Teuta nuk fiton prej 13 javësh në kampionat, Jazxhi: Erdhi koha e kthesës, duam 3 pikët kundër Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2024 | 11:47

Teuta nuk fiton prej 13 javësh në kampionat, Jazxhi: Erdhi koha e kthesës, duam 3 pikët kundër Skënderbeut

Qendërmbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi, është i bindur se skuadra durrsake do të rikthehet te fitorja në kampionat, teksa këtë nuk e bën prej 22 tetorit 2023, kur mundi Dinamon 2-3.

Jazxhi

Prej 13 ndeshjesh radhazi durrsakët nuk marrin dot tri pikë dhe në intervistën për “Panorama Sport”, Jazxhi beson se sot kundër Skënderbeut do të marrin fitoren e shumë pritur.

Artan, e keni eliminuar Skënderbeun në Kupë, por u bëtë më shumë se një fazë që nuk po fitoni dot në kampionat. Është ky momenti i fitores?

Kemi nxjerrë mësimet e duhura nga ndeshja me Laçin dhe po mundohemi të jemi gati për sot. Duhet të marrim tri pikët, por nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superligë çdo rival është i rrezikshëm.

Një tri pikësh këtë javë do të rikthente qetësinë në ekip?

E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos pas atij barazimi në javën e kaluar. Kemi lënë pikë në ndeshjet e fundit dhe kemi fituar në kupë. Duhet të vijojmë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi. Duhet të kujdesemi në aspektin mbrojtës dhe të shfrytëzojmë sa më mirë rastet në sulm.

Skënderbeu vjen nga një fitore kundër Tiranës, sa e vështirë do të jetë sot për Teutën?

Unë mund të flas për ekipin tim, jo për Skënderbeun. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e sotme. Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve sipër nesh. Duhet të mendojmë të fitojmë, duke rritur paraqitjet tona ndeshje pas ndeshjeje.

Cili është objektivi i Teutës?

Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë bëhen në fund të sezonit, tani nuk mund të flasim për synime.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"