesë e treshes së parë dhe e dimë shumë mirë që ka ende shumë rrugë për të bërë. Nëse luajmë dhe tregojmë të njëjtin karakter si në Korçë, rezultatet do vijnë. Më pas, të shikojmë, oreksi vjen duke ngrënë…

Çfarë ka ndryshuar nga faza e parë, pasi ekipi ka rikuperuar shumë pikë, si dhe nuk njeh humbje prej tetë javësh?

Siç e kemi thënë edhe më parë, ishim një grup i sapoformuar, ndaj kishim nevojë për kohën e duhur për t’u harmonizuar si ekip. Kemi rikuperuar pikë dhe kjo është shumë pozitive edhe në anën psikologjike. Ne gjithmonë kemi hyrë në fushë për të fituar dhe mendoj se tani e njohim më mirë njëritjetrin. Flasim të njëjtën “gjuhë” në fushë. Punojmë shumë çdo ditë për të vazhduar në këtë rrugë.

Ju e dini shumë mirë sesi fitohet një kampionat. A e ka Teuta këtë “ADN”? Nëse jo, çfarë i mungon?

Teuta ka një grup lojtarësh shumë të mirë. Ka në krye një trajner dhe staf që di shumë mirë si fitohet. Ne lojtarët që jemi me eksperiencë aty, mendoj që jemi një ndihmë më shumë për ekipin. Kemi arritur të ndërthurim mjaft bukur eksperiencën tonë me futbollistët e rinj e cilësorë. Mendoj se kemi formuar atë grupin që mund të përballojë shumë mirë presionin e ndeshjeve dhe dimë të reagojmë kur duhet. Jam i bindur që Teuta e ka “ADN”-në fituese dhe diçka të tillë po e tregojmë. Do të vazhdojmë ta bëjmë, ndaj Teuta nuk ndalet këtu.

Humbjen e fundit e keni ndaj Partizanit, që është kundërshtari i radhës. Si e shikoni këtë përballje të fundjavës?

Nëse shikon renditjen, e kupton që Partizani ka diçka më shumë në këtë kampionat dhe përballë tyre do jetë një ndeshje shumë e fortë. Është një ndeshje e veçantë, janë në vendin e parë, por ne nuk nisemi nga ecuria apo pozicionet e kundërshtarit. Nuk ka ekipe të forta apo të dobëta, ka shumë pak diferenca dhe ndeshjet vendosen nga episodet mendoj. Normalisht që do luajmë me ego, e jo me mendimin për hakmarrje. Ne do hyjmë për të fituar, do luajmë për të fituar dhe për të treguar që ndeshja e parë ishte thjesht një rastësi dhe asgjë më shumë. Tani është momenti kur fillon sezoni për ne.

Brenda jush a do ketë një “miniderbi” ndaj tyre?

Do të jetë ndeshje e luftuar dhe shumë e veçantë për vetë renditjen e dy skuadrave. Unë personalisht kështu e shoh dhe nuk besoj se do ketë derbi, sepse tani mendoj vetëm për Teutën, por kjo s’do thotë që do ta mundë Partizanin.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"