Tërbuni e mbylli vitin super, sulmuesi Xhebrahimi: Pa ndihmën e Hysës s’do të shënoja dot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2022 | 17:22

Tërbuni e mbylli vitin super, sulmuesi Xhebrahimi: Pa ndihmën e Hysës s’do të shënoja dot

Tërbuni e mbylli vitin super. Mundi pikërisht Dinamon, duke u pozicionuar në vendin e 6-të. Janë në zonën “play off” dhe rrjedhimisht brenda pritshmërive. Ishte Albi Xhebrahimi ai që shënoi në të 80- ën minutë dhe nderoi pukjanët në “Ismail Xhemali”.

Xhabrahimi

Sulmuesi është i lumtur që gjeti rrjetën, e megjithatë nuk i merr meritat vetëm për vete. Për “Panorama Sport”, ai thotë: “Jam i kënaqur që shënova ndaj Dinamos dhe i dhashë ekipit fitoren. Ishte e fundit ndeshje për këtë vit, ndaj dua t’ua dedikoj tifozëve tanë që na nuk kanë reshtur së na përkrahur. Merita për këtë trepikësh u takon gjithëve ama. Mbrojtja ishte në nivel dhe nuk i la hapësirë kundërshtarit.

Afrikani Mbabe ishte i pakalueshëm. Prej tri javëve mua më kishte munguar goli, por ia dola me ndihmën e Hysës. Pa atë harkim perfekt nuk do të shënoja dot, ndonëse këndi ishte i vështirë. Kam besim se në fazën e dytë do të bëjmë paraqitje edhe më të mira. Në ekip mund të ketë edhe ndonjë përforcim në merkaton e dimrit, por këtë e dinë drejtuesit më mirë. Ekipi nuk do të ketë asnjë ditë pushim, seancat stërvitore do të vazhdojnë.

Kjo do të na mbajë në formë, pasi nuk ka ekipe të mëdha e të vogla. Në Kategorinë e Parë lufta është shumë e fortë. Ne jemi të vendosur që të ecim përkrah ekipeve që synojnë kreun, pasi vendi i parë me atë të gjashtë nuk kanë ndonjë diferencë të madhe pikësh. Dua të falënderoj presidentin Gjon Gjoni për premion e dhënë për këtë fitore, por dhe për korrektësinë e treguar në çdo aspekt. Tani na mbetet ne t’ia shpërblejmë.

Ndeshjen e parë për vitin 2023 do ta luajmë ndaj Orikut e më pas na pret Skënderbeu. Do të punojmë fort për t’ia dalë me sukses”.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"