“Te Varazhdini gjetëm Skënderbeun”, Elezi dhe Pëllumbi: Ja të përbashkëtat mes dy klubeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2020 | 9:51

“Te Varazhdini gjetëm Skënderbeun”, Elezi dhe Pëllumbi: Ja të përbashkëtat mes dy klubeve

Agon Elezi dhe Jorgo Pëllumbi kanë gjetur Skënderbeun te Varazhdini: një klub ambicioz dhe që u jep hapësirë talenteve. Një javë pasi kanë shkuar në Kroaci, ata rrëfejnë për “Panorama Sport” emocionet e kësaj aventure. Të gjitha procedurat e transferimit janë mbyllur dhe zyrtarisht ata janë gati për të luajtur, nëse trajneri Samir Toplak do të vendosë t’u japë minuta nesër kundër Osijekut.
PELLUMBI, ELEZI, DALIC (1)

ELEZI – “Java e parë nuk ka qenë fare e vështirë, siç zakonisht ndodh kur ndryshon ambient. Pritja nga ana e drejtuesve të klubit, trajnerëve dhe lojtarëve ka qenë shumë e mirë dhe menjëherë na kanë afruar në rrethin e tyre. Klubi i Varazhdinit na ka përparësi, pasi gjithmonë synon që të promovojë sa më shumë lojtarë të rinj dhe kjo mua apo edhe Pëllumbin na shtyu që të vinim në Kroaci. Klubi beson te ne dhe kjo është më e rëndësishme, pasi krijohet një lidhje shumë e shëndoshë. Normalisht që futbolli këtu luhet me një ritëm më të shpejtë dhe një marsh më të lartë, është kampionat më i fortë, por që nuk e kemi parë fytyrën e vërtetë të futbollit kroat. Mezi po presim ta shohim këtë fundjavë, kur kemi ndeshje kundër Osijekut në shtëpi. Besoj se jemi gati për të luajtur. Sa u përket kushteve, janë të njëjta si në Korçë. Dihet që Skënderbeu ka kushte mjaft te mira që i nevojiten një futbollisti profesionist për të bërë punën e tij”, u shpreh Agon Elezi, 19-vjeçari që luan edhe për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut.
pellumbi elezi (1)
PËLLUMBI – “Tashmë çdo gjë është zyrtare, mund të themi se me të drejta të plota jemi futbollistë të Varazhdinit. Ka qenë një ëndërr e bërë realitet, pasi një aventurë jashtë e kam dashur çdo ditë. Kemi gjetur një ambient të ngrohtë si nga klubi ashtu edhe nga lojtarët që na kanë mirëpritur. Një ditë më parë klubi na ka rezervuar edhe shtëpinë dhe çdo gjë po shkon më së miri. Nga kjo javë e në vazhdim jemi pjesë e ekipit për të gjitha ndeshjet si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Mbetet vetëm të bëjmë më të mirën dhe të meritojmë formacionin. Mund të them se përshtatja është më e lehtë pasi Varazhdin ngjason shumë me Skënderbeun. Është si një familje e madhe që kërkon të korrë suksese. Pavarësisht se futbolli kroat ndryshon me atë shqiptar, unë shoh të përbashkëta mes Skënderbeut dhe Varazhdinit. Janë dy klube që kërkojnë të jenë mes më të mirave dhe mbi të gjitha shumë më të interesuara për zbulimin dhe promovimin e talenteve”, përfundoi Jorgo Pëllumbi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"